MONIKA SHOSHORI STAFA
Akademia e Shkencave e Suedisë dhe Komiteti i Nobelit ia dha këtë vit Çmimin e Paqes Bashkimit Europian.
Kjo ndodhi në të njëjtën ditë që Shqipëria mori lajmin e pranimit si kandidate e BE-së, “me kusht që të plotësohen kushtet”, një formulë krejt origjinale dhe e drejtpërdrejtë.
Të dyja ngjarjet në Tiranë u përjetuan si rëndomësi, megjithëse për propozimin për avancimin e mundshëm të statusit të Shqipërisë si kandidate e bashkësisë fituese të çmimit “Nobel” në orën 23.00 nga tarraca e ndërtesës së Teatrit të Operës u hodhën disa fishekzjarrë. Nuk u kuptua pse duhej të hidheshin në këtë orë, kur lajmi ishte bërë i ditur që në mesditë. Sa i takon lajmit tjetër, “Nobelit” për Europën nobile, askush nuk u kujtua të bëjë një deklaratë, një koment, një urim, një përgëzim.
Europa dhe Shqipëria kanë një pikëtakim më të hershëm me çmimin “Nobel” të Paqes. Në vitin 1979 këtë çmim e fitoi Nënë Tereza, e cila, në ceremoninë e zhvilluar, tha disa fjalë dhe në shqip.
Komiteti i Nobelit pa dyshim që bëri një zgjedhje shumë të mençme, duke nderuar një kontinent, një bashkësi, një bashkësi shtetesh të ndërvarura vullnetarisht prej njëri-tjetrit, siç është Bashkimi Europian. Ishte një nderim në momentin e duhur, kur BE-ja vërtet ka nevojë për vlerësim e inkurajim, që të zgjidhë problemet e brendshme të shkaktuara nga kriza botërore dhe të përballojë më tej zgjerimin e suksesshëm. Periudha euforike kaloi, muret politike u shembën, dy Gjermanitë u bënë një. Po ashtu edhe euforia financiare e monedhës së re, që hyri në tregjet botërore më e fortë se të gjitha monedhat e tjera. Tani është koha e përballjes me sfidën e mbijetesës në krizë. Sa është e aftë Europa të ruajë njësinë e vet, kur vendet që vuajnë “diktatin” e euros po shtohen nga koha në kohë?
Çmimi i Paqes për Europën e Bashkuar ka kuptim simbolik, por ka dhe kuptim të drejtpërdrejtë. Kurrë ndonjëherë në histori Europa nuk i ka plotësuar 70 vjet pa luftë. Vetëm në gjysmën e parë të shekullit të kaluar u zhvilluan dy luftëra botërore, që shpërthyen pikërisht në Europë; pa llogaritur dhe dy luftërat ballkanike, të cilat gjithsesi janë pjesë e bilancit të saj historik. Europa është vendi i luftës qindvjeçare, vendi i vijës “Maginot”, vendi i shpërthimit epidemik të Holokaustit, vendi i urrejtjeve po aq të përbindshme sa dhe ato të Ballkanit. Por Europa e Bashkuar vendosi të ndahet nga kjo histori e tmerrshme dhe të ndërtojë paqen, një paqe afatgjatë dhe të qëndrueshme, duke hedhur hapa të kujdesshëm, mbi bazën e vullnetarësisë, në drejtimin e kthimit në një federatë të popujve të vëllazëruar.
Jo vetëm kaq. Europa e Bashkuar jetoi e jeton paqen më të gjatë në jetën e vet, por edhe eksportoi paqe brenda dhe jashtë Europës historike. Kur kishte ndodhur më parë që në Ballkan të vinin misione paqeruajtëse, siç ndodhi në Kosovë? Jo, nëpër Ballkan kishin kaluar kryqëzatat dhe dyndjet e mëdha, në Ballkan ishin rregulluar ekuilibrat e interesave të më të mëdhenjve. Europa e Bashkuar sot eksporton paqe deri në zemër të Azisë, flijon për një rend botëror të mbrojtur prej luftërave.
Pikërisht për këtë arsye “Nobeli” për Europën nobile, Europën që ka nxjerrë nga vetvetja çfarë ka trashëguar më fisnike, meritonte një festim simbolik edhe në Tiranë, sepse kjo Europë, me misionet “Alba” e “Pelican”, me të dërguarin e saj F. Wranitzky dhe me shumë forma të tjera pranie, ka ndikuar dhe për një rend paqësor në Shqipëri, sidomos në vitet 1992 dhe 1997 e më vonë. Por mbi të gjitha për çka ajo bëri me Rambujenë dhe me ngjarje të tjera diplomatike e ushtarake për shpëtimin e Kosovës.
Sa i takon Shqipërisë vetë, në vitin 1991 ajo i kishte të gjitha shanset të ishte e para që mund t’i bashkohej Europës së humbur. Kjo sepse Shqipëria, ndryshe prej vendeve të tjera të ish-kampit të Lindjes komuniste, me pozitën e saj jashtëbllokiste prej vitit 1968, kur kishte denoncuar publikisht daljen nga Traktati i Varshavës; pastaj dhe me kushtetutën e vitit 1976, që ia kishte ndaluar vetes të kishte marrëdhënie me superfuqitë, nuk kishte zinxhirë nëpër këmbë për t’u pranuar me përparësi në Europën e Bashkuar. Ajo nuk kishte detyrime ndaj të tretëve, që mund ta pengonin apo ngadalësonin këtë bashkim. Ajo ishte jashtë organizatave politike të Lindjes, jashtë traktateve ushtarake të saj. Madje në pikëtakimin e viteve 1960-1970 në Perëndim ishte diskutuar për një mundësi afrimi me Shqipërinë, për një mundësi të kujdesshme, përderisa një aleat tjetër lindor si Kina kishte zënë vendin e parë në ndikim.
Të gjithëve u kujtohet me çfarë shpejtësie u stabilizuan raportet diplomatike me SHBA-në dhe me Rusinë, si u anëtarësua Shqipëria në OSBE, si u vendosën marrëdhëniet e bashkëpunimit me Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, BERZH-in dhe me shumë institucione të tjera. Në qoftë se Shqipëria do të ishte mirëqeverisur, shanset e saj për t’u anëtarësuar si kandidate e pastaj me të drejta të plota në Bashkimin Europian para shumë vendeve të tjera, që drejtpërdrejt apo tërthorazi kontrolloheshin nga ish-Bashkimi Sovjetik, kanë qenë shumë të mëdha. Mirëpo kjo nuk ndodhi, sepse vitet e para të sistemit pluralist qenë vite egërsie, që arriti kulmin me ngjarjet e vitit 1997. Pikërisht këto ngjarje jo vetëm e kthyen procesin mbrapsht, por shkaktuan një vonesë të projektuar të anëtarësimit në Europën e Bashkuar. Tanimë çdo hap në lidhje me Shqipërinë do të hidhej me një kujdes të jashtëzakonshëm, pas një vargu të gjatë raportesh e raport-progresesh, sepse në mënyrën si funksionon Europa e Bashkuar është që më parë të zgjidhë problemet, pastaj të avancojë pozitën e kandidatit.
Këto ditë është folur e shkruar se në Tiranë njoftimi i Strasburgut për mundësinë e kandidimit të Shqipërisë në dhjetor u prit pa ndonjë entuziazëm. Kjo është e vërtetë dhe ka shpjegimin e vet. Sepse në Shqipëri të gjitha gjërat bëhen me vonesë. Dhe kur bëhen me vonesë, u humbet solemniteti dhe gëzimi. Hapi më i rëndësishëm drejt Europës së Bashkuar, që prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit, ishte ai i datës 10 tetor. Por ky hap u përshëndet me fishekzjarrë gati si tinëz, në prag të mesnatës. Dhe ky hap u hodh pikërisht në kohën kur në vend u shfaqën dhe faktorë antieuropeistë, edhe pse pa ndonjë konsistencë të madhe. Shumë vonë, kur dihet se shqiptarët njiheshin si populli më filo-perëndimor qysh në vitet 1990.