EVIS NASTO


“Fitoren socialistëve nuk do t’ua rrëmbejnë kurrë më” kur po dëgjoja burrin e gjatë të selisë rozë teksa artikulonte këto fjalë në konventën zgjedhore të FRESH me një buzëqeshje në tentativë, që ngjasonte më shumë si një stampë në buzë, m’u duk se pata një deja’ vu. Kështu ishte shprehur edhe në qershor të 2009-s, edhe në maj të 2011-s dhe tani kur u duk se po frynte era e zgjedhjeve të parakohshme. Ky artikulim ngjasonte më shumë sesa me dogmën e radhës në gojën e një politikani, por me frazën e dëshpëruar të një udhëheqësi që rreket të frymëzojë ithtarët e tij paçka se flaka e besimit ndër radhët e tyre ka nisur të venitet. Këtë nuk e them vetëm për pritjen e gjatë të deputetëve që prej 8 vjetësh nuk po e shijojnë dot pushtetin, por për njerëzit e thjeshtë, mbështetësit e të majtës me ose pa teserë. Ata, të cilët shpresojnë që me ndërrimin e pushtetit mund të ndryshojë diçka, apo që mjaftohen edhe me daljen nga qoshja e ndonjë institucioni  ku janë strukur prej kohësh në pritje që partia “e tyre” t’i riafirmojë. Por gjasat po zbehen ndërsa besimi i vetëm i socialisteve është te rotacioni i vetvetishëm i 2013 ashtu sikurse ndodh në çdo vend demokratik, por a është shteti shqiptar kaq demokratik? A e ka mësuar klasa jonë politike kapitullin e humbjes në historinë e këtyre 20 viteve? Kur dëgjon deklaratat e Berishës për pushtetmbajtje të përjetshme, apo kur kujton zgjedhjen e Ramës për të mos iu larguar skenës politike edhe pse në statutin e partisë pas humbjes së zgjedhjeve duhet të jepte dorëheqjen, të duket e vështirë ta besosh. Këta politikanë nuk e kanë kuptuar ende sesa kohë që nuk pranojnë të humbasin as nuk mund të fitojnë… Opozita veçanërisht nuk e ka kuptuar që të mosbërit opozitë nuk dëmton vetëm interesat e ngushta fitimprurëse në radhët e socialistëve, por edhe të gjithë shqiptarët sa kohë që ka forcuar despotizmin e pushtetarëve. Përmes parimit aksiomatik të të kundërtave që legjitimojmë ekzistencën e njëra-tjetrës mund të themi se:


Sot nëse vendi rrezikon marrjen e statusit në Bashkimin Europian është jo vetëm, sepse shumica nuk arriti të ofronte një kandidat të mirëfilltë konsensual pa sfondin e angazhimit të tërthortë politik porse edhe opozita me vullnet të plotë, sa kohë e kishte të mundur, nuk bëri publik gjatë procesit asnjë emër. Emër i cili mbase nuk do ta fitonte mbështetjen e mazhorancës, por do të justifikonte të majtën në sytë e publikut se dhe ajo u përpoq ashtu sikurse koalicioni qeverisës i cili përdori kandidate si Zaganjori dhe Hoxha si tregues të përpjekjes së mazhorancës për të ofruar konsensus.


Sot nëse shqiptarët ndihen të përdorur nga politika është jo vetëm, sepse qeveria i bën ftesa posaçërisht qytetarëve për mitingje festive ku trumbeton arritjet e saj, por për shkak se dhe opozita ka treguar se di t’i nxjerrë në shesh po këta qytetare vetëm për të inskenuar rrëzimin e dhunshëm të qeverisë.


Sot nëse besimi te ndryshimi i situatës është bjerrë në radhët e njerëzve të ndershëm që nuk kanë domosdoshmërisht një lidhje të drejtpërdrejtë me politikën, është jo vetëm, sepse kjo mazhorancë po flet gjithnjë e më pak në emër të tyre, por për shkak edhe të opozitës e cila i ka shndërruar togfjalësha të tillë si “ngarkesë fiskale e padrejtë”; “Shqipëria në humnerën e krizës” apo “një milion të papunëve që nuk kanë mundësi të sigurojnë një jetesë dinjitoze” në shprehje të retorikës politike, të cilat dëgjohen rrëshqanthi nga veshët tanë.


Sot Shqipëria është vendi i vetëm në Ballkan që vuan nga mungesa e unitetit, jo për shkak të konflikteve etnike dhe as më pak nga bashkëjetesat e vështira fetare, por si rrjedhojë e natyrës konfliktuale të klasës politike shqiptare, sa kohë që opozita dhe mazhoranca nuk kanë ditur të bashkëpunojnë për të mirën e këtij vendi.


Nuk synoj të ngarkoj peshën e përgjegjësisë tek opozita për të lehtësuar supet e mazhorancës, por as të legjitimoj artikulimin e lidershipit socialist i cili faturën e dështimeve të radhës, që duhet ta paguajmë të gjithë, e lë në fund pa firmën e tij duke ia dorëzuar ekskluzivisht qeverisë. Por as nuk po kërkoj fajtorin nominal, sepse dihet që gjithmonë ngelet jetim. Në këtë rast do të vinte për shtat të citoja nobelistin rus, Xhozef Brodski, i cili shkruante se “Një njeri i lirë nuk fajëson askënd në qoftë se dështon”. E pra kjo shprehje vlen dhe për shtetasit e një shoqërie demokratike dhe për vetë klasën politike, të cilët duhet të lënë mënjanë konceptin e fajësisë, por të mësojnë të mbajnë përgjegjësi për fatin e shoqërisë që kanë dashur vetë ta udhëheqin. Por ç’mund të bëjë një opozitë në fund të fundit kur qeveria ka dhe gurin dhe arrën mund të pyes dikush…


Nëse nisemi nga dispozitat e një shteti demokratik, mjafton të kujtojmë se rolin e rëndësishëm që ka çdo opozitë. Ato janë të zgjedhur nga populli si përfaqësues të tij dhe si të tillë, edhe pse në minorancë, duhet të kujdesen për të drejtat e elektoratit që i ka votuar. Këta të zgjedhur janë vigjilentë në ruajtjen e sistemit, duke monitoruar zbatimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave njerëzore, ku për çdo shkelje apo fshehje të fakteve nga ana e qeverisë, opozita e bën publike në foltoren e Parlamentit. Madje, në vende ku sistemi është shumëpartiak, partitë opozitare përpiqen të bashkojnë zërin e tyre për çështje që paraqesin rëndësi të veçantë. Pra është më se e qartë që funksioni i opozitës është më shumë se vital në zhvillimin e shëndetshëm të demokracisë dhe mbrojtjen e interesit publik. Në qoftë se opozita do të ishte kujtuar për këtë paragraf ku flitet për rolin e saj në mbështetje të demokracisë, atëherë gjykoj se do të kishte shmangur 2 vitet e kaluara jashtë Parlamentit, ose të paktën duhet të kishte qenë më konseguente në rrugën radikale që zgjodhi për të ndjekur kauzat e saj. Apatizmi i opozitës ka ushqyer megalomaninë e kësaj mazhorance dhe në këtë rast sikurse thoshte Platoni, “ndëshkimi i një njeriu të mençur, i cili refuzon të marrë pjesë në institucionet demokratike, është të jetojë nën ombrellën e një qeverie njerëzish jo të mençur”