ALEKSANDËR ÇIPA
“Kur kundërshtari lëvdon publikisht ‘oponentët’ e vet, atëherë beso se në mos një kurth, së paku diçka po i gatitet atij”. Ky konstatim më erdhi në mendje menjëherë, sapo Kryeministri Berisha në fjalën e vet para gazetarëve, botuesve dhe administratorëve të medias në Tiranë nisi t’u riprodhonte tekstin fejtonal të Faik Konicës, i cili u shkrua enkas për një sipërmarrës shqiptar të një gazete jashtë Shqipërisë, e cila do t’u përkiste shqiptarëve. Leximi i fejtonit deontologjik para gazetarëve erdhi pas pohimit me vetëkënaqësi tradhtuese që Kryeministri bëri për mediat, duke i konsideruar ato: “Gjatë këtij mandati de facto ju, media, keni qenë opozita e vendit, një opozitë e shkëlqyer”…Vlera fejtonale e letrës së Konicës, në rastin e këtij lexuesi publik, duket se konvertohet në ironi. Ndërsa vlera prej leksioni e saj, mbetet në fuqi për gazetarët dhe jo më për fillestarët e një gazete.
Mirëpo edhe komplimenti, edhe referenca që mëtoi t’u servirë Kryeministri Berisha botuesve, gazetarëve dhe gjithë skotës së profesionistëve mediatikë në Shqipërinë e 2012-s, duket se bien ndesh me një realitet dhe me një etapë, në të cilën ka mbërritur zhvillimi i medias dhe gjeneratave të profesionistëve shqiptarë. Kjo ka ndodhur tash e 22 vjet, në Shqipërinë e dominuar politikisht nga politikani më i vjetër i skenës që mban emrin e Kryeministrit që zotëron shumëçka në këtë vend…
Referenca të cilën zgjodhi për të na sjellë nga Konica zoti Kryeministër, bie ndesh me realitetin në të cilin është krijuar një periudhë e re historike e themelimit dhe zhvillimit të spektrit mediatik shqiptar. Kjo përvojë ka vlerën dhe kumtin e një shkolle ndryshuese nga tradita e zymtë që gjeti dhe ajo e lënë larg si trashëgimi, për shkak të sistemit komunist. Ndërsa shkolla që u krijua në këtë periudhë 22-vjeçare, po përballet tashmë me një stanjacion, me një krizë të thellë besimi dhe vlerash, me një fenomen alarmant përdorimi abuziv në formë të shërbestarisë dhe bindjes politike, por edhe të korruptimit dhe zënies përmes mjeteve mit-marrje-dhënëse. Pronarët dhe gazetarët po përpëliten nën pushtetin e fuqishëm të Kryeministrit, nën kthetrat e tmerrshme të ekzistencës financiare dhe falimentit të papranuar, por të paekzekutuar ligjor.
Kryeministri është i kënaqur me këtë opozitë “të shkëlqyer”, e cila është evidentisht në masën më të madhe më e kapur se kurrë ndonjëherë në jetën 22-vjeçare të saj dhe në masën më të vogël e varfër deri në pikëllimë. Natyrisht nuk është e kapur vetëm prej tij, por prej krejt rrethanave të krijuara, në shumicën e aspekteve përmes protagonizmit dhe dijenisë së tij të kujdesshme. Si mund të deklarohet një opozitë e shkëlqyer një media kaq e varfër, ndonëse teknologjikisht jo e tillë? Lëvdim apo ironi ndaj realitetit është kjo? Si mund të jenë opozitarë të shkëlqyer kaq gazetarë të pambrojtur në fatin e tyre social, por edhe në atë partnerial? Si mund të jesh i qetë dhe aq më tepër i lëvduar prej një kryeqeverisësi, i cili u lëvdohet “gjuetarëve të gabimeve” të tij, duke i quajtur zëvendës të opozitës politike? Si mund ta lexosh kumtin e lëvdatës kryeministrore në momentin kur misioni real i medias së sotme po përdoret si alibi për opozitën politike?! Pse ky cinizëm në një ditë urimi në pallatin presidencial, nga Kryeministri për mediat e një vendi? Pse vlen fejtoni deontologjik i Konicës, e shkruar për një rishtar mediatik, të lexohet para një gjenerate që ka 22 vjet në median e lirë, plot sukses, dhimbje dhe peripeci tranzicioni?
Kryeministri i përshëndeti të gjithë punonjësit e të gjitha niveleve të shtypit të shkruar dhe atij elektronik. Një përshëndetje e cila vjen në ditë dhe orë të zymta të ekzistencës së tyre. Në shtatë vjet të qeverisjes së Kryeministrit, ky është viti me tregueshmërinë më të rëndë të varfërisë së mediave të vendit. Nga 25 gazetat e përditshme, vetëm katër prej tyre ia dalin të paguajnë me korrektesë, por me vështirësi të tmerrshme pagat e stafeve të redaksive dhe punonjësve të tyre. Disa prej këtyre gazetave financiarisht kanë kohë që kanë vdekur, por poseduesit dhe Kryeministri bëjnë “sikur nuk i thonë njeriu”. Ndërkohë që në gati 85 për qind të të gjithë mediave të vendit, pagat mujore vijojnë të ripërsërisin vonesat, duke nisur nga një muaj deri në tre e më shumë. Gjithë numri i punonjësve të spektrit mediatik të vendit, i cili shkon deri në 5000 vetë, rezultojnë të siguruar në vijimësi, gjatë shtatë viteve të fundit, me paga minimale dhe shuma qesharake të krahasuara me ato të rojeve në firmat private të sigurisë, të cilëve paga zyrtare nuk u shkon dot tek 250 dollarët. Vetëm gjatë këtij viti kanë falimentuar praktikisht katër ekrane televizive dhe falimenti i tyre mbahet peng e injorohet, duke u linçuar për muaj e vite gjithë stafet e tyre dhe masat e të punësuarve në to. Asnjë lajm dhe asnjë deklarim publik, për këtë vdekje normale, por edhe dhimbje që tejzgjat për shkak dhe meritë të realitetit informal që trashëgojmë si në fillesë të tranzicionit. Ka media dhe sidomos ekrane, me rezonancë kombëtare që prej muajsh përpëliten në ankthin dhe angushtinë e mospasjes së mundësisë për paga një herë në dy apo në tre muaj. Kjo tablo, sipas Kryeministrit, lartëson pluralitetin e mediave. Pluralitet formal dhe i varfër në përmbajtje, apo thjesht fasadë dhe pa forcë funksioni zhvillues dhe veprues. Në të vërtetë, kjo tablo, plotëson fatkeqësisht një tjetër pikë të mosarritjes së standardit për statusin e vendit kandidat për BE. Kjo panoramë jep vetëm idenë e plotë të një standardi shqiptar që nuk përqaset me standardin europian dhe atë perëndimor.
Pluraliteti, të cilin konceptualisht e çmon para gazetarëve Kryeministri, është vlerë. Por një pluralitet i bastarduar deri në anarki, apo skenë pa rregulla dhe norma, pa kritere dhe hierarki vlerash, pa sistem dhe i bazuar mbi bindshmërinë dhe deformimin matanë inteligjencës dhe integritetit të individit profesional, është një fatkeqësi dhe realitet që favorizon vetëm bjerrjet. Ky model i mediave fatkeqësisht vlen vetëm për bjerrjen morale dhe për misionin si shërbestari koniunkturash. Ky model që po tmerron dhe nervozon qytetarin dhe shoqërinë në përgjithësi, ka kohë që është konvertuar më së shumti në mekanizëm që gjeneron rrënim të sistemit, të së drejtës ligjore e asaj morale dhe po krijon marrëdhënien e urryer të pabesueshmërisë dhe keqtrajtimit të publikut. Në mënyrën dhe masën e tyre kryesore, informimi është shndërruar në një imazh i ri me përmbajtje të vjetër i propagandës neosocreale.
Për këtë pluralitet anarkik të mediave, pra të skenës mediale shqiptare e ka fjalën Kryeministri! Një pluralitet që, parë hollë-hollë, po merr formën tribale të një monopoli, si modeli ynë alla-shqiptar në përgjithësi. “Pa ligj e me Maliq”, ky pluralitet vijon procesin pronësues, duke u krijuar banalisht modeli i pluralitetit me një pronar. Në ç’vend dhe ç’vis të Europës Juglindore e gjen këtë model? Po marrim në referencë këtë vis gjeopolitik, për të mos rënë në reminishencë ironie si Kryeministri me ne, me vendet e BE-së. Kjo është opozita e shkëlqyer e jona, pra e mediave para Kryeministrit, në të cilat ne gazetarët jemi si “të pavarur” në varje.(!).
Fejtoni i Konicës në gojën e Kryeministrit, nuk është teksti këshillues i një politikani për gazetarin, por i një gazetari-editor për editorin. Rileximi publik që ju merrni përsipër të na bëni në një mbrëmje uruese për festat e fundvitit, është si t’i sugjerosh politikanit Berisha të nisë nga leximi i tekstit “Ç’është demokracia”. Gjeneratës së gazetarëve, editorëve, pronarëve dhe administratorëve të medias, të cilëve na u drejtove në Pallatin Mbretëror apo atë të Brigadave, (quaje si të duash), kur u servir Konicën, mos u kujto imunitetin të cilin Ju dhe klasa juaj politike e keqpërdorni si përmbajtje dhe e hoqët si formalitet.
Servirja “pedagogjike” e Kryeministrit ndaj gazetarëve, përmes fejtonit të Konicës, është një kumt me përmbajtje ironizuese për fatin dhe realitetin e sotëm të gazetarëve. Gaz-përqafimi i Kryeministrit me shumicën e poseduesve mediatikë, është qasja e vetme e sinqertë e tij ndaj gazetarëve të cilët, në Shqipërinë e kësaj gjendjeje, e fitojnë leksionin, duke rënë në fatin e Kryeministrit që u lexon kolektivisht fejtonin e 100 vjetëve më parë.