BESNIK GJONGECAJ 


Nëse 12 kriteret janë ato që e pengojnë shqiptarin t’i bashkohet pjesës tjetër të kontinentit, ai s’ka pse të mos imagjinohet si i burgosuri i pazakontë i shekullit të ri. Fakti që ai gjendet aty, prapa kritereve-hekura, për shkak të politikës së vetë shqiptarëve, është vetëm një pjesë e problemit, madje edhe pjesa lehtësisht e kuptueshme e tij. Më shumë se sa me shqiptarin dhe politikën e këtij vendi, pjesa tjetër e problemit lidhet me të huajt, veçanërisht me ata që janë angazhuar në monitorimin e statusit të Shqipërisë në raport me BE. Gjakftohtë, me pamje të ngrirë dhe jo rrallë me gjuhë të drunjtë, të parashikueshëm po aq lehtësisht sa mund të parashikohet përkushtimi i njerëzve që paguhen për zgjidhjen e problemeve të të tjerëve dhe e marrin pagën pavarësisht nga suksesi apo disfata e kësaj zgjidhjeje, burokratët e BE kanë kohë që flasin për kritere, 12 të tilla ekzaktësisht, të cilat nënkuptohen të jenë të hekurta, inerte (të panegociushme), të serta. Flasin për to si për një stekë që duhet kaluar me kusht që të mos e rrëzojnë atë, si për një garë kuajsh ku fitorja varet vetëm nga kohëmatësi, si për një ngjitje alpinistësh në një mal lartësia e të cilit s’ka asnjë lidhje me vetë alpinistët… Pothuajse pa asnjë përjashtim, ata harrojnë se prapa 12 kritereve është shqiptari, një nga banorët më të komplikuar të kontinentit po aq sa edhe banori më fatkeq i tij.


 


* * *


Që ta bëjnë procesin e afrimit (accession) të Shqipërisë drejt BE një proces të matshëm, burokratët e BE i kanë detajuar, nga njëra anë, ashtu sikundër i kanë mirë adresuar për realitetin shqiptar, nga ana tjetër, kriteret përgjithësuese të marrëveshjes së Kopenhagës të vitit 93. Metodikisht, kjo gjë i ka ndihmuar të dallojnë se çfarë është dhe çfarë nuk është realizuar brenda tri grup kritereve të Kopenhagës: kriterit politik, kriterit ekonomik dhe atij të përputhjes së kapaciteteve të vendit me ato të BE (kriteri ligjor). Ashtu sikundër, po për shkak të metodës që “nuk të fal”, janë zbuluar të paktën tri probleme të vetë Raportit: e para, mungesa e një vije të qartë përtej së cilës qeverisja e këtij vendi ka përgjegjësi në vonesën e procesit, si dhe, mosevidentimi i përpjekjeve të saj për ta bërë sa më formalist, sa më pak thelbësor, këtë proces; e dyta, karakteri jorealist i Raportit në një pjesë të konsiderueshme të tij; dhe së fundi, shkëputja e formës së trajtimit të gjërave në Raport nga qytetari i thjeshtë i këtij vendi. Kështu, duke iu referuar Qeverisë (qeverisjes), Raporti evidencon se ka progres në punën e saj sepse është rishikuar plani i veprimit në përputhje me prioritetet, sepse ka pasur një bashkëpunim midis kryetarit të Komisionit Parlamentar dhe ministres së Integrimit, dhe kaq. Më tutje, në përmbledhjen e kësaj pjese, flitet për nevojën e përmirësimit të legjislacionit në përputhje me atë të BE si dhe për nevojën e një decentralizimi më të mirë të pushtetit lokal. Kaq! A mund të flitet kaq pak, kaq sipërfaqësisht, për qeverinë e këtij vendi?! A nuk është kjo e çuditshme për çdo banor të shtëpisë sonë të përbashkët? Përpara se të ulërasin ata që merren me këto punë, do të më duhet të vazhdoj edhe pak. Në asnjë kapitull tjetër të raportit nuk flitet më për qeverinë, në kuptimin e përgjegjësisë konkrete të saj në proces. Madje, edhe kur flitet për politikën (policy) antikorrupsion, përgjegjësia e qeverisë kufizohet në mosbotimin e rregullt të planit të veprimit nga ministritë e linjës (vini re: mosbotimin!?) si dhe në faktin që Departamenti i Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit nuk ka bërë progres, sepse nuk ka qenë i pavarur (nga kush?! Shën. i imi), nuk ka kapacitetin administrativ (pse?! Shën. i imi) dhe nuk ka autoritetin e nevojshëm (pse?! Shën. i imi). Duke vazhduar me natyrën jorealiste, pra së dyti, Raporti dështon tërësisht të jetë realist kur flet për arsimin dhe shkencën, por jo vetëm. Ai e quan progres në luftën kundër korrupsionit dixhitalizimin e provimit të maturës, ndërkohë që, nuk besoj të ketë mbetur njeri në këtë vend të mos e dijë se kopjimi i zgjidhjeve nëpërmjet SMS-ve që vinin nga jashtë sallave të provimeve ishte fenomen masiv, çka e nxori brutalisht procesin e provimeve të maturës nga shinat e standardeve. Në Raport shkruhet se “pavarësia e agjencisë së akreditimit është përmirësuar dhe janë bërë përpjekje për vlerësimin e institucioneve të arsimit të lartë”, gjë që është absolutisht jo e vërtetë. Për këtë është e mjaftueshme të lexosh Ligjin e Arsimit të Lartë, në nenin 60 të të cilit thuhet se “ministri i Arsimit emëron anëtarët e Këshillit të Akreditimit…” dhe se “kryetari i Këshillit të Akreditimit emërohet dhe shkarkohet nga Kryeministri”. A mund të thuhet që kemi të bëjmë me një Këshill të pavarur?! Ashtu sikundër, edhe në të gjitha rastet e tjera, strukturat ndërmjetëse në sistemin e arsimit të lartë janë nën kontrollin e qeverisë. Në këtë ekzistencë ligjore, pra nën kontrollin e qeverisë, i kanë strukturat ndërmjetëse si Këshilli i Arsimit të Lartë, Komisioni i Vlerësimit të Titujve, Konferenca e Rektorëve, Fondacioni ose Agjencia për Shkencën, etj. shkruesit e këtij Raporti në vendet e tyre? Jo, sigurisht. Në vendet e tyre, këto struktura janë të pavarura nga qeveritë po aq sa edhe nga universitetet. Për Shqipërinë duhet të ndodhë ndryshe, shkruhet, as më pak dhe as më shumë, në Raport. Së treti, kur lexon Raportin të krijohet ashtu spontanisht, pa e kuptuar fare, përshtypja se në të nuk flitet për shqiptarin, madje Raporti sikur nuk ka lidhje fare me qytetarin e këtij vendi. Autori i këtij shkrimi ka eksperiencën e nevojshme të kuptojë stilin, formën shabllon nëpërmjet të cilës përcillet përmbajtja e raporteve të burokratëve perëndimorë, ashtu si në rastin e Raportit në fjalë. Por, Shqipëria është një rast specifik dhe të kuptosh këtë, është thelbësore për ata që e monitorojnë atë. Në Raport mund të shkruhet që është bërë progres në arsimin e lartë, por ata që merren me universitetet në Shqipëri e dinë gjendjen skandaloze në të cilën ndodhen ato. Dhe jo vetëm si të tilla, pra si institucione, por se si, tragjikisht, në vend të edukimit të rinisë, janë shndërruar në qendra informaliteti, ku fabrikohen nota, diploma dhe ku inxhinierohet njeriu i së ardhmes ashtu si nuk duhet të jetë. Në Raport mund të shkruhet që është bërë disi progres në fushën e shëndetit, por të gjithë shqiptarët e dinë se të trajtohesh sot në spitalet e këtij vendi duhet të shkosh me para në dorë, në të kundërtën, të lënë të vdesësh pa pikën e mëshirës. I kam parë njerëzit, shqiptarët e thjeshtë, tek vrapojnë korridoreve të spitaleve me para në dorë për të blerë gjak, ilaçe, serum, bisturi; të gjitha ato që qeverisja e këtij vendi duhet t’ia kishte siguruar të qeverisurve, së paku.


 


* * *


Procesi i afrimit të Shqipërisë drejt BE do të mund të kuptohet në thelbin e tij vetëm nëse analizohet fuqia (pushteti ose power) që e vë në lëvizje këtë proces, madje, jo pushteti në vetvete më shumë se sa kujt i takon pjesa më e madhe e tij (BE apo Shqipërisë). Qartësisht, pushteti prej të cilit merr energji procesi i afrimit të Shqipërisë me BE, pavarësisht frazës së drunjtë se “është në dorën e Shqipërisë të bëhet pjesë e BE”, i takon vetë BE, sepse janë burokratët e saj që e kuadrojnë procesin në formën e kritereve. Thjesht, BE, duke pasur kontrollin mbi formulimin e kritereve dhe mbi zbatimin e tyre, ka edhe pushtetin më të madh në proces. Kjo nuk do të thotë që afrimi i Shqipërisë me BE varet vetëm nga kjo e fundit. Jo, pjesa shqiptare ka përgjegjësinë e saj pa plotësuar, të cilën, procesi nuk mund të finalizohet. Prandaj edhe shtërzon prej kaq kohësh. Vetëm se nuk është kaq, por shumë më tepër. Evidencimi i faktit se procesi i afrimit të Shqipërisë me BE është i varur nga kjo e fundit edhe më shumë se nga vetë shqiptarët, zbulon përgjegjësinë e madhe që kanë burokratët e BE jo vetëm në cilësinë e realizimit të procesit, por, mbi të gjitha, në shpejtësinë dhe finalizimin e tij. Balancimi formal i gjendjeve (është bërë përparim, por duhet të bëhet edhe më shumë), kalimi i problemeve në gjendje “gjysmë” apo “pak” të zgjidhur duke ditur që ato ose janë ose nuk janë zgjidhur, lënia pa autor e mekanizmave që po e gërryejnë politikën dhe demokracinë e këtij vendi (korrupsioni, stabiliteti informal i institucioneve dhe mbi këtë bazë, edhe balancimi jo demokratik i pushtetit të tyre nëpërmjet formës autoritariste të qeverisjes së vendit), eliminimi nga Raporti i perceptimit të realitetit nga qytetarët e këtij vendi, dhe pastaj, mbi të gjitha, mungesa e realizmit apo edhe më keq, pranimi i një standardi tjetër që nuk është i aplikueshëm nga BE por konsiderohet si hap përpara për Shqipërinë, (raportimi i maturës si progres apo i Këshillave të Akreditimit si institucione të pavarura), e vë BE përpara një përgjegjësie të veçantë në raport me Shqipërinë dhe akoma më shumë, në raport me shqiptarët. Rezultat i përdorimit të gabuar të pushtetit që burokratët e BE kanë mbi procesin e afrimit të Shqipërisë, as më shumë dhe as më pak, legjitimon “rrjedhjen” e ngadaltë të tij, kohën e gjatë dhe pse jo, edhe humbjen e pritshme të interesit të shqiptarëve mbi të. E keqja më e madhe, gjithsesi, qëndron në atë se sa më shumë zgjatet procesi, aq më shumë rriten shanset e pranimit të qeverisjes së keqe nga vetë shqiptarët. Një proces i zgjatur dhe jo rrallëherë i mjegullt, i paadresuar mirë, vetëm se i jep hapësirë dhe “oksigjen” një regjimi që po formësohet gjithmonë e më shumë në këtë vend.