Zamira Çavo – Pavarësisht debateve të forta teorike mbi “të majtën” e “të djathtën” politike, realiteti shqiptar ka diktuar në këto 20 vite një bipartitizm të dukshëm e të ndjeshëm. Por realiteti shqiptar pas 23 qershorit, na sjell përpara disa probleme që sigurisht meritojnë të studiohen. Në spektrin e majtë, sikundër tashmë njihet kudo në botë, rreshtohen parti të afërta me filozofinë e mbështetjes së shtresave në nevojë, grupeve sociale të ndryshme, krijimin e mundësve reale për ringritjen ekonomike e sociale të grupeve të ndryshme. Me Programin e saj, Partia Socialiste dukshëm dallohet për një qasje të majtë. Por demokracia kërkon domosdoshmërisht këndvështrime të ndryshme ideologjike, filozofike pra dhe politike. Përderisa e majta është qartazi e artikuluar, detyrimisht (jo thjesht për opozitizëm) duhet artikuluar po kaq qartazi dhe e djathta. Në këto 23 vite, partitë politike shqiptare kanë eksperimentuar forma hibride ideologjish, politikash dhe strategjish, të cilat kanë rezultuar jo të suksesshme dhe shpesh të dëmshme për zhvillimin e vendit. Nga përvoja botërore demokracia ka ndjekur zhvillimin e një rrotacioni gati të qëndrueshëm të pushtetit politik mes së majtës dhe së djathtës. Arsyeja duket e thjeshtë: Ndërsa e djathta krijon mundësi të mëdha të zhvillimit ekonomik, (duke ulur taksat për biznesin e madh dhe duke krijuar lehtësira për to), por duke rritur shkallën e pabarazisë, e majta bën pikërisht të kundërtën, u jep mundësi të mëdha grupeve shoqërore të përfitojnë nga politikat sociale dhe ekonomike duke zvogëluar pabarazinë. Kështu ka ecur drejt progresit bota e qytetëruar. Ndaj partitë politike në Shqipëri kanë nevojë të reformohen pikërisht sipas lojës që vetë demokracia krijon për zhvillimin e tyre. Kjo do të thotë se Shqipëria ka nevojë urgjente dhe për reformimin e Partisë Demokratike si parti e spektrit të djathtë të politikës. Dhe mendoj që secili prej nesh ka të drejtën të japë mendimin e tij për këtë reformim, sepse si e kam thënë dhe herë të tjera, Partia Demokratike është aset i demokracisë dhe i vendit. Partia Demokratike ka nevojë për një analizë të thellë programore, organizative dhe ideologjike.
Së pari: Nuk mund të ketë reformim pa një analizë tërësore brenda strukturave të Partisë Demokratike. Por që të arrihet një analizë e tillë, ka nevojë për Liri. Liri mendimi, gjykimi dhe vlerësimi. Deri më sot, për 23 vite, Partia Demokratike është udhëhequr nga një individ që ka pasur një pushtet absolut mbi të. Pushteti i “njëshit” nuk është pushteti i Liderit, pasi lideri, krijon liri mendimi dhe pranon ndryshimet. Berisha krijoi Kultin e tij në këtë Parti. Ky kult duhet shkulur nga rrënjët. Nëse vazhdohet me idenë se Berisha është i paarritshëm, gjenial, e duam përjetë në krye etj. naivitete militaneske si këto, Partia Demokratike do të humbasë rrugën drejt demokracisë. Për aq kohë sa Berisha nuk qëndron larg partisë, pra për aq kohë sa Berisha nuk shkon me pushime për një kohë relativisht të konsiderueshme, “hija” e tij nuk do të krijojë asnjë hapësirë për liri mendimi. Frika nga “njëshi” është ngulitur thellë në Partinë Demokratike. Me aq sa duket, ata që mundohen ta kritikojnë Berishën, qoftë dhe duke përdorur “puplën” kanë filluar të anatemohen nga “militantët” besnikë të “Partisë”. Sikundër shihet Partia Demokratike është në një udhëkryq historik. Që të marrë një rrugë të re, i duhet domosdoshmërisht një analizë e thellë dhe e pakompromis me vetveten.
Së dyti: Partia Demokratike ka nevojë për reformimin programor. Në këto vite qeverisje kjo parti me politikat e saj është lëkundur pa asnjë orientim programor, sa majtas-djathtas, duke mos u përshtatur me nevojat e grupimeve të mëdha sociale në vend. Kjo do të thotë se qeverisja “Berisha”, është lëkundur mes politikave populiste (për të ruajtur idenë e kultit të tij si lider popullor) dhe mbështetjes pa asnjë kriter të klaneve të biznesit, të afërta me familjen e tij. Ky “lloj” programi i ka bërë një dëm shumë të madh jo vetëm vendit, por edhe vetë Partisë Demokratike, e cila rezulton e mbështetur nga grupime tepër amalgame, por që kanë në themel ose përkatësinë krahinore, ose afërsinë me klanin. Shumë anëtarë të Partisë Demokratike, janë ndier të tradhtuar nga kjo parti. Ish të dënuarit politikë, pronarët dhe një pjesë e bizneseve të mëdha, mbetën jashtë “programit” të kësaj partie. Ndaj dhe mjaft anëtarë të kësaj partie iu bashkuan partive të tjera, ndonjëherë dhe me spektër të dukshëm të kundërt politik. Pra kjo parti ka nevojë të riformatohet në programin e saj qartazi djathtas, me mbështetje të qartë sociale, me pozicionim të dukshëm. Realisht në këto tre vitet e fundit, Berisha ka treguar se kopjon shumë keq, e me shumë vonesë, hapat e hedhura nga Partia Socialiste. Po të shikosh veprimet e tij nuk mund të mos vesh re vonesën që ai tregon në rrokjen e të rejave të zhvillimit. (A nuk anatemoi “Twitter”-in e Ramës dhe shumë më vonë e zëvendësoi me “Facebook”-un e tij? A nuk anatemoi, me vite, qëndrimin e Ramës si kryetar bashkie dhe kryetar opozite njëkohësisht, dhe tani ndjek po atë rrugë duke mbështetur Bashën për postin e kryetarit të opozitës vetëm se mund ta komandojë atë? Të mos flasim më tej për programet ekonomike, shëndetësore, arsimore etj., etj.)
Shkaku i kësaj “rrëmuje” është padyshim dyzimi politik i “njëshit” të Partisë Demokratike. Ky dyzim, mes një “sekretari të Partisë së Punës” dhe një “antikomunisti” nuk krijoi dot figurën e një lideri politik të pozicionuar qartazi në spektrin politik. Ndaj largimi nga ky model, është padyshim një kërkesë historike e reformimit të së djathtës shqiptare. Sa kohë që Berisha dikton vullnetin e tij në programet e kësaj partie, shpresa se kjo parti do të marrë drejtimin bashkëkohor të politikës demokratike, është e zbehtë!
Së treti: Partia Demokratike ka nevojë për një reformim organizativ. Sigurisht duke mos qenë pjesë e brendshme e kësaj partie, është vështirë të përcaktosh qartazi nevojat e saj. Por nga historia vjen dukshëm një mësim: organizimet e brendshme të partive bëhen sipas rregullave të përcaktuara dhe jo diktateve personale. Për sa kohë që një individ ushtron “pushtetin e tij absolut” brenda strukturave të një partie, kjo parti nuk mund të quhet kurrsesi Demokratike. Dora e dukshme e Berishës, sot është qartazi në sytë e gjithë opinionit publik. Kjo dorë, që mundohet të mbajë pushtetin me thonj e me dhëmbë, padyshim po përzien ujërat në reformimin organizativ të Partisë Demokratike. Ndaj kjo parti sot më shumë se kurrë mbetet në mëdyshjen: me Berishën apo pa të! Dhe nuk është fjala thjesht për largimin e Berishës. Askush nuk e ndalon Berishën të jetë anëtar i Partisë Demokratike, por të gjithë duhet ta “ndalojmë” atë, të jetë kryetar i saj.