LEONARD BODURI
Për të kuptuar më mirë se ku kemi dashur të shkojmë gjithë këto vite tranzicioni, kemi përdorur emrin “Europë”. Europa ka përfaqësuar të gjitha ëndrrat, shpresat dhe të ardhmen. Për hir të Europës shqiptarët mund të bëjnë çdo gjë. Ata mund të luajnë teatër me veten dhe me të tjerët. Mund të miratojnë ligje apo të ndryshojnë edhe Kushtetutën për t’u dukur pak më shumë europianë. Mund të pranojnë një realitet të zymtë, por me kusht që të ketë nga jashtë një paraqitje të bukur për Europën. Mund të tolerojnë shkeljen e të drejtave të tyre, vetëm për t’u dukur më të qytetëruar. Citatet e përfaqësuesve të BE-së kanë gati-gati peshën e librave të shenjtë, për politikanët dhe vendimmarrësit. Nga një ëndërr e mohuar tashmë, Europa është kthyer gati në një objekt idhujtarie. Në fakt kjo përpjekje afrimi me çdo kusht i ngjan më shumë një zvarritjeje drejt jo-Europës (e kundërta perfekte) sesa destinacionit ku ne jemi nisur të shkojmë dhe nuk kemi sosur.
Në parim nuk kemi asgjë kundër drejtimit të synuar, por nuk mund të rrimë të heshtur për itinerarin e ndjekur. Ferdinand Magelani ndoshta do të ndihej i lehtësuar nga batutat e shumta në kurriz të tij, nëse do të kishte mundësi të shihte hartën e lëvizjes së Shqipërisë drejt Europës. Komunikimi i shqiptarëve me europianët, i shoqëruar me një ndjenjë të lartë servilizmi dhe mungesë idesh e dinjiteti, ka qenë aspak i dobishëm dhe shumë hipokrit. Në një klimë mosbesimi tepër të acaruar midis palëve që duan të mbajnë frerët e pushtetit, është zhvilluar një debat i vazhdueshëm jo mbi problematikën reale të vendit, por mbi përmbajtjen e raporteve të ndërkombëtarëve dhe të misioneve të BE-së. Në 99 për qind të raporteve të publikuara në anglisht, gjuha e përdorur dhe rekomandimet e shkruara janë aq të qarta dhe aq të dobishme sa ç’mund të jetë fizika kuantike apo matematika e aplikuar për fëmijët e kopshtit. Kjo diplomaci e tepruar është e paevitueshme, për shkak të rutinës që karakterizon gati të gjitha institucionet ndërkombëtare.
A mund të dinë komshinjtë më mirë problemet që ka shtëpia, përveçse mund të kenë pak njohuri kur ato janë të dukshme që prej së largu? A mund të dinë europianët më mirë se qytetarët shqiptarë, se ku pikon çatia e tyre e përbashkët? A do të na pranojë ndonjëherë Europa si të denjë për të, nëse vendi do të jetë i paaftë për të arritur standarde dhe do të vazhdojë të lëkundet në një itinerar të mjerë? Të gjitha pyetjet e mësipërme kanë një përgjigje të përbashkët: një “jo” të prerë. Prandaj na ka ardhur në majë të hundës proklamimi i vazhdueshëm dhe pa kuptim i prioritetit për integrimin në Bashkimin Europian. Nga ecuria e deritanishme më shumë duket se vendi po shkon drejt jo-Europës sesa drejt standardeve europiane. A mund të pranojmë për hir të integrimit europian pabarazinë e votës së qytetarëve, nga një qark i vendit në tjetrin, për shkak të një ligji elektoral, miratimi i të cilit “me konsensus” mund të na japë statusin e kandidatit për në Europë? A mund të jemi të kënaqur me nivelin e transparencës së burimit të fondeve që financojnë partitë politike në fushatat elektorale, gjë e cila mund të kërcënojë seriozisht integritetin e vendit? A mund të hedhim fishekzjarrë për mbizotërimin e tipologjisë “lepe-peqe” të deputetëve të Parlamentit të shqiptarëve, për shkak të aplikimit të listave të mbyllura që përdoren në sistemin feudo-demokratik dhe që u jep kryetarëve të partive politike pushtet papal? A mundet për hir të jo-Europës, pas gjithë këtyre problemeve themelore të sistemit republikan shqiptar, të na hyjë në punë marrja e statusit të vendit kandidat apo jo? Sa mund të na interesojë performanca teatrale për imunitetin, ku njëra palë lufton për heqjen e tij dhe tjetra e mbron me forcë, në pozicione përkatësisht të kundërta sipas pozicionimit të tyre ndaj pushtetit? Thelbi, problem madhor i korrupsionit, lihet në gjendje gjumi dhe nuk preket, duke ndenjur larg përpjekjeve për t’i gjetur barin shërues.
Problematikat e vendit të trashëguara jo vetëm nga e kaluara diktatoriale, por edhe nga barbarizmi postdiktatorial, mund të përballohen me anë të njerëzve me talent dhe aftësi, por efekti i nepotizmit të përhapur ka bërë të vetën në administratën shtetërore. Mbi të gjitha problemet qëndron vendosja e rregullave të drejta të lojës, të cilat ndryshojnë gjatë rrugës sa herë që u teket atyre që kanë pushtetin. Respektimi i rregullave të lojës do të thotë qytetërim dhe europianizim. Integrimi europian, batuta e zvargur aq shumë e pranishme në dialogët shqiptarë nuk është gjë tjetër veçse një konvencion i zbukuruar që përdoret në mënyrë të rëndomtë dhe vend e pavend. Zhvillimi i vendit dhe arritja e standardeve të Europës mund të arrihet vetëm pas një procesi të gjatë dhe me këmbë në tokë.
Nuk mund të ndodhë asgjë brenda një nate, sa hap dhe mbyll sytë, ngaqë do të marrim një opinion pozitiv nga europianët apo do të marrim statusin e kandidatit. Europa ka qenë dhe është këtu, që prej kohësh kur lulëzonin qytetërimet ilire së bashku me ato greke dhe romake, por niveli i komunikimit qytetar është akoma shumë larg nivelit të “Agorasë” së lashtë greke. Në rast se do të shkëputemi nga bota e ëndrrave dhe fantazive, atëherë do të jemi korrektë me veten dhe do të fillojmë të ndërtojmë më në fund pjesën tonë të Europës sipas shijes sonë, duke respektuar rregullat e lojës demokratike që janë vendosur shekuj më parë në kontinentin e vjetër…