E parandieja që ky titull nderi i dhënë Lulzim Bashës në Londër do të interpretohej në shumë mënyra në Tiranën e nxehur politike edhe nga fushata, por jo vetëm.
Sidomos pas ceremonisë së titullit, nuk doja të përfshihesha në këtë vorbull, jo se do të paragjykohesha, gjë për të cilën nuk është se s’më zë gjumi. Kurrsesi, por për shkak se e kisha thënë ndoshta edhe thatë, ftohtë dhe për së largu, aq sa duhej për atë lajm në kronikën që kam bërë për “Top Channel”, editorët e të cilit në Tiranë, pa asnjë paragjykim, e dhanë të plotë dhe me profesionalizëm, pa ndryshuar asgjë në kronikën që dërgova, përkundër paragjykimeve edhe në vetë stafin e Bashës.
Është normale që gjithkush, qoftë ai që ka ndjekur nga shumë afër mbulimin e asaj dite, qoftë edhe dikush mbi një mijë km larg Londrës, të ketë perceptimet, përjetimet, reagimet apo edhe opinionet e tij, në varësi të shumë sensibiliteteve apo edhe bindjeve.
Besoj se këtu biem dakord të mos biem dakord.
Si parantezë, personalisht e kam takuar Lul Bashën për herë të parë atë ditë në Londër.
Me të pata folur dikur shumë shkurt në telefon nga Londra, vite më parë, në ditët kur unë punoja për BBC-në, për t’i marrë një intervistë në ditët kur ai ishte ministër i Brendshëm, për të cilën dështova me sukses dhe kaq.
Me të personalisht jam në anën tjetër të gardhit, sa u përket bindjeve politike. Por dhe këtu do të thosha një POR me germa të mëdha, atë ditë kur ai është nderuar me atë titull, të jem brutalisht i sinqertë, mund të jem edhe naiv, mundet, jam ndier mirë dhe krenar, jo aq për titullin, por që një shqiptar, një politikan i ri, me dritëhijet e tij, fundja si çdo politikan në Shqipëri, nderohej në qytetin ku jam banor i lirë prej dy dekadash.
Jam ndier mirë si shqiptar, dhe këtu besoj më besojnë shumë si puna ime, që jetojmë larg, kur sheh se një tjetër shqiptar, një tjetër njeri i gjakut tim, nderohej.
Jam ndier mirë, pasi në dy dekada që jetoj në Londër, nuk kam parë një pompozitet, ceremoni dhe nderim aq mbresëlënës nga anglezët për një shqiptar, as për Berishën madje.
Nuk është se jam njeri që impresionohem lehtë nga ambientet luksoze e salltanetet, aq sa për faktin se jam mësuar me to për shkak të prejardhjes familjare, por edhe të punës, profesionit dhe vendit ku jetoj.
Lul Basha mund të jetë shumë mirë, ashtu siç thonë kritikët e tij politikë, por e vërteta është se ata që ia dhanë këtë titull ndoshta nuk u besojnë këtyre gjërave, sado e drejtë apo e gabuar mund të jetë, përndryshe nuk do t’ia jepnin dhe nderonin me këtë titull.
Dhe kjo është e drejtë e tyre, në fund të ditës.
Nuk besoj se ata që ia kanë dhënë e kanë hedhur me short dhe i ra atij dhe nuk është se është fituar me lotari. Aq më tepër të jenë korruptuar prej Bashës, siç është edhe spekuluar.
Nuk mund të flas për ndonjë vend tjetër, por me aq sa e njoh mentalitetin anglez, dhe nuk pretendoj se e njoh plotësisht padyshim, ashtu si edhe sistemi i tyre gjyqësor, është në një ligë tjetër moskorruptueshmërie në këto aspekte. Besomëni për këtë. Është tjetër gjë afiniteti politik.
Dhënia e titullit mund të jetë bërë për shumë arsye, për të cilat ne vetëm mund të spekulojmë të gjithë, dhe askush nuk mund të hyjë në mendjet e tyre që ia dhanë, dhe ne nuk mundemi dhe s’kemi sesi ta shikojmë Lul Bashën përmes syve të tyre, se nuk kemi sesi.
Madje, nëse do të vazhdojmë të spekulojmë, siç edhe është spekuluar, mund të jetë një lëvizje edhe më e hollë, që unë nuk e besoj, por nuk e përjashtoj, nëse e shikon nën optikën e asaj sesi dhe sa hollë bëjnë historikisht politikë anglezët, sipas parimit nuk kemi miq të përhershëm sesa interesa të përhershme. Thashë nuk e besoj, por nuk e përjashtoj.
Mund të jetë edhe lobim nga njerëz të afërt politikisht me të djathtën angleze, por gjithsesi nga sa pashë, bisedova dhe takova atë ditë, me përjashtim të lord Mayor Gifford, që nuk dha asnjë intervistë për ne të medias, ishin lordë, baronesha, konsujt nderi dhe në rang zyrtar, nënkryetarja e Bashkisë së tërë Londrës, baronesha Borwick, që të paktën, ndoshta me diplomaci, shprehnin dashamirësi për Shqipërinë, por edhe Bashën.
Në këtë sens, e vlerësojë një ngjarje të tillë, edhe për faktin se sikur qoftë edhe një biznesmen apo financier anglez i shtyrë nga Bashkia e City of London, qendrës financiare të kryeqytetit britanik, të mund të shkojë në Shqipëri për të parë mundësitë e bërjes së biznesit apo investimit në Tiranë, mendoj se është gjë pozitive.
Përveç kësaj, të mos harrojmë edhe një element tjetër, që në Londër është e vështirë të penetrosh në këto qarqe me influencë. Dhe Shqipëria ka nevojë për njerëz të tillë që kanë lidhje të caktuara për shkak të së kaluarës së tyre aristokratike, por edhe atyre politike.
Londra, parimisht, edhe përmes këtyre lidhjeve, duhet lobuar për interesat madhore imediate, por edhe afatgjata të Shqipërisë, një Londër tashmë mike, që dy dekada më parë nuk ishte dhe aq proshqiptare në fund të fundit.
Çdo lidhje, çdo kontakt shqiptar, nga cilido krah i politikës, qoftë përmes të djathtëve britanikë apo Toni Blerit & Co, me qarqe dhe persona me ndikime e lidhje të caktuara me korridoret e politikës angleze, sado minimal, është jo vetëm i mirëpritur, por edhe i vonuar në kohë.
Në atë ditë të nderimit të Bashës, jo se “u kry” çimentimi i marrëdhënieve me Tiranën. Aspak, pasi është shumë rrugë e gjatë dhe kërkon shumë sofistikim, por atë ditë kishte dashamirësi dhe pozitivitet për Shqipërinë, e cila atë ditë përfaqësohej, do të thosha me elegancë në prezantim, nga Basha kontravers në Tiranë.
Nëse dikush do të habitej, që unë si kritik i njohur ndaj pushtetit të sotëm në Tiranë, dhe të jeni të sigurt edhe atij pushteti që do të vijë ose do të rrijë, po shkruaj këta radhë për një figurë në ngjitje në spektrin e djathtë të politikës shqiptare, do t’i thosha pa replikuar më vonë, pasi nuk kam kohë, se si shqiptar, nuk ma ndalon njeri të ndihem mirë, nëse një shqiptar tjetër, qoftë ky Rama, Spahiu apo edhe Berisha, që me njerëzit e tij më ka kërcënuar dikur me vdekje në vitet e BBC, do të shkaktonin pozitivitet dhe do të ndihmonin sadopak për një imazh tjetër për Shqipërinë, pavarësisht se gjysma në Shqipëri i sheh këta politikanë si engjëj e gjysma si djaj dhe anasjelltas.