(Ide të rastësishme, të vendosura rregullsisht)


Oltjon Koja


Perfeksion, misticizëm, apo çfarë tjetër mbart rrethi, si objekt gjeometrik i lashtë sa vetë historia jonë e njerëzimit, ndoshta edhe përtej saj?!


A është rrethi një mendësi e lindur te njeriu? Apo është një induksion i një morie faktorësh që shoqërojnë njeriun qysh nga krijimi e deri sa të përfundojë cikli i jetës?! Mos ndoshta mënyrat dhe cilësitë e mendimit që ne ushqejmë mendjet tona, në këtë gjithësi të përbërë nga rrathë po na mbyllin përgjithmonë arsyetimin? Apo po na lënë zgjedhjen e detyruar të dalim përgjithnjë jashtë rrethit, për të mos u kthyer më pas e të mbetemi përtej kufirit të mbyllur e të pandërprerë që konturon rrethin?!


Në kombinime fjalësh, frymëzimi, pështjellimi, vëzhguar nga pjesa e brendshme dhe e arsyetuar nga pjesa e jashtme që konturohet rrethi, do të rrugëtojmë përtej mendimesh gri, arsyetimesh logjike të ftohta e abstrakte, hiperbolash dhe analizash pa pasion me qëllimin e vetëm ndërgjegjësimin e shoqërisë sonë, për elementët që përcaktojnë fatet dhe senset e rrotullimit sipas vijës së rrethit, siç edhe mundësitë për përshkrueshmëri dhe ndarje të mundshme të rrethit, në objekte të tjera gjeometrike po aq perfekte sa rrethi, por në ndryshimin rrënjësor nga ky i fundit, opsionet që ofrohen për të prekur limitet e pafundme drejt së resë, pa pasur mundësi të kthehemi në të njëjtën pikë ashtu siç edhe ndodh te rrotullimi përqark rrethit.


Perceptimi dhe vetëvlerësimi ynë për zhvillimin, është ndrydhur nga faktorët agresivë që promovojnë çdo ditë idetë populiste për “lirinë e demokratizimin e shoqërisë”, por që në të vërtetë kanë mbjellë e kultivuar tashmë mentalitetin centralist të rrethit, që na bën të varur në jetën tonë, e na varfëron çdo minutë; idetë, vizionin, perspektivën e për pasojë po pengon të nesërmen për të ndërtuar të ardhmen më të mirë për veten dhe fëmijët tanë.


Shtyllat e jetës dhe qytetërimit;


Arsimi. Është elementi fillestar bazë nga ku mund të kultivohet e ushqehet mentaliteti i rrethit. Po përballemi me institucione arsimore larg çdo lloj standardi, institucione private a shtetërore qofshin, e ku mundi e djersa mund të blihen materialisht, duke thyer konceptin e vërtetë të jetës që është përpjekja e mundi, për të arritur gradualisht në pozicionin që meriton në jetë, pa ndihmën materialiste të zezë që buron nga rrethi. Induktimi i ideve për rrethin, brumoset përgjatë një zinxhiri të gjatë hallkash të ndryshkura, të cilat janë po ashtu të mbyllura e të mbajnë me forcë brenda rrethit.


Shëndetësia e sigurimet shoqërore. Sistemi më i koklavitur që çdo ditë e bën më të pasigurt jetën në këtë vend. Dy janë rastet; mjekë me përvojë që kontribuojnë në spitalet shtetërore, të cilët janë pa kushtet minimale që duhet të kenë, ku evidentohet një korrupsion i hapur tashmë i formalizuar, një dehumanizëm, kur për analogji në këtë milenium të ri krahasuar me vendet në botë, larg mentalitetit të rrethit tonë, kurojnë me teknologji dhe kryhen ndërhyrje kirurgjikale edhe në largësi, me saktësi milimetrike, ku vjen përsëri për analogji rasti i dytë i yni, me mjekë të rinj, që duan të mësojnë e eksperimentojnë në spitalet-hotel me 5 yje që janë paradoksi më i pazakontë që mund të ndeshësh kudo.


Jetë në punë, që konsumuan energji pozitive prej dekadash për këtë vend, por që shpërblehen në fund të saj me shuma qesharake, të dala prej skemave mashtruese e premtuese të lodhshme, për këto jetë që nuk mund të mbulojnë dot as shpenzimet minimale të jetesës së tyre të përditshme.


Prona. Humb koncepti i jetës atëherë kur babai nuk mund t’i trashëgojë pasurinë të birit, i biri djalit të tij e kështu me radhë. Humb besimi edhe kur pasuritë shtetërore humbin në errësirën e korrupsionit në vend që të ndahen drejtë e jo sipas kontribuuesve që ndihmojnë, në ngritjen, mbajtjen dhe përsosjen e rrethit. Arnime dhe legjislacione të mbrapshta janë bërë e zhbërë gjatë 22 vitesh, të cilat e kanë nxirë dhe zvarritur pa shpresë procesin e rinjohjes së pronës, duke dhënë shembuj unikë të lëmshëzimit të pazgjidhshëm të pasurisë dhe jetës e fateve të njerëzve që lidhen me të. Këtu shfaqen dy lloj pronarësh; ata të “ligjshmit”, të parët që kapërcyen me këmbët e buratinit në urat provizore të legjislacionit rërë të bërë po nga njerëzit që promovohen brenda rrethit, dhe ata të dytët, që janë këta të fundit që konvertojnë mjetet e tyre monetare të dala nga rrethi për blerjen e pasurive publike për të tjetërsuar mundin e përbashkët të popullit që jetoi në kohëra e periudha kur ka ekzistuar një lloj tjetër rrethi.


Institucionet e pavarura. E si mund të jesh i pavarur në vendin ku diktohet mentaliteti i rrethit?! Atje ku gjithçka sheh, ngjan me rrethin. Emra shërbëtoresh të liderëve të krijimit dhe ushqimit ditor të rrethit, shembuj të pafundmë e të rëndomtë korrupsioni, çrregulloresh, standardesh të dyfishta të aplikuara, nxijnë punën dhe sjelljen shembull që duhet të kenë shërbëtorët e ligjit dhe institucioneve model që duhet të jenë në shërbim të të gjithëve.


Siguria e jetës dhe Policia. Jo më kot janë ndarë në titull, sepse fatkeqësisht asgjë nuk po i lidh më këto dy fjalë. Kërcënimi banal dhe frika e mungesa e reagimit, është larg shtyllës së sigurt që duhet të qëndrojë ligji dhe zbatimi i tij. Policia bën më lehtë shoë-paradën ditën, nëpër rrugët e vendit, si dhe të japë leksione propagande të neveritshme për arritje në luftën kundër krimit, ndërkohë që këputen florinj në qafa vajzash e shqyhen çanta në krahë nënash e dyer shtëpish çdo ditë, në muzg apo natë për të treguar qartë se sa e paaftë është policia jonë për të mbrojtur edhe veten së fundmi brenda rrethit të saj.


Ekonomia. Populizmi i liderit të rrethit këtu arrin kulmin. Me “rritjen ekonomike” në vendin më informal të botës së rrathëve propagandon turpshëm çdo ditë e më shumë. Skema të mbrapshta thuren për të shpëtuar veten, duke i marrë po vetes borxhe, që nuk mund të shlyhen as në 100 vite të tjera e që fëmijët që sapo lindin duhet të punojnë e të mbulojnë detyrimet e liderit të tyre të rrethit. 80% injorancë dhe militantizëm, 19% shërbëtorë teknicienë të bindur e urdhëruar nga shumica, dhe vetëm 1% truri, me ngjyra e mend, perfidë, që menaxhojnë keqazi xhepin e këtij vendi të varfër, fatkeqësisht janë në krye të ekonomisë sonë të brishtë.


Lëvizja brenda rrethit dhe shkaqet e saj. Brenda rrethit përplasesh, takohesh me të njëjtat situata, kërkon rrugë të tjera shpëtimi, por përsëri brenda rrethit mundësitë praktike të zymtësohen nga përplasja dhe pasqyrimi që pengon pjesa e brendshme e rrethit. Diametrin e rrethit e përcakton lideri i saj. Njerëzit e tij bëjnë rrathë të tyre, brenda rrethit të madh, e që konsiderohen parajsa për trashëgimtarët e tyre, gjithmonë në kurriz dhe padrejtësisht rëndojnë mbi jetën e kontributin e të tjerëve që mendojnë ndryshe për rrethin.


Të lëvizësh brenda rrethit është e vështirë. Nuk ka rrugëdalje dhe për më tepër nuk ka vizion për të nesërmen. Ai që komandon, përcakton dhe kufijtë e rrethit, gjoja zhvillon, përparon, ecën, e ti shikon, por në varësi të dimensionit të rrethit përkon që të kthehet sërish në të njëjtën pikë ku nga u nis për një kohë të caktuar. E njëjta pikënisje e përfundim. E njëjta histori. E të njëjtat pasoja po përjeton shoqëria jonë tani e pas 22 vitesh perimetër të përshkruar në tranzicionin rreth-rrotullim.


Alternativa. Të guxosh ndryshe nga lideri dhe mentaliteti që ushqen rrethi është e rrezikshme. Të kushton përbaltjen, mërzinë, të mos shohësh ngjyrat. Të jesh i ri je dhe pasionant, ke ide, vizion e perspektivë, për veten e të ardhmen e njerëzve që jetojnë pranë teje e jo vetëm, për të gjithë qytetarët e çorientuar të këtij vendi të pështjelluar e ngatërruar nga rrethi.


I gjithë vendi është mbushur me rrathë. Janë prishur mbikalime rrugësh, humbin miliona para, kontribut direkt i parave tona publike, e kjo jo vetëm për të ndërtuar sërish rrathë por edhe për të prishur edhe atë që lideri i rrethit donte dhe bëri.


Alternativa e vetme e këtij populli të lodhur tashmë është çarja e rrethit dhe ndërtimi i mbikalimeve, rrugëve të reja e të drejta komunikimi, të gjera e me perspektivë, jo më rrathë, por viza të drejta, që të çojnë përpara, drejt mundësive të zhvillimit, përpjekjeve që ia vlejnë të jetosh, punosh e kontribuosh në këtë vend.


Dhe kjo alternativë është mendimi ndryshe, të rinjtë politikanë, jo nga mosha, por mendimet, me ngjyra e jo monongjyrë, me këmbë në tokë e që mendojnë drejt, drejt dhe vetëm drejt, për të harruar e për t’i vënë kapakun rreth rrethit të lodhshëm e rraskapitës së dy dekadave.


Rreth është edhe dielli, por ai rrezaton jashtë tij dritën e drejtuar që udhëton me shpejtësi të pakapshme nga asgjë në botën e limituar, e që ngroh jetën tonë e i jep ngjyra e shpresë për të jetuar.


Të lutem reflekto, sepse tani është koha e duhur të luftohet për të dalë nga rrethi!