BLEDAR KURTI
Gara për presidentin u mbyll, por me fundin e një telenovele po nisin disa të tjera, sidomos në kampin e opozitës. Zgjedhja e z. Nishani si President i Republikës shkoi përtej procesit dhe bisedimeve të zakonshme politike, ajo ngriti një seri problemesh, konfliktesh, muskujsh, nervash, marrëveshjesh, trukesh, hilesh, të cilat duhen parë me vëmendje gjatë një analize post-presidentum nga të gjitha palët, në interes të tyre.
Presidenti u zgjodh, por disa parti dhe drejtues të tyre dolën të fituar, ndërsa të tjerë dolën si humbës. Të fituarit dolën partitë e koalicionit qeveritar, të cilët luajtën një lojë të mirëllogaritur dhe shpalosën një sens bashkimi të cilin opozita nuk mundi ta thyente dot. Pavarësisht se president u zgjodh një ministër i qeverisë, Berisha ka argumente bindëse për rezultatin e këtij procesi, pasi dy kandidaturat e mëparshme nuk ishin politike dhe u pëlqyen në opinionin publik. Opozita i kundërshtoi këto figura, por simpatia në popull ishte arritur, dhe fundja kjo është ajo që ka rëndësi, të fitosh sa më shumë pikë në opinionin publik, i cili është edhe sponsori politik me anë të votës.
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u shpalos gjatë të gjithë procesit si strateg dhe lektor politik, duke negociuar me palët dhe duke i dhënë një qetësi të admirueshme procesit. Duke u treguar i matur dhe tolerant, Meta u pa në sytë e shqiptarëve si një politikan profesionist dhe i guximshëm.
Edhe Vangjel Dule, Shpëtim Idrizi dhe Fatmir Mediu dolën me dinjitet nga i gjithë procesi, pasi kreu i PBDNJ dhe i PDIU, i qëndruan luajalë gjer në fund kandidaturës së Fatos Nanos, duke treguar mirënjohje, burrëri dhe integritet. Mediu bëri të njëjtën gjë me Berishën, duke e mbështetur në të gjitha kandidaturat, dhe duke mos dhënë asnjë shenjë luhatje apo frakture te mazhoranca.
I vetmi që doli i humbur nga e gjithë kjo telenovelë ishte Rama. Të gjithë e dinim që Presidenti nuk i takonte opozitës, këtë e pohoi edhe vetë kreu i PS-së, por ajo çfarë opozita duhet të fitonte, më shumë sesa një president, ishte respekti i shqiptarëve. Kjo garë nuk ishte se kush do merrte presidentin, kjo garë ishte se kush do shfaqej me më shumë dinjitet dhe respekt përpara shqiptarëve. Këtë Rama nuk arriti ta kuptojë në asnjë moment të procesit. PS nuk është shuar për njerëz me vlera dhe figura të spikatura, z. Rama duhet të kishte kandiduar njërin prej tyre që t’i kthente dinjitetin PS. Edhe po të humbiste presidentin, Rama do fitonte zemrat e shqiptarëve. Kush shqiptar do e kishte konsideruar Ramën humbës nëse do kishte kandiduar Servet Pëllumbin, Pandeli Majkon, Rexhep Mejdanin ose Fatos Nanon! Përkundrazi, do kishte dalë triumfues nga e gjithë kjo histori duke fituar kapital politik në sytë e shqiptarëve, por do kishte arritur edhe një taktikë elektorale për zgjedhjet e ardhshme, pasi asnjë socialist, pro-Rama apo pro-Nano, nuk do e kishte fajësuar për këtë proces konfuz, diletant dhe absurd nga ana e opozitës. Nëse Rama do kishte paraqitur emra të tillë, është shumë e mundur që Berisha dhe Meta do i kishin votuar kandidaturat e propozuara nga PS. Por, ndoshta kjo ishte edhe e gjithë frika e Ramës!
Një propozim i figurave me vlerë në historinë e PS do tregonte besnikëri dhe integritet socialist, dhe të gjithë, të majtë dhe të djathtë do e kuptonin luajalitetin e Ramës ndaj figurave të caktuara në historinë e spektrit të majtë, kontributeve të tyre në politikën në vend, dhe mirënjohjen ndaj të gjithë atyre që e ndihmuan të katapultizohet në politikë. Besnikëria ndaj njerëzve të ngushtë, shokëve, miqve, vëllezërve në beteja dhe luftëra politike, sidomos në një parti të majtë, është esenca e integritetit të një lideri. Mosmirënjohja dhe mungesa e besnikërisë janë dy të meta që nuk falen lehtë nga shqiptarët, qofshin të majtë apo të djathtë.
Por Rama dëshmoi se nuk do asnjë tjetër mbi veten dhe nuk respekton asnjë nga të tijtë. Ajo që është më e keqja është qëndrimi anti-parlamentarist që ai mbajti gjatë ditës së hënë gjatë së cilës deputetët e PS-së u mblodhën dy herë në parlament, me besnikërinë më të madhe, duke përjetuar për së drejti makthin e të gjithë procesit, Rama qëndronte në zyrë duke pikturuar skenografinë e FRESSH-it. Kjo të kujton historinë e Nolit që i binte oboes kur këshilltarët e tij e këshillonin të shkonte e t’u jepte zemër ushtarëve të tij që po luftonin kundër forcave të Zogut, të cilat ishin në shkallë të Tujanit, fare pranë Tiranës. Jo vetëm që nuk u qëndroi pranë të tijve, ndoshta duke qëndruar në lozhën e sallës së Parlamentit, por nuk i lejoi as të votonin kundër kandidatit të mazhorancës. Nëse kundërshtari po gabonte opozita duhet të tregonte seriozitet dhe dinjitet duke votuar kundër. Por, edhe ky skenar do krijonte probleme për Ramën, pasi i druhej se në vend të kishte rrjedhje votash nga mazhoranca mund të kishte rrjedhje votash nga të tijtë. Nga ata të cilët, kur sheh pas në të kaluarën e aksioneve politike të PS, ishin të parët që dolën në protesta, hynë në grevë urie, bojkotuan Parlamentin, u ngjitën mbi gjerdhe, u përplasën me policinë, vërshuan nën plumba, bënë edhe kurset e aktrimit te teatri “Metropol”, për kryetarin e tyre.
As gjeneral në vijën e parë të sulmit dhe as strateg lufte, Rama tregoi edhe kësaj here që Partinë Socialiste e presin sfida të vështira.
Opozita e sotme duket tejet e ndrydhur dhe e humbur në dilemat brenda vetes. U bënë disa vite që kryetari i opozitës nuk është oponent por target, nuk është hero por viktimë, nuk sulmon, por mbrohet, nuk inspiron, por shpenzon çdo hapësirë mediatike për të justifikuar veprimet e veta. Edhe kësaj here, sipas tij, fajin e ka Berisha dhe Meta. Duke shtuar edhe Nanon në këtë “përplasje” botësh dhe konceptesh, Rama do vazhdojë justifikimet e tij gjer në zgjedhjet e ardhshme, duke bërë opozitarin vetëm me “Twitter” dhe duke pritur t’i vijë karrigia e Kryeministrit me e-mail.
Në art, sidomos në pikturë, një linjë përmban volum, mesazh, finesë, vrazhdësi, iluzion dhe koncept, një ngjyrë përfaqëson një botë, një shpirt, pasion, humbje, shpresë, mall, dhe vdekje, por në politikën e sotme shqiptare nuk kërkohet një artist politikan që të mbushë boshllëqe me koncepte abstrakte dhe gjëra të padukshme, por një politikan artist që përdor mjeshtërinë e tij për arritjen e fitoreve konkrete politike.
Sot PS është kthyer në pikën e nisjes. Lëvizjet e fundit e të kryetarit Rama kanë pastruar politikisht dhe moralisht një seri ngjarjesh për të cilat opozita ka ngritur kauzën e saj kundër mazhorancës. Tani, si pasojë e keqmenaxhimit, përveçse i duhet të përballet me profesionistët e politikës, Berisha dhe Meta, i duhet të mbrojë partinë nga një mjeshtër tjetër i politikës, Fatos Nano.
Nëse ka mësuar ndonjë gjë nga e gjithë kjo histori apo do vazhdojë të mbetet i vetëm me kokëfortësi në labirinthet e vizionit të tij të Politikës së Re dhe Rilindjes Shqiptare, në këtë betejë me shumë fronte, kjo mbetet për t’u parë.