MUSTAFA NANO


Para disa ditësh pata një artikull në “Shqip” me titull “U zbyth dhe Akademia… në një klimë zbythjeje të përgjithshme”, dhe aty i referohesha faktit që ca akademikë tanët kishin menduar të mos e ftonin një koleg të tyrin kosovar, saktësisht Rexhep Qosen, në një konventë akademike të planifikuar për t’u mbajtur disa ditë para se të bëhen 100 vjet nga dita e shpalljes së pavarësisë, me arsyetimin se Qosja i ka dhënë gojës shumë gjatë gjithë kohës kundër Kryeministrit Berisha; dhe akademikët e tjerë nuk patën fuqi të skandalizoheshin nga ky vendim i miqve të tyre.


Për saktësi të raportimit, duhet thënë se u ndien nja dy zëra (si Arben Puto e Pëllumb Xhufi), por këta, pikërisht ngaqë ishin pak, në vend ta zbusnin pak skandalin, e theksuan edhe më shumë atë (‘skandal’ po quaj jo faktin që s’kanë ftuar Qosen, por faktin që s’e kanë ftuar me atë arsyetim të çuditshëm e krejt të pakuptueshëm). Për saktësi të raportimit, më duhet të tërhiqem edhe nga pretendimi, të cilit i mbahesha në atë shkrim, se ky arsyetim i refuzimit të Qoses ka qenë ‘shpikja’ e Muzafer Korkutit, zv.kryetar i Akademisë së Shkencave. Nuk ka qenë kështu; të paktën, Korkuti vetë e mohon që kjo të jetë e vërtetë; ma ka thënë via email. Por merret vesh se kjo mea culpa e imja nuk e shfajëson as Korkutin e asnjë akademik tjetër, të cilët nuk e kanë parë të udhës të ngrenë zërin kundër vendimit për t’mos ftuar një akademik në atë veprimtari pastërtisht shkencore me një arsyetim pastërtisht (dhe ndyrësisht) politik.


Ishte një intervistë tjetër që më bëri t’i kthehem këtij argumenti. Ish një intervistë e Nevila Nikës, historiane dhe drejtoreshë e Arkivit të Shtetit, në të cilën e intervistuara kish pranuar t’u përgjigjej pyetjeve lidhur me disa qëndrime prej historiografi të Sali Berishës, Kryeministrit të Shqipërisë. Ky i fundit i kish dhënë të drejtë vetes të fliste ex cathedra për historinë e Shqipërisë, gjë që e bën shpesh pa u skuqur e pa u zverdhur dhe në raste të tjera për çështje të tjera. Një numër historianësh, të pyetur nga gazetarët, kishin pranuar ‘të lëshoheshin’ me tone polemike kundër ‘tezave historiografike të Kryeministrit’, dhe dukej se as që u kish shkuar në mendje të skandalizoheshin me këtë çalltisje të të parit të qeverisë. Sikur një Kryeministër tjetër i një vendi tjetër të ish futur me not në ujëra të tilla, të gjithë, d.m.th. jo vetëm historianët, do të shqyenin sytë e do ta shpallnin Kryeministrin e tyre si të sëmurë psikik.


Ndërsa këtu te ne janë historianët ata që nuk shfaqin as habinë më të vogël; përkundrazi, hyjnë gjithë qejf në polemikë me të, duke ia marrë këtë çalltisje, apo duke e lënë të kuptohet, si një tagër kryeministror. Në fakt, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, Paskal Milo e kish theksuar ai anomaly këtë tabiat stalinist të Kryeministrit tonë (por më pas edhe ky i kish hyrë vençe polemikës me të), ndërsa Nevila Nika nuk dukej se kish provuar ndonjë bezdi në këtë mes. Përkundrazi, ajo është shprehur në këtë intervistë se “[kryeministri] tha [thjesht] një objektiv, një orientim sesi ta shkruajmë, dha vetëm një orientim, nuk është se është detyrim për ata që e shkruajnë këtë histori”.


Sikur t’mos i njihej autorësia kësaj fraze, me siguri do të mendohej se i përket ndonjë shkencëtari putative të kohës së Enver Hoxhës. E duhet thënë se, me gjithë gjepurat e ndërhyrjet furacake që ka bërë Kryeministri ynë gjatë njëzet viteve të fundit, askush nuk e ka justifikuar e marrë në mbrojtje kështu si e justifikon dhe e merr në mbrojtje këtë herë Nevila Nika. Nuk është problemi fare te disa qëndrime të Berishës, me të cilat unë personalisht, ashtu si edhe Nevila, jam dakord. Problemi është që Kryeministri ynë duhet ndaluar, të paktën shkurajuar, në këtë karagjozllëk stalinist. Ndërsa Nevila, në vend të bëjë këtë, thotë atë frazën e tmerrshme: “[Kryeministri] tha [thjesht] një objektiv, një orientim se si ta shkruajmë, dha vetëm një orientim, nuk është se është detyrim për ata që e shkruajnë këtë histori”.


Më duhet të them se unë personalisht nuk ndihem i fyer nga Kryeministri që flet kodra pas bregut (nuk mund t’ia lejojmë vetes të fyhem prej tij), por ndihem i fyer prej Nevilave të Shqipërisë, të cilë(a)t po krijojnë atë klimën e zbythjes së përgjithshme përballë Kryeministrit tonë mujshar e furacak. Po pakësohet frikshëm numri i njerëzve të intelligentsia-s e të elitës së këtyre anëve, që kanë guximin ta denoncojnë këtë klimë, tok me regjimin që është ngritur e po konsolidohet mbi këtë klimë. Po pakësohet frikshëm numri i atyre njerëzve që mund të denoncojnë me shqetësim e me gojën plot se, fjala vjen, “korrupsioni e krimi po lulëzon në politikë”, se “është jashtëzakonisht shqetësuese të shohësh një numër politikanësh shqiptarë, që hapur shesin mend me pasurinë e tyre, të cilën çdo kush e di që nuk mund ta kenë fituar me punë të ndershme”, se “[këta politikanë, ndonëse janë të korruptuar], janë në gjendje t’ia hedhin paq”, se “[një numër politikanësh shqiptarë] nuk e kanë problem të shoqërohen me persona me reputacion të dyshimtë, me lidhje të njohura me botën e krimit të organizuar dhe të lëndëve narkotike”, se “ende nuk kam parë një ‘Mercedes’ luksoz apo një automjet me targë ‘Z’ që të ndalohet apo të bllokohet, kur në mënyrë flagrante thyen rregullat në sy të punonjësit që ushtron ligjin”, se “kur një gjyqtar i paguar relativisht pak është në gjendje të blejë një makinë të re luksoze apo të shkojë në udhëtime të shtrenjta private jashtë, atëherë [secili] duhet të ngrejë një seri pyetjesh, sikurse duhet të ndodhë për këdo që punon në zyra publike apo në politikë”, se “kultura kriminale korruptive ka arritur një masë kritike, ku edhe armiqtë ndajnë të njëjtin interes që drejtësia të mos ushtrohet, sidomos për çështje të bujshme, nga frika e efektit domino, e duke parë se si funksionon Shqipëria, nuk është e habitshme se përse janë të paktë e të rrallë prokurorët e gjyqtarët që kanë kurajën e nevojshme për t’u dhënë fund këtyre rasteve” etj., etj.


Të cilit intelektual apo akademik janë frazat e mësipërme të futura në thonjëza? Janë të… danezit Karsten Ankjaer Jensen.


Por edhe ky është duke ikur, pasi po i mbaron mandati presidencial. Dhe ne do të kemi një njeri më pak që bën denoncime të tilla. Por do të kemi plot akademikë, intelektualë e shkencëtarë, të cilët kanë dëshmuar se nuk dinë të bëjnë gjë tjetër në këtë botë, veçse t’u qurraviten njerëzve me pushtet, ose në terma fare konkretë, t’u japin munxët kolegëve të tyre që kanë ‘pacipësinë’ të kritikojnë Kryeministrin, apo të deklarojnë se “ky Kryeministër na hap rrugët e vizionet në studimin e historisë”.