Vilma Filaj-Ballvora


Hashim Thaci Parlamenti i Kosoves (2)Nuk është ogur i mirë për një vend, kur zgjedhja e presidentit eklipsohet prej protestës masive: forca policie dhe snajperistë rreth godinës parlamentare, gazi lotsjellës i opozitës në sallën plenare dhe rrugët e mbushura me protestues që duan ta parandalojnë këtë zgjedhje. Këtë imazh ofroi Kosova në ditën që Hashim Thaçi, deri më tani kryetar i partisë më të madhe popullore PDK, ish-kryeministër dhe aktualisht ministër i Jashtëm, u zgjodh për postin më të lartë të shtetit. Ish-udhëheqësi i UҪK i cilësuar si hero popullor dhe kryeministër i pavarësisë për një dekadë ka luajtur fijet e politikës në Kosovë. Bilanci është për fat të keq i zymtë: shpërthime dhune, konflikt serbo-shqiptar ende i pazgjidhur, krime lufte të pazbardhura, korrupsion galopant, varfëri e skajshme, emigracion masiv.

Thaçit do t’i duhet gjithashtu ta përfaqësojë Kosovën në kohën kur frontet pozitë-opozitë janë të ngrira dhe Kosova faktikisht që pas zgjedhjeve parlamentare më 2014 duket se nuk mund të qeveriset. Parlamenti për muaj është paralizuar prej tri partive të opozitës. Partia më e madhe opozitare Vetëvendosja, që kundërshton pavarësinë e kushtëzuar, dialogun me Serbinë dhe të drejtat për më shumë autonomi të serbëve në Kosovë, përdor gazin lotsjellës si mjet për arritjen e qëllimeve të saj. Qysh nga janari përmes protestave masive në rrugë Vetëvendosja, AAK dhe Nisma synojnë të imponojnë zgjedhjet e parakohshme.


Pa orientim dhe të përçarë


Zgjedhjet e reja vërtet që mund t’i përzienin kartat nga e para, por ato nuk do të mund të sjellin hovin e shpresuar për reformat, që i ka aq të nevojshme vendi: Asnjëra nga partitë popullore (PDK e LDK) në koalicionin qeverisës dhe as partitë në opozitë (“Vetëvendosja”, “Allianz für die Zukunft Kosovos” dhe “Nisma”) deri tani nuk kanë dhënë përgjigjet e duhura për zgjidhjen e problemeve thelbësore që preokupojnë qytetarin. Ato vazhdojnë të mbeten të mbërthyera në darën e luftës së egër për pushtet. Asnjëra palë nuk ka ofruar deri më tani opsione konstruktive për daljen nga ngërçi politik. Kosova dhe elita drejtuese e saj duken tani pa shpresë të përçara si kurrë më parë.


Figurë integruese me shumë pikëpyetje


Por Kosova nuk ka alternativë: vetëm elita politike mundet dhe duhet t’i gjejë zgjidhjet mes vedi. Një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim duhet të japë presidenti i sapozgjedhur Thaçi. Por është e dyshimtë nëse ai do t’ia dalë t’i bindë për arsyen forcat politike në vend. Thaçi konsiderohet si autokrat, klientelist, konfliktnxitës në raport me kundërshtarin dhe sipas opozitës ai nuk mund të jetë figurë integruese. Gjithashtu ai përflitet edhe për korrupsion e lidhje me krimin e organizuar. Emri i tij madje lakohet edhe në raportin e Këshillit të Europës lidhur me tregtinë ilegale të organeve dhe vrasjet me porosi gjatë luftës së Kosovës. Në fakt të gjitha këto akuza nuk janë zbardhur ende nga drejtësia. Tetëmbëdhjetë vjet pas luftës Kosova ende nuk është përballur me të shkuarën e vështirë të saj. Me gjasë, vetë elita politike në vend nuk ka interes për zbardhjen juridike të krimeve të pandehura të luftës, kjo sepse me gjasë në listat e hetimit të Gjykatës Speciale përfshihen edhe emrat e disa prej figurave drejtuese të pozitës dhe opozitës.


Dialogu në politikën e brendshme domosdoshmëri


Shumë nga protagonistët në skenën politike sot kanë qenë luftëtarë, që populli i quan heronj të pavarësisë. Por është një dështim i turpshëm që këta “heronj popullorë” nuk janë në gjendje sot të veprojnë bashkërisht në mënyrë racionale për ta përkryer procesin e shtetformimit të Kosovës. Nëse politika e ka seriozisht me pavarësinë, ajo duhet t’u përgjigjet detyrimeve të brendshme dhe atyre ndërkombëtare të saj. E këtu bëjnë pjesë dialogu në politikën e brendshme, më shumë të drejta minoritetit serb në Kosovë dhe kompromiset e dhimbshme me Serbinë. Nëse Thaçi do ta prezantojë me sukses vendin e tij, ai duhet t’i orientojë forcat politike dhe qytetaret e qytetarët e Kosovës drejt dialogut dhe kompromiseve. Nëse ai nuk ia del kësaj, kaosi është i paraprogramuar dhe pavarësia rrezikon të mbetet e papërkryer.


Marrë nga DW