ARTAN GAÇI
OSBE më kishte listuar ndër biznesmenët në politikë. Nuk e kuptoj a e kish për mirë a për keq. Se nuk arrij të kuptoj ç’të keqe ka të kesh jetuar e punuar ndershëm, të kesh krijuar e prodhuar vlera për vete, të tjerët dhe vendin.
Mua me politikën nuk më lidh biznesi, por një vokacion i hershëm qysh në vitin 1990 kur organizoja disidencën në Akademinë e Arteve ku isha student, në kohën kur shumë nga ata që mbushën Partinë Demokratike ishin akoma komunistë.
Kryeministrin e sotëm e kam njohur pikërisht në atë kohë, si pedagogun e parë, pjesë të lëvizjes studentore në Akademinë e Arteve. U përndoqa, u mora në mbrojtje me azil politik në Itali e u riktheva në ’93-shin me shpresën se me pluralizmin do pasonte edhe demokracia.
Shumë naiv isha e si shumë të zhgënjyer të tjerë nga produkti i pluralizmit, u mora me biznes për 15 vitet që pasuan.
Sot dua të flas për biznesin, për sipërmarrësit, sepse unë mendoj se ata janë kontribuues shumë të rëndësishëm për zhvillimin e kujtdo vendi, aq më tepër të këtij tonit ku nuk e kanë pasur aspak të lehtë veprimtarinë e tyre.
E di mirë se në ato 15 vjet veprimtari kam parë e duruar, lloj-lloj situatash e padrejtësish dhe sot flas duke u futur në lëkurën e sipërmarrësve të vegjël e të mesëm të këtij vendi.
Di shumë mirë se ç’ndodh me inspektorët e tatimeve, se ç’vuan biznesi nga çdolloj policimi a kontrolli, tatimor a tjetër… Di shumë mirë ç’do të thotë të të bien në qafë, të të gjobisin padrejtësisht, të të bëjnë presion, të të hyjnë në pjesë të të ashtuquajturve “të fortë” e ata me pushtet e mos kesh shtetin në krah.
E di shumë mirë ç’do të thotë të punosh pa orar, pa ditë pushimi, duke krijuar e prodhuar të mira, jo vetëm për vete, me 100 sakrifica jo vetëm nga konkurrenca apo kushtet e vështira në këtë vend, dhe të jesh krejt vetëm përballë një lukunie me uniformë shtetërore që kanë për qëllim vetëm të marrin diçka nga ty.
Prandaj kam bindjen se reforma kundër informalitetit, pavarësisht vështirësive e pasojave të saj, është një nga reformat më të domosdoshme e më patriotike po të doni, të ndërmarra nga kjo qeveri. Kjo reformë i duhet vendit, por kjo reformë i duhet më shumë biznesit.
Duket gjë shumë e vogël ai kuponi, e duket sikur po i bihet në qafë atij sipërmarrësit të vogël, por, ai kupon është çelësi i çmontimit të një sistemi të korruptuar të kthyer në normë, i cili në një mënyrë a një tjetër na ka marrë peng të gjithëve.
Prandaj sot marr fjalën për të mbështetur këtë reformë, se besoj me gjithë forcën e arsyes se prerja e kuponit për çdo artikull është një e mirë e madhe për ju, sipërmarrës të ndershëm të këtij vendi, e për gjithë ne të tjerët bashkë.
I nderuar sipërmarrës,
Prite atë kuponin e vogël tatimor në kasën fiskale, edhe pse ato janë të përfolura për monopol.
Prite kuponin që të kërkosh shërbim dhe ndershmëri nga shteti.
Prite kuponin që mos paguajnë më mijëra euro tatimorët e doganierët për të filluar punë.
Priteni kuponin që të mos ju sulmojnë se ke votuar një parti dhe po të njëjtët, herën tjetër, të të ndëshkojnë pse ke votuar për partinë tjetër.
Prite kuponin dhe mbro bindjet e tua pa frikë.
Prite kuponin e fito zërin, që të mos fshihesh nga kamerat e të flasin në emrin tënd katër opinionistët e katër mediave vetëm kur kanë ndonjë hall tenderi…
Prite kuponin e kërkoju faturën me vlerën e vërtetë importuesve e grosistëve, se aty është gropa e madhe, jo te ju.
Prite kuponin që të mos u fshihesh njerëzve që vijnë të kontrollojnë në emër të shtetit edhe pse shumica janë shumë herë më të pandershëm se ty.
Prite kuponin që mos u servilosesh inspektorëve, në shumicë bashkëfshatare të drejtorëve apo ministrave të radhës.
Prite kuponin që të mos të të thonë ty hajdut, por që të mund t’i tregosh me gisht e më zë të lartë se kush janë hajdutët e vërtetë.
Prite kuponin që të mos kesh ortak taksidarët, pasi në çdo qepen të ulur sot nëpër Tiranë ka qenë ortak minimalisht një taksidar dhe drejtori i taksidarit.
Prite kuponin që ta pish kafenë rehat e mos të vraposh i lemerisur nga telefonata se të kanë ardhur kontroll tatimet.
I nderuar sipërmarrës,
Prite kuponin e jepi zë shtresës më punëtore e krijuese të këtij vendi.
Prite kuponin që të mos ndërrosh rrugë kur ka protesta, por të solidarizohesh kur beson.
Prite kuponin që të dalësh në protestë, që të ketë më pak interesaxhinj e të papunë e më shumë qytetarë e kontribuues që ngrenë zërin.
Prite kuponin që ato 100 lekëshit e vegjël nëpër kafe, mos t’ua vjedhin me një dorë te tenderi i radhës.
Prite kuponin që të paguash më shumë taksa e të të dhembë akoma më shumë kur të t’i vjedhin me tenderë drejtorë apo ministra.
Prite kuponin i nderuar sipërmarrës, që të fitosh zërin, të fitosh kurajën, të fitosh dinjitetin e të bësh me turp gjithë ata që abuzojnë në kurriz të djersës tënde.
Prandaj unë mendoj me gjithë forcën e arsyes se kjo reformë, se kuponi tatimor është çelësi për të fituar lirinë, për të ndryshuar njëherë e mirë marrëdhënien e deformuar sipërmarrës – shtet, në favor të sipërmarrësve, për ta bërë zërin e sipërmarrjes, si në të gjithë botën, zë të parë, jo të fundit. Kjo reformë nuk është pa pasoja, por nuk mund të fitosh forcë e dinjitet pa sakrifica.