Ndërmjet aspiratave humaniste dhe rrezikut të ekstremeve
Dr. Milena HARITO – Francezët votuan të dielën, më 6 maj, një ndryshim të rëndësishëm për Francën, por edhe për Europën. Diskutimet e analizat mbi personalitetet dhe taktikat elektorale të dy kandidatëve, François Hollande dhe Nicolas Sarkozy, nuk duhet të na fshehin faktin që në fushatën e javëve të fundit u përballën fuqimisht dy vizione të ndryshme të botës.
Nga njëra anë, vizioni i së djathtës pa komplekse, i mishëruar gjatë pesë vjetëve nga Nicolas Sarkozy, me tendencë drejt liberalizimit dhe privatizimit. Vizion i frymëzuar nga ideologjia që dominon botën që prej rënies së murit të Berlinit, ideologjia sipas së cilës konkurrenca e lirë dhe tregu i lirë janë e mira absolute, sipas së cilës, më i forti fiton dhe më të dobëtit s’kanë zgjidhje tjetër veç të përpiqen të bëhen më të fortë.
Privatizimi i skajshëm shkoi gjatë viteve të Presidencës Sarkozy deri në sektorin e arsimit, sektor që në Francë, tradicionalisht ka qenë publik, përçues dhe mbartës i ekselencës intelektuale franceze. Politika e së djathtës gjatë pesë vjetëve ishte pakësimi i numrit të mësuesve, duke cenuar këtë sektor jetësor për të ardhmen e çdo shteti të zhvilluar.
Ideologjia e “tregut të gjithëfuqishëm”, siç dihet tashmë, e ka zhytur botën që prej vitit 2008 në një krizë të rëndë ekonomike e financiare. Por që nga shembja e sistemeve komuniste duket sikur njerëzimi nuk ka rrugë tjetër veç kësaj ideologjie.
Vizioni i së majtës është më kompleks. Zgjidhjet që propozon e majta nuk mund të jenë të thjeshta e afatshkurtra. Kriza ekonomike me papunësinë, varfërinë dhe mënjanimin e një pjese të shoqërisë sjell përçarje. Mondializimi shkakton frikëra e urrejtje ndaj fuqive të reja të botës, si dhe nostalgji për një botë të shkuar që nuk ekziston më.
Presidenti i ri i Francës i ka dhënë vetes një mision të vështirë. Për të aksioni politik duhet ta shtyjë njerëzimin të ecë përpara dhe t’i lejojë gjithsecilit të shpresojë një të ardhme më të mirë.
Së pari, çdokush në një vend si Franca duhet të ketë: punë, arsimim, banesë, kujdes shëndetësor, pension. E majta nuk i sheh këto vetëm si të drejta morale, por më tepër si kusht të domosdoshëm që i lejon shoqërisë të funksionojë. E drejta për punë është një e drejtë për të gjithë, e njohur si e tillë në Kushtetutën franceze, si mjet për të siguruar të ardhura, por njëkohësisht edhe për të pasur një vend në shoqëri dhe për të krijuar marrëdhënie midis individëve. Krijimi i vendeve të punës është i lidhur ngushtë me zhvillimin e biznesit, inovacionin dhe kompetitivitetin e ekonomisë dhe me pakësimin e borxhit publik.
Së dyti, në politikat shtetërore, duhet t’i jepet prioritet pjesës më të dobët e të defavorizuar të shoqërisë, atyre që janë goditur më tepër nga mondializimi. Në botën e sotshme, retorika e ekstremit të djathtë që bën fajtor mondializimin për gjithë të këqijat e Francës është e pakuptimtë. Në 30 vjetët e fundit, mondializimi ka nxjerrë nga bataku i varfërisë miliona njerëz në botë. Është e vërtetë që ka destabilizuar vendet e vjetra oksidentale gjithnjë e më pak të industrializuara. Po s’ka zgjidhje tjetër për një stabilitet botëror veç negociatave ndërmjet ish-fuqive oksidentale dhe fuqive të reja të botës Kinë, Indi, Brazil. Negociata në të gjitha fushat: tregti, financë, mjedis, siguri dhe paqe në botë, flukset migratore.
Me zgjedhjen e saj, Franca riafirmon vlerat e veta humaniste: liri, barazi, vëllazëri. Pra jo vetëm liri individuale. Francezët edhe 200 vjet pas revolucionit, vazhdojnë e shohin solidaritetin si llaçin që mban në këmbë muret e shoqërisë ku ata dëshirojnë të jetojnë. Roli i politikës në këtë rast është të luftojë tepritë: tepritë e përfitimeve që rrënojnë shoqëritë si në krizën e subprimeve, tepritë e pagave dhe bonuseve që çuan në krizën financiare. Roli i politikës është gjithashtu të kontrollojë rreziqet që kërcënojnë komunitetin, të pakësojë sa të jetë e mundur të papriturat dhe pasiguritë. T’i japë pra shoqërisë një vizion më afatgjatë se ai i tregut dhe i interesave të momentit.
Së treti, edhe për një shtet të konsoliduar si Franca, shtrohet gjithnjë çështja e mbrojtjes së lirive publike dhe e përforcimit tê etikës e të përgjegjshmërisë publike.
Garantët e lirive publike në shoqëritë tona komplekse janë kundër-pushtetet: shoqatat, mediat, partitë, sindikatat, institucionet e pavarura. Në qoftë se disa prej tyre shohin më tepër interesat e vogla sesa ato publike, kjo nuk duhet të vërë në dyshim rolin e tyre të domosdoshëm.
Francezët votuan pra më 6 maj, ndoshta pa entuziazëm, por bënë një zgjedhje thelbësore. Ata zgjodhën që krizën ta përballojnë së bashku dhe jo duke kundërvënë më të fortët dhe më të dobëtit.
Të jesh i majtë sot në Francë nuk do të thotë të preferosh barazinë mbi meritën, as lirinë mbi autoritetin, por solidaritetin mbi individualizmin si baza e një shoqërie të qëndrueshme, ku secili ndihet më i sigurt tek e nesërmja. Dështimi i shoqërive barazitiste-komuniste nuk mund të jetë ende dordoleci që fsheh krizën e kapitalizmit të pakontrolluar.
Francezët votuan. Me një lloj përpunimi të mendimit që u jep mundësinë të shohin tej përfitimit imediat individual. Sipas një tradite shoqërore gjithëpërfshirëse, ku secili ka vendin e vet dhe më i forti nuk shtyp domosdoshmërisht më të dobëtin për t’u ndjerë mirë. Përkundrazi mendon që është normale që ata të cilët kanë nevojë për ndihmë nga shoqëria, ta kenë këtë ndihmë, gjithë duke kontrolluar abuzimet përherë të mundshme.
Opsionet politike të së majtës franceze janë komplekse e të vështira. Por bota, realiteti vetë janë të tillë. Francezët për fat të mirë treguan që nuk besojnë më në zgjidhjet e thjeshta të llojit “Georges Bush”. Kjo është në nderin e tyre. Mbetet detyra e vështirë për t’i dhënë jetë vizionit të botës që zgjodhën më 6 maj 2012. Ndryshe rreziku i vërtetë që kanos Europën është ekstremi i djathtë me populizmin dhe demagogjinë e tij. Se ç’sjell populizmi i ekstremit të djathtë, Europa e ka jetuar në vitet 1940, më pak se një shekull më parë.
Le të shpresojmë pra që francezët do të kenë forcën t’i qëndrojnë besnikë deri në fund modelit që zgjodhën.