Ndue Dedaj
Askush nuk do ta kishte besuar se një bimë e panjohur më parë, për më tepër e paligjshme, do të mund të kultivohej në çdo skaj të Shqipërisë, ku jo gruri e misri, por as hithra nuk do të rritej dot. Pa agronom mbi kokë. Pa pleh kimik e organik. Pa prashitje e shërbime të tjera. Pa asgjë “agroteknike”, përpos një currili uji aty në krye të arëzave së fshehura në korijet e shtrenjta. E çfarë pjellorie se? T’i thuash Myzeqesë të rroftë nami që ke pasur dikur, si krenaria e bujqësisë shqiptare, se nuk je kurrkund me këtë rendimentin e lartë të kanabis sativës, nga Lazarati, Sevasteri, Divjaka, Xibraka, Gjadri, Dukagjini etj. Të moshuarit e mbajnë mend se sa punë e dhunë i ishte dashur shtetit monist të ngrinte kooperativat në malësi, të cilat kurrë nuk qenë të suksesshme, megjithëse kishin asamble të gjerë, administratë të fryrë, makineri bujqësore sovjetike e kineze, aksione masive të popullsisë. Kurse ky kanabisi i padukshëm për sytë e të gjithëve arrin të dalë mbi misrat e mbi halishtat. Mbi partitë e mbi qeveritë e tranzicionit. Qindra mijë rrënjë kanabis të prera nga policia këtë vit e të djegura në zabel, nganjëherë bashkë me pyllin. Kjo është panorama me pak fjalë. Por analiza jonë është e një natyre tjetër. Çfarë ka ndodhur me njeriun shqiptar në këtë çerekshekulli në shoqërinë e lirë? Është bjerrë psikologjia e punës dhe është bërë mbizotëruese ajo e fitimit të shpejtë marramendës, njëlloj si në rastin e firmave piramidale. Por dhe psikologjia e moskooperativizmit – mosbashkëpunimit mes individëve, familjeve për prodhime bujqësore e blegtorale. Nuk merremi vesh për tokën, burimet, pyjet, kullotat, madje vazhdojmë të vritemi për to si qëmoti, si kohët e fundit në Berat për ujin vaditës. Ngulim e shkulim kufij pronash sipas qejfit, me firma të paligjshme kadastrash, gjykatësish, noterësh. Prandaj kemi mbërritur te kanabisi. Se nuk kemi krijuar dot ferma prodhuese, ndërkohë që sasi jo të vogla qepësh, mollësh e të tjerë janë kalbur, pasi shteti nuk ka qenë dot rregullator i tregut. Flitet më shumë në mënyrë romantike sesa realiste për prodhime bio, agroturizëm, gatime të traditës etj.
Turistë dhe kanabis
Në ditët e para të shtatorit u ndodhëm për të tretën herë brenda një muaji në një nga zonat më turistike liqenore të vendit, ku në një anë ndalonin mikrobusët me turistë gjermanë, më së shumti gra të moshuara, për të kundruar e fotografuar Grykën e Shkopetit dhe në anën tjetër makinat e policisë që zbrisnin njerëzit me uniformë që më pas nxitonin shpateve të maleve për të kontrolluar territorin për kanabis. Një pamje me siguri unike në Europë. Askund tjetër nuk mund të hasësh “bashkë” në një udhë dy gjëra kaq të ndryshme. Dy kanë qenë fuqitë gjeneruese të kësaj vere, njëra legale – turistët dhe tjetra ilegale – kanabis sativa. Si të mos mjaftonte kjo për të mos u ndier komod turistët, atyre ua kemi kripur “gjellën” sa kemi mundur, me çmimet pa tavan, gjer për karikimin e telefonit celular! Bujaria tradicionale ka humbur me kohë. Turizmin po duam ta bëjmë me psikologjinë e zhvatjes së “miqve”. Rrallëkund e gjen si një herë një tjetër shërbimin, ushqimin, mikpritjen. Shkarkohemi mbi politikën, duke e fajësuar atë pafund për gjithçka, por na duket se ca gjëra janë më tepër psikologjike se politike, jo se nuk ka ndikim të tërthortë dhe kjo e fundit. Është e vërtetë që e kemi pasur mikpritjen virtytin tonë më të lartë në shekuj. Veçse duhet bërë një korrigjim, nuk kanë qenë “fshatarët e varfër” më bujarë se “kulakët”, përkundrazi kishin qenë këta të fundit që e kishin krijuar së pari këtë institucion, pasi dhe i kishin mundësitë të prisnin e përcillnin. Kjo është e provuar gjerësisht në shumë familje të njohura bujare të malësive shqiptare, që shtronin sofrat për udhëtarët e njohur e të panjohur. Nuk ka të huaj që nuk na e ka spikatur këtë tipar shqiptar, krahas besës etj. Po a jemi dhe sot mikpritës me turistët, apo vetëm spekulohet mediatikisht me këtë? Nëse jemi mikpritës, kjo fillon nga qeveria e ministria e Turizmit te bujtinat më të thjeshta në Theth e Valbonë, që ndonjëherë gabimisht quhen “hane”. Mikpritja në kontekstin e turizmit shfaqet nga lehtësitë që krijon shteti në ushtrimin me përparësi të kësaj veprimtarie, në sjelljen e edukuar dhe pa parë nga xhepat e turistëve… policët e doganave dhe ata të qarkullimit rrugor, deri në moszënien nga të “fortit” të plazheve publike, duke e çuar çmimin e një shezlongu për kosovarët te “Rana e Hedhun” sa bileta e udhëtimit nga Kosova në Shëngjin.
Ajo që mbetet për t’u diskutuar pas “sezonit” të kanabisit është se çfarë duhet bërë që kjo psikologji të çrrënjoset nga shqiptarët. Çfarë duhet të bëjë qeveria dhe shoqëria në tërësi? Me siguri dhe këtë vit, ashtu si dhe vitet e kaluara shkollore, grupet trajnuese dhe sensibilizuese të Policisë së Shtetit do të v[enë në klasa dhe do t’u flasin nxënësve për rrezikun e hashashit, por fëmijët nuk ka si të mos jenë dyshues në këtë rast. “Mirë se po vini te ne për të na mësuar e këshilluar se si të mos i afrohemi hashashit, por të gjithë ju: qeveria, drejtësia, organet vendore nuk ia keni dalë të ndaloni prindërit tanë ta mbjellin?” Dhe kush beson se dhe te të rinjtë nuk vazhdon të kultivohet vesi i baballarëve, për ta kërkuar fitimin te e paligjshmja, informalja. Një psikologji e së keqes!
Në rastin e turizmit ajo që nuk shkruhet nëpër guidat me foto shumëngjyrëshe është mungesa e rrugëve normale, vrasja e shpendëve të egër shtegtarë nga “gjahtarët” e fshatit, bllokimi i shtigjeve për në objektet muzeore në male nga kinse pronarët (!?) ndotja e mjedisit të jashtëm dhe papastërtia e lokaleve buzë rrugës, mungesa e shtëpive të përshtatura për fjetje në zonat turistike (përpos atyre që tashmë dihen), kuzhinës tradicionale etj. Ishte njoftuar një veprimtari për turizmin në njërin nga parqet natyrore në ditët që vijnë dhe drejtuesit vullnetmirë të një shoqate mjedisore i duhej t’i përshtaste “me forcat e veta” nja dy a tri dhoma për bujtësit, për dy-tri ditë, pasi nuk kishte asnjë kullë-bujtinë në gjithë atë territor turistik!? Kështu turistët vijnë na shohin, fotografojnë dhe ikin, pa fituar ne prej turizmit. Ajo që na mbetet është kanabis sativa, gjersa ta shkulim nga psikologjia “mbarëpopullore”, më parë se nga toka.