Artan Mullaj – Para disa ditësh botova një shkrim me titullin “BURGAJ NË “BURGUN” E PUSHTETIT”, ku shpjegoja me shembuj arsyet se përse unë besoj që policia e shtetit shqiptar, e drejtuar nga zoti Burgaj, nuk është as e pavarur, as në lartësinë dhe as në fisnikërinë që kërkon një karrierë e shëndetshme e drejtuesve të saj. Aty flisja për një ngjarje reale, dëshmitar i së cilës isha dhe vetë. Në mes të ditës dhe në mes të Tiranës, një hajdut i rrëmbeu gjerdanin nga qafa një gruaje, mu përpara hundës së një punonjësi policie. Në vend që të sulmonte rrëmbyesin, polici indiferent vetëm sa e ndoqi episodin si të ishte duke parë një film aksion në kinema. Në lidhje me këtë shembull, në e-mail-in tim pata disa reagime nga punonjës policie, të cilët nuk ishin dakord me përgjithësimin e bërë. Dhe unë e pranoj. Është e vërtetë që një polic i papërgjegjshëm, i cili “bën sehir” kur dhunohet një qytetare, nuk mund të përfaqësojë Policinë e Shtetit dhe patjetër që një rast i veçantë nuk mund të përfaqësojë të tërën. E shumta mund të thuhet se ky polic është një militant i emëruar, pa plotësuar kriteret e nevojshme, siç ndodh rëndom në çdo institucion shtetëror, ashtu si mund të thuhet se sjellja e pafalshme e policit nuk është një rast i vetëm.
Por nuk ishte ky qëllimi kryesor në shkrimin e para disa ditëve. Qëllimi im ishte të theksoja faktin që në Shqipëri, më shumë se paaftësia e policisë së rendit, problem i madh është politizimi dhe klientelizmi i saj. Kjo është ajo çka doja të thosha në shkrim dhe çka dua të them me këtë reagim. Unë mendoj se, në ushtrimin e detyrës së saj, policia ka një standard të dyfishtë, ka anësi. I mungon vizioni institucional për të dalë mbi palët për hir të zbatimit të ligjit. Për këtë arsye, në opinionin tim, analogjikisht, përmendej edhe Lazarati, si një lule magjike në shpellën e përrallës, të cilën e ruan një kuçedër. Njëlloj Lazarati i hashashit vazhdon të jetë i paprekshëm, a thua, midis tij dhe policisë sonë gjendet një përbindësh i frikshëm dhe i padukshëm.
Shqetësimi im modest për situatën në Lazarat i bashkëngjitet vullnetit të opinionit publik. Si është e mundur një fshat të sfidojë hapur policinë dhe shtetin, duke shkelur hapur ligjet e vendit? Edhe harabelat e dinë se në këtë fshat kultivohen lirshëm lëndët narkotike, para hundës së policisë, ditën dhe natën, e cila më pas tregtohet në Lindje dhe në Perëndim. Së fundmi, janë publikuar shifrat e frikshme të përdoruesve të drogës në vend, e cila çdo ditë e më shumë gllabëron grupmoshat e shkollave. Janë shtuar ambientet ku tymoset hashash. S’kundërmon në korridoret e shkollave, në ambiente publike, në lulishtet e rralla. Meraku i prindërve për fëmijët adoleshentë është kthyer në makth. A është e mundur të përballohet vetëm me lutje një kërcënim i tillë? Sa më shumë statistikat zhurmojnë për numrin e frikshëm të përdoruesve të rinj të hashashit, aq më tepër policia hesht, dhe, kur kjo heshtje e pafalshme bie fort në sy, vetëm atëherë uniformat nisen drejt “përbindëshit” që ruan hashashin në Lazarat. Në çdo rast policia organizon disa operacione qesharake, që s’janë veçse disa rrethime të dështuara të llojit osman. Shumëfishohen postblloqet në rrugën nacionale të Kakavijës dhe lufta e humbur kundër lëndëve narkotike përfundon në kontrolle të padobishme bagazhesh. Lazarati qëndron si një “kështjellë e paprekshme” dhe kjo ka dy opsione, pra, edhe dy shpjegime të mundshme. Shpjegimi i parë: policia jonë është e paaftë të shkatërrojë kultivimin e bimëve narkotike atje, dhe kjo do të ishte një gjëmë! Shpjegimi i dytë: policia mundet, por nuk e ka seriozisht këtë punë, për shkak se, si një vegël e pushtetit, ajo u shërben disa pushtetarëve apo disa klientëve të tyre, që kanë interesa përfitimi të drejtpërdrejta nga kultivimi i drogës në Lazarat dhe kjo do të thotë katastrofë.
Ndjesë për pozicionimin e qartë dhe të ashpër, por unë personalisht kam arsye të besoj shpjegimin e dytë.
Siç e thashë, ky shkrim është një reagim ndaj disa reagimeve që përmenda më sipër. Disa punonjës të nderuar të Policisë së Shtetit, emrat e të cilëve, për respekt të privatësisë, nuk po i përmend, kanë shprehur keqardhjen që shkrimi im i mëparshëm ishte i politizuar dhe i njëanshëm, pasi, duke kritikuar policinë dhe drejtuesit e saj, indirekt synoja të kritikoja qeverinë. Reaguesit, punonjës të policisë, të cilët sinqerisht i falënderoj dhe i vlerësoj për kundërshtinë e tyre, më shkruajnë se një shembull, dy apo tre të tillë janë shumë pak për të errësuar punën “titanike” të organeve të rendit në luftën e vështirë kundër krimit të organizuar.
Duke mos e kuptuar ku qëndron politizimi, përgjigjem se, në një botim analitik në shtypin e ditës, nuk mund të jepen shembuj pa fund, dhe se shembujt që kam sjellë aty nuk kanë për qëllim të vërtetojnë një fakt të caktuar, siç ndodh me dëshmitë në një seancë gjyqësore apo të errësojnë “titanizmin” e policisë. Përkundrazi, shembujt e përmendur kanë për qëllim të hedhin dritë mbi paaftësinë dhe fenomenin e klientelizmit, duke përcjellë një mesazh simbolik në opinionin publik. Cilin mesazh? Atë, që, ne jetojmë në një vend të vështirë, ku frika e hashashit cenon lirinë individuale dhe Policia e Shtetit nuk është një organ i pavarur, por, sipas gjasave, është një instrument në shërbim të pushtetit.
Këtij qëllimi i shërben edhe shembulli tregoj pak më poshtë. Në fushatën për zgjedhjet e fundit vendore, kryetari aktual i Bashkisë së Korçës, që rikandidonte për kreun e Bashkisë, zoti Niko Peleshi, më pati treguar një episod, të cilin po e përshkruaj shkurtimisht. Si kandidat i Partisë Socialiste për Bashkinë e qytetit, zoti Peleshi, në mbyllje të një takimi elektoral, u provokua nga mbështetës militantë të Partisë Demokratike, që përbëjnë shpurën e “të fortëve” në qytetin lindor. Njëri nga “të fortët” e Korçës, që përfaqëson dominimin e rrugës, pushtetin e paprekshëm të rrugës në qytetin e “butë”, e provokoi kandidatin socialist, duke e ndjekur nga pas rrugicave të kalldrëmta, me makinë. Dihet se është në natyrën e mbështetësve huliganë të Partisë Demokratike presioni banditesk gjatë fushatës. Për të shmangur incidente të panevojshme, kjo situatë e shtyu zotin Peleshi të drejtohej në rajonin e policisë, për të kërkuar ndihmë dhe këtu ndodhi çudia. Duke hyrë në ambientet e rajonit të policisë, makina e banditit që e ndiqte nga pas, nuk u ndalua te hyrja, përkundrazi, vazhdoi ndjekjen deri në “hollin” e drejtorisë së policisë, në ambientet e brendshme të saj. Askush nuk e ndaloi në hyrje “frymëzimin” elektoral të militantit bandit. Ai hyri pa u penguar në oborrin e policisë a thua, ishte vetë titullari atje. Atëherë, pasi nuk gjeti mbështetjen e policisë korçare, i kërcënuar dhe i fyer pikërisht në selinë e saj, ndërsa banditi shkumëzonte mes të sharave vulgare, zoti Peleshi, i telefonoi Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, z.Burgaj. I tha se si Kryetar Bashkie, por edhe si kandidat, ndodhej nën presionin e një banditi që kishte hyrë me dhunë në oborrin e Policisë së Shtetit. E dini miq çfarë ishte përgjigjja e AS-it të policisë së shtetit?: “Zoti Kryetar i Bashkisë! Ç’të keqe ka nëse një qytetar hyn atje brenda? Dyert e policisë janë të hapura për çdo qytetar shqiptar!”
Nëse ju miqtë e mi punonjës të Policisë së Shtetit shqiptar e gjeni normale apo korrekte një përgjigje të tillë të drejtorit tuaj të pavarur, jua them që tani, për t’ju kursyer kohën e çmuar, që nuk mund të jeni më të mirëpritur në një komunikim që nuk çon asgjëkund. Faleminderit!