ARBEN MANAJ


Arben ManajTashmë “Kutia e Pandorës” në partinë më të madhe të opozitës ka filluar të hapet. Pritej. Në politikë të qenët deputet, mëkëmbës i sovranit, është një nga objektivat dhe sadisfaksionet e kuptueshme, me të cilin bashkudhëtojnë edhe shumë privilegje dhe pushtet, krahas përgjegjësisë së vetëkuptuar.


Në asnjë palë zgjedhjesh nuk qëllon që i njëjti grup dhe trupë parlamentare të konkurrojë sërish në kontestin që pason. Ajo që po ndodh tashmë duke prekur domenin publik me socialistët, është se ka pakënaqësi për mënyrën e nominimit të kandidatëve.


Argumentohet se që në krye të herës, në 2009-n, janë hequr gabim figura të PS-së dhe po vihen gabim të tjerë. Janë hequr gabim politikanë, simbole të PS-së dhe po rivihen pa u kërkuar as ndjesë për gabimin. Për të qenë konkret, Musa Ulqini, një nga ata politikanë socialistë që njeh ADN-në e socialistëve shqiptarë si rrallë zyrtarë të PS-së në Tiranë, ka qenë i suksesshëm në mënyrën sesi ka mobilizuar shpirtin socialist.


Madje edhe kur Edi Rama fitoi mandatin si kryetar bashkie, meqë po flasim për Musain, ka pas një rol të njohur edhe prej Ramës në fitoren e tij.


Ka nga ata që mendojnë se ka diçka fondamentale që nuk shkon në sistemin e përzgjedhjes së kandidatëve socialistë për në listat e reja që fillon nga mungesa e kritereve, garës, konkurrencës, parimeve dhe më e rëndësishmja transparencës totale të vendimmarrjeve.


Emërimi ka zënë vendin e përzgjedhjes në bazë të meritokracisë, argumentojnë ata që duan të zbatohen ligjet e brendshme të funksionimit të partisë, siç është rënë dakord kolegjialisht.


Fatkeqësia është se me këtë sistem duket se deputetët ose grupi i ardhshëm do të jetë dëshira ekskluzive e kryetarit të partisë.


Për ndershmëri të argumentit kështu nuk ndodh vetëm te socialistët. Te PD-ja është akoma më keq. Aty nuk guxojnë as të flasin se Ai “i ngrin”. Aty ka ose grup parlamentar që është në dremitje të ngjashme me ato postorgazmike, ose ende të orgazmuar/a, që bëjnë paralele mes Berishës dhe Leninit.


Te LSI-ja bëjnë sikur konkurrojnë. Te të tjerët no comment!


Siç është ndërtuar sistemi në Shqipëri, kryetarët e dy partive të mëdha janë xhon-Sulltanët e epokës së “Facebook”-ut dhe “Twitter”-it, që lëshojnë fermanin për ata që do të jenë nëpër lista dhe kjo është një nga mangësitë më të mëdha, e cila mesa po duket nuk është pjesë e Rilindjes dhe mbetet pjesë konstante e obskurantizmit në krahun tjetër.


Do të ishte utopike të kërkohej që Rama apo Berisha apo ndonjë Sulltan tjetër partiak shqiptar, të mos kishte fjalën e fundit në përpilimin e listës. Por do të ishte më se e pritshme që kriteret, gara e vogël për ata që do të konkurrojnë për garën e madhe të mos mohohej, dhe transparenca të ishte diferenca me kundërshtarin.


Rebelimi nga brenda i njerëzve që realisht kanë influenca jo të pakta nëpër seksione të caktuara të elektoratit socialist, është gjëja e fundit që do të donte PS-ja dhe udhëheqësi i saj në prag të 23 qershorit.


Ajo nuk e ka luksin që ta përballojë një gjë të tillë. Rama, siç edhe ka deklaruar, ka mundur si në rastin e Peqinit ta shuajë atë, siç nuk dihet nëse është shuar përfundimisht si pretendohet në Kukës, apo kudo tjetër ku mund të gjejë pikën e dobët herën tjetër.


Edhe pse njihet si një politikan modern, vizionar, por abraziv dhe pa stil e aftësi të veçanta në komunikimin ndërnjerëzor dhe me simpatizantët e partisë së tij, një handikap jo i vogël krahasuar me populizimin e Berishës, Metës, apo Nanos përpara tij, Rama do të duhet të mos harrojë se balanca e vështirë, por jo e paarritshme, mes benjaminëve dhe protezheve të vet, dhe atyre që gjeti në PS, apo mes atyre që janë opozitarë part-time dhe atyre që janë me kohë të plotë, do të jetë ajo që ka gjasa të garantojë qenien e tij si kryeministër i ardhshëm i shqiptarëve.


E kundërta nuk do ia ndryshojë statusin aktual, edhe nëse këshillohet dhe do të duhet të këshillohet për të kundërtën nga mjeshtri i PR britanik, Alister Campbell, ish-krahu i djathtë i Toni Blerit, atij që rilindi laburistët britanikë.


Rama do të duhet edhe të mësojë të bisedojë dhe t’u shpjegoj vendçe qejfmbeturve të tij, me ose pa të drejtë, se jo të gjithë do të jenë deputetë dhe se ua njeh meritat e aftësitë dhe jo se nuk e di, por t’u garantojë, se ata do i duhen programit të Rilindjes në qeveri.


23 qershori, që të ndodhë siç duan socialistët, do të ketë nevojë për çdo votë dhe kurrsesi humbjen e asnjërës prej tyre. Rrjedhjet nga qejfmbetjet dhe mosaplikimi i kritereve të përzgjedhjes dhe konkurrimit siç parasheh statuti, janë me kosto të lartë elektorale për PS-në.


Mosadresimi i saj është fatal dhe Berisha do të ishte më i lumturi nëse kjo do të tolerohej, edhe pse me pasinqeritet tipik ai bën sikur i hapet barku për të vjetrit e PS-së dhe nuk e zë gjumi për të rinjtë e saj. Sistemi i instaluar i deputet-bërjes parakupton se 90 e ca për qind e deputetëve të listës do të jenë deputetët e ardhshëm.


Por nëse ajo listë do të pasqyroj meritokracinë e opozitarizmit me atë të pozitarizmit potencial, 23 qershori bëhet më i prekshëm për opozitën. Por që Erjon Braçe, p.sh., ende të mos dijë nëse do të jetë deputet apo ku, siç nënkuptohet, kur ka të tjerë që janë shfaqur si meteor në qiellin e opozitës, sinqerisht kam frikë se jo pak do të përzgjedhin përmes indiferencës dhe apatisë, obskurantizimin e Berishës që pjell Portokalli në çdo hap, sesa Rilindjen e porsalindur.