PËLLUMB KARAMETA


Pellumb KarametaS. Berisha, më 7 Mars, ofroi kuptimin e tij për arsimin. Nuk po ngutem t’i quaj arritje gjithë sa tha. Dhe jo vetëm pse kuptimi (si imazh mendor) dallon cilësisht nga arritjet (si gjëra që shihen dhe maten).


Ja idetë që e shtjellojnë këtë kuptim: “Historia e zhvillimit ka faktuar se gjallëria, forca, fuqia e një kombi dhe e një shoqërie, para së gjithash përcaktohet nga aftësia e mësuesve; ne transformuam shkallët e rrogave, në një hark të shkurtër ia kemi dalë që rrogat të rriten 120-140%; gjatë qeverisjes time janë ndërtuar 1302 shkolla të reja, do ndërtojmë çdo shkollë, në të katër anët e vendit; është zvogëluar numri i nxënëseve në klasa dhe është rritur cilësia e arsimtarëve”; do të bëjmë gjithçka që në klasat tuaj, në shkollat tuaja të dispononi teknologjitë më të avancuara që ekzistojnë sot“. (Theksi – P. K.) Kështu, kuptimi i S. Berishës për arsimin dhe gjithë sa ofron si arritje, identifikohet me trinomin “mësues – shkollë – pajisje”. Nëse elementet e trinomit do të jetërsoheshin vërtet sipas kritereve bashkëkohore, gjithë sa tha S. Berisha mund të çmohet si suksesi që meriton rinovimin e mandatit. Por evidenca të bollshme tregojnë se, ato që ai i quan arritje arsimore, të tillë kanë vetëm emrin.


1. Askush, asnjëherë dhe askund në botë (veç S. Berishës) nuk është përpjekur të kushtëzojë gjallërinë, forcën dhe fuqinë e kombit me aftësinë e mësuesve të tij. Nëse ekziston një lidhje e provuar, ajo ekziston mes shoqërisë, ekonomisë, kulturës etj., dhe rezultateve të shërbimit arsimor si e mirë publike. Sepse, “të ardhurat jo ekonomike nga kompetencat e zhvilluara gjuhësore, që ndikojnë në rritjen e mirëqenies vetjake dhe të kohezionit shoqëror, janë po aq të rëndësishme, sa të ardhurat ekonomike dhe ato nga tregu i punës (Friedman, 2005; OECD, 2001). Gjithashtu, sikundër do të shohim, aftësia dhe performanca e mësuesve ndikohen nga filozofia dhe investimi i qeverisë.


2. Nga moria e elementeve që jetërsojnë statusin e mësuesit, po veçoj atë që S. Berisha ka më për zemër, rritjen e pagës. Dhe po e perceptoj nga këndshikimi i mësueses, deklaratën e së cilës në shtyp kushdo e beson, pavarësisht prirjes politike: “Rroga, vërtet me bordero mund të shkojë deri në 590 mijë për shkollat e mesme, por ajo që ne marrim në dorë, pasi mbahen sigurimet, i bie tek 460 mijë lekë. Por po të hysh në llogari, rroga jonë është shumë më pak sesa ajo e 8 viteve më parë. Pse?! Shiko tregun, shiko sa konsumojmë, sa ditë të muajit nxjerrim me atë rrogë. Sa ditë, se muajin s’e nxjerrim kurrë. Rroga është gjysmuar, jo shumëfishuar. Unë marr 460. Sa ditë të muajit nxjerr unë si mësuese, në një familje me 4 persona nga kjo rrogë. Nëse bëhet llogaritja, as 15 ditë. Merrni rrogën, merrni çmimet, edhe të gjitha detyrimet tona që mund të kemi. Jo të mendosh për një jetesë luksi, por për një jetesë mesatare dhe nën mesatare. A e nxjerrim 15-ditshin? Jo! Është një përllogaritje e thjeshtë po të ulesh me laps në dorë dhe të nxjerrësh sa harxhon në ditë, sa janë çmimet, sa është buka”.


3.Ndërtimi i shkollave të reja dhe futja e TIK janë aspekti ku demagogjia qeveritare ka arrirë nivelin e rrezikut. Edhe nëse pranohet se qeveria paska ndërtuar 1302 shkolla të reja, ato janë thjesht ngrehina. Truku qeveritar quhet “krahasimi i ngrehinave të ristrukturuara ose të reja, me shkollat e dikurshme“. Të parat kanë vërtet fasada të lyera me bojëra, ndonjë kënd dhe disa fragmenteve të mbuluara me xham, por aspak infrastrukturë apo mjedise më të mira për nxënie. Këto janë thuajse të njëjta. Në konceptin e çdo kryeministri që aspiron Europën, e djeshmja vlen për të mos u përsëritur, jo për t’u shitur e kallajisur. Çdo vend, që sot ka mundësi ose e sheh të udhës të ndërtojë shkolla, i koncepton ato si mjete në funksion të edukimit modern, me hollin e pritjes, laboratorët, punëtorinë, sallat e leximit, të dramës dhe artit, mjediset e rekreacionit, këndet e meditimit, palestrën e hapur për publikun, serën, sallën e konferencave, mjedisin e pushimit të mësuesve (ku ata mund të marrin dhe kafenë) etj. Janë këta përbërës infrastrukturorë, ata që e bëjnë shkollën mjedis miqësor për nxënësit dhe mësuesit, ndërsa nxënien proces të natyrshëm për rritjen dhe zhvillimin. Z. Berisha, nëse doni të pranohet retorika juaj për arsimin, bindini prindërit dhe nxënësit se ngrehinat që i quani shkolla, i shërbejnë edukimit në shoqërinë e dijes. Ndërsa, që ta bindni veten për potencialet që ofrojnë “e-shkollat” tuaja, kërkojuni mësuesve të shkollës që inauguroni, të nisin një e-mail (se për demonstrime virtuale as që bëhet fjalë). Vështirë se do ta bëjnë. “Revolucioni juaj dixhital” jo vetëm nuk i ndihmoi ata të krijojnë kompetencën e duhur profesionale, por nuk arriti të krijojë as zona për komunikim wireless, në shkolla jo e jo, por as në mjediset universitare. Madje, as në Bibliotekën Kombëtare (!!)


Shkaqet e gjendjes? Së pari e mbi të gjitha, S. Berisha me ministrat e tij nuk kuptuan zhvendosjen në filozofinë e lëvrimit të shërbimit arsimor si shërbim publik: kalimin nga qasja arsimore e shekullit të shkuar, që bazohej në inputet, tek qasja moderne që bazohet mbi rezultatet e nxënësve. Qasja e parë, ajo sipas së cilës cilësia e shërbimit arsimor garantohet vetiu, me kusht që qeveria të sigurojë inputet, ilustrohet me bëmat e S. Berishës në arsim. Në këtë kontekst, qeveritarët tanë, fatkeqësisht, u ngjajnë atyre që e mendojnë veten si ideatorë të ndryshimit, duke harruar se, përgjithësisht, idetë me ndikim të gjerë vijnë nga jashtë saj, zakonisht nga poshtë – lart. Qeveritë, shpesh, më shumë janë mjete, se nismëtare të ndryshimeve; ato lozin rol në ngulitjen e ndryshimeve, por, në mënyrë tipike, përfshihen vetëm në fazën përfundimtare. Por, nga ana tjetër, Berisha kuptoi qartësisht mirë se input do të thotë tender.


Qasja e dytë, ajo që S. Berisha do duhej ta kuptonte si “k/ministër i ndryshimit”, e konsideron shkollën si vendin ku fëmijët zhvillojnë kryesisht “rezistencën e nxënies” dhe stërvitin “muskujt e nxënies”. Jo që të dalin mirë në provime, por të jenë të sigurt, të aftë, nxënës kompetentë për pjesën tjetër të jetës (rezultatet e nxënies). Dhe, që të arrihen këto rezultate, shkolla respekton veçoritë e zhvillimit të nxënësve dhe ndërtohet e tillë, që të krijojë kushtet për nxënien aktive; nxënësi ndërvepron në situata për krijimin e njohurive të reja dhe kompetencave kyçe dhe specifike; struktura e sistemit organizohet mbi bazën e cikleve shkollore; nxënia orientohet nga qëllimet dhe detyrat e çdo cikli dhe niveli arsimor; qëllimet edukative integrohen me situatat e nxënies dhe burimet e nevojshme; shkollat e larta formojnë mësues efektivë, ndërsa shkolla si institucion edukativ rrit dhe konkretizon përgjegjësinë, transparencën dhe llogaridhënien ndaj familjeve dhe komunitetit etj. Arsimi i bazuar në rezultate e tejkalon dukshëm atë që mësuesi ynë ka bërë jetë e mot në klasë – transmetimin dhe shtuposjen e kokës së nxënësit me informacion. Për këtë, mësuesi nxitet dhe ndihmohet të ndryshojë filozofinë, konceptet rreth zhvillimit psikologjik të fëmijëve dhe pikëpamjet rreth shkencës, arteve dhe kurrikulës. Arsimi i ri thekson zhvillimin e forcës së fëmijës për të nxënë, pa lënë mënjanë “përmbajtjen”, e cila përzgjidhet dhe përdoret, sipas kapacitetit që bart. Ajo, në vend të erudicionit të shekullit të shkuar, ofron situatat, trajtimi i të cilave zhvillon këtë ose atë “muskul” mendor. Ky lloj arsimi i konsideron mësuesit si organizatorë të procesit mësimor dhe ndihmës të nxënësve. Kjo arrihet, kur mësuesve, jo vetëm u rritet rroga kur e meritojnë, por dhe aftësohen, u krijohen kushtet dhe u kërkohet që qasjet e tyre pedagogjike t’i bazojnë mbi kuptimet e reja rreth mendjes, dijes dhe nxënies. Atëherë, prej tyre mund të pritet të sigurojnë: a) zhvillimin e njohurive të reja nga nxënësit, përmes kërkimit real (jo nga “ofertat e parafabrikuara” të mësuesit); b) zhvillimin e mënyrave efikase për krijimin dhe komunikimin e kuptimeve në botën e sotme – të imazheve përmes fjalës së shkruar ose pamjeve vizuale, grafikave, tingujve, informacionit elektronik ose mediatik; c) ndërveprimet mes sistemeve të ndryshme të dijes dhe mënyrave të ndryshme të përhapjes së tyre; d) diversitetin, jo qasjet uniforme që i përgatitin të gjithë me “një kut”; e) proceset, jo produktet etj.


Z. Berisha, nuk i thashë të gjitha, por, çka shpreha, i mendova mirë. Ndërkaq, me gjithë dëmin që besoj se i keni sjellë arsimit, sërish, ka shpresë se shkollat do të jenë ndryshimi që njerëzit duan të shohin.


Leonard Cohen: Ka një çarje në çdo gjë, andej hyn drita.