KRESHNIK SPAHIU
Shtetasit Berisha i rrezikohet pushteti personal dhe armiqësohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëhet nacionalist i madh dhe kërcënon se do të trazojë paqen e brishtë të rajonit. Nuk është viti 1996, por viti 2013!
Shqiptarët kudo që jetojnë në Shqipëri apo në pesë shtetet fqinje, në Europë apo në Amerikë jetojnë më mirë se kurrë gjatë gjithë historisë së tyre falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por populli më proamerikan në Europë qeveriset nga një elitë mosmirënjohëse ndaj diplomacisë amerikane. Menaxhimi i marrëdhënieve diplomatike të shtetasit Berisha me SHBA kanë njohur “fitore” të tij të keqpërdorimit të kësaj mbështetje, e cila në të vërtetë nuk ka qenë ndonjëherë për individë, por për vlerat universale të lirisë e demokracisë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përballë një gjeopolitike rajonale e cila ka qenë në favor të shqiptarëve nuk kanë qenë të orientuara për të investuar këtë Berishën si individ, por ngritjen e institucioneve të forta në Shqipëri dhe Kosovë. USAID, Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka shpenzuar miliona dollarë çdo vit për të asistuar ngritjen dhe forcimin e institucioneve dhe shtetit ligjor në Shqipëri dhe pas 23 vitesh rezultati është më shumë se zhgënjyes. Të gjitha institucionet “e pavarura” të vendosura nën kontrollin politik të një njeriu orkestrohen kundër diplomacisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Injorimi i asistencës së FBI-së dhe kërcënimi që i bëhet për mosndërhyrje ambasadës së SHBA-së tregon qartazi se Berisha të rendit në llogoren e kundërshtarit politik nëse i afrohesh për ta hetuar për krimet që ka kryer. i ardhur në pushtet 23 vite më parë nën flamurin e antikomunistit dhe të djathtit ai do të tradhtonte radhazi, doktrinën politike të së djathtës, elektoratin e tij, partnerët ndërkombëtarë dhe … i rrezikuar për rënie të pushtetit më 1996 ai tentoi të nxisë konflikt në Kosovë duke ushtruar presion tek ish-presidenti Rugova që ky i fundit të fuste Kosovën në luftë me Serbinë. Pas një debati të gjatë dhe të ashpër me Ibrahim Rugovën dhe pasi përdori disa intelektualë shqiptarë të deklaroheshin kundër Rugovës ky do ndërpriste kontaktet dhe marrëdhëniet me Berishën deri sa ndërrojë jetë. Pas 15 vitesh, shtetasi Berisha rikthehet të veshë xhaketën e “patriotit”, pasi dështoi si antikomunist se flaku rrugëve të gjithë antikomunistët, pasi dështoi në zgjidhjen e çështjes së pronës duke aplikuar ligjin “e tokës së xanun”, pasi dështoi me premtimin e qeverisjes së duarve të pastra, pasi po qeveris me duar të gjakosura, pasi dështoi në procesin e integrimit, sepse iu refuzua statusi për të 3-tën herë atëherë iu rikthye kërcënimit rajonal dhe fqinjëve për të treguar në elektoratin e tij se ai është “patriot” dhe për të kërcënuar SHBA dhe BE se nëse nuk e ndihmojnë në prag të zgjedhjeve ai është i gatshëm t’i vërë flakën Ballkanit. Njeriu i cili për një vit ka nxitur urrejtjen etniko-fetare duhet larguar me çdo mënyrë nga qeverisja. Censusi për regjistrimin e popullsisë mbi baza etniko-fetare ishte një agresion i pastër kundër vlerave që mbarte shoqëria shqiptare për harmoninë mes etnive dhe besimeve fetare të ndryshme. Shqipëria, një model i përkryer i respektimit të të drejtave të pakicave dhe besimeve të ndryshme gradualisht po shndërrohet në një fushë-beteje e cila ka një origjinë atë të frymës antikushtetuese të Berishës për të realizuar një census të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë nxjerrë jashtë ligjit 40 vite më parë. Fqinjësia e mirë nuk mund të aplikohet duke sponsorizuar drejtuesit e partisë naziste të “Agimit të Artë” në Shqipëri dhe respekti ndaj minoriteteve nuk është duke rritur artificialisht numrin me shqiptarë që për një pension 330 euro kanë ndryshuar përkatësinë etnike, por duke garantuar një shtet ligjor të fortë dhe standarde demokratike… Të drejtat e pakicave nuk mbrojeh duke mbrojtur tregtarë eshtrash, individë si Naum Disho që zhvarrosin të parët tanë dhe varret e shqiptarëve duke i shndërruar në varreza të ushtarëve grekë. Të drejtat e pakicave mbrohen duke respektuar historinë dhe kulturën, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe jo duke nxitur konflikte dhe urrejtje me aksione dhe veprime që tensionojnë dhe sensibilizojnë me urrejtje shtresa të ndryshme të popullsisë. Paqja dhe stabiliteti janë parësorë dhe ato duhet të sigurohen nga ndryshimi i regjimeve politike duke larguar elitat politike të korruptuara. Ky njeri tashmë përbën një kërcënim jo vetëm për SHBA-në dhe partnerët ndërkombëtarë, por për paqen dhe stabilitetin në rajon!
Shqiptarët janë krenarë historikisht se kurrë nacionalizimi i tyre nuk ka qenë agresiv, nuk kanë kërkuar kurrë territore të të tjerëve dhe në historinë moderne shqiptarët mund të ngrenë kokën lart para gjithë botës me tolerancën fetare! Shqiptarët gjithmonë i kanë parë minoritetet si vlerë e pasuri për vendin. Por shqiptarët kanë patur dhe një armik të brendshëm: elitat e korruptuara që para interesit të kombit kanë vënë interesin personal. Shtetasi Berisha e ka dëshmuar se për dhe para interesit të tij është gati të bëj gjithçka. Sot del dhe thotë se shqiptarët nuk janë kombe pesë varietetesh! Por është i pari që ka punuar për këtë gjendje. Shqiptarët duhet të bëhen NJË para së gjithash në ndërtimin e shtetit ligjor dhe institucioneve të pavarura. Shqiptarët sot janë të hapërdarë para së gjithash se nuk po dëshmojnë aftësi shtetformuese dhe ende po paraqiten para botës me liderë folklorikë. Ne duhet të jemi NJË në respektimin e vlerave universale të të drejtave të njeriut, të vlerave të lirisë e demokracisë. Por kjo nuk bëhet me njerëz që qëllim të jetës së tyre kanë pushtetin personal. Këtu dallojmë ne me shtetasin Berisha. Ne vëmë mbi gjithçka interesin kombëtar. Ai vë mbi gjithçka karrigen e tij.