ALBERT PILO
I. Evolucioni
Tashmë, kur prej më shumë se dy dekadash, bota perëndimore rrëzoi edhe murin e fundit ndarës, marrëdhëniet ndërmjet individëve kanë njohur vetëm rritje e zhvillim. Procesi i sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive të paligjshme është pasuar, për të mos thënë nxitur, edhe nga përparime të paprecedentë të teknologjisë dhe infrastrukturës.
Demokratizimi, ekonomia e tregut dhe globalizimi i pashmangshëm, janë dukuri që në një mënyre a në një tjetër po rimodelojnë jetët tona. Nga ana tjetër, nuk mund të mohohet se këto zhvillime të mirëpritura janë bashkëshoqëruar edhe nga rritja e të gjitha llojeve të kriminalitetit, intensifikimi dhe sofistifikimi i formave të tij. Është pikërisht një situatë e tillë që kërkon në mënyrë të detyrueshme forcim të mëtejshëm të luftës ndaj krimit nga të gjitha instancat shtetërore, që nga organet e policisë, prokuroritë, gjykatat, shërbimi përmbarimor e deri te Parlamenti.
Në këtë betejë mes të mirës dhe të keqes, roli dhe pozicioni i institucionit të prokurorisë si një prej agjencive kryesore të administrimit të drejtësisë penale është i dorës së parë (në rolin e violinës së parë) dhe tepër i dallueshëm. Literatura juridike penale ndërkombëtare dhe ajo shqiptare i kanë kushtuar dhe u kushtojnë vëmendje të posaçme formave të krimit, veprave penale si dhe përcaktimit të masave ndëshkuese për personat përgjegjës.
Kështu, përpjekjet konkrete të së drejtës (Ligji nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar me ligjin nr. 24/2014) për të stabilizuar praktikën ligjore penale, për të përfaqësuar zhvillimet e vazhdueshme në marrëdhëniet shoqërore, për të respektuar integritetin profesional, për të kapërcyer gabimet në drejtësi, për të kërkuar që çdo vendim të jetë i bazuar në fakte, i argumentuar qartë, ndihmon në përmbushjen e funksioneve të së drejtës, në parandalimin dhe luftimin e sjelljeve antisociale apo devijuese që dëmtojnë shoqërinë.
Me këtë mentalitet tradicional dhe formim të kulturës politike e juridike që paraqitet në këtë periudhë transformimi shoqëria shqiptare, potenciali i drejtësisë dhe zbatimi i ligjit si një forcë për drejtësi sociale është aplikuar rëndom. Segmente skajore të shoqërisë ndjehen të pa zonja në bindjen ndaj ligjit, kur aktet kriminale prej grupeve elitare nuk ndëshkohen; në të kundërt, barazia përpara ligjit, lehtëson dhe është në favor të drejtësisë, si një mundësi për të gjithë.
II. Ekzekutimi
Në të drejtën penale shqiptare është sanksionuar se ligji për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë, bazohet në parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, barazisë para ligjit, të drejtësisë në caktimin e fajësisë dhe të dënimit.
Dihet që procedimi penal që zhvillohet në ngarkim të personave, subjekte të këtij ligji ndahet në tre faza të rëndësishme, që janë: faza e hetimit paraprak, faza e shqyrtimit gjyqësor ku përfshihen të gjitha shkallët e tij dhe ajo e ekzekutimit të vendimit gjyqësor penal.
Ligji përcakton rregulla të detyrueshme për hetimin, gjykimin dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore penale si masë parandaluese përmes konfiskimitsekuestrimit të pasurive se personave të cilët kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik, si rezultat i veprimtarisë së dyshuar kriminale. Këto rregulla duhen njohur dhe zbatuar sa më mirë në punën e përditshme të organit të prokurorisë së krimeve të rënda, gjykatës, avokatë e subjekte të tjera të procedimit përfshirë edhe përmbaruesit gjyqësorë.
Në lidhje me ekzekutimin e vendimeve, procedura e zbatimit të masave parandaluese, është autonome nga gjendja, shkalla apo përfundimi dhe mbështeten në rregullat procedurale të këtij ligji dhe plotësohen nga rregulla të përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile.
Respektimi dhe zbatimi i normave procedurale gjatë hetimit dhe gjykimit të këtyre cështjeve penale është detyrë e rëndësishme e organeve të procedimit penal dhe gjyykatave, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm për zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Parlamenti shqiptar në vazhdimësi ka nxjerrë ligje të rëndësishme duke bërë shtesa dhe ndryshime të ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, duke plotësuar në këtë mënyrë bazën ligjore të nevojshme për procedimin, gjykimin dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
Gjithsesi, është shumë e rëndësishme, që këto shtesa dhe ndryshime të njihen nga organet e prokurorisë, të gjykatës, avokatisë, përmbaruesit gjyqësorë, për tu zbatuar saktë në praktikë, si edhe nga studentët e Fakulteteve të Drejtësisë, për formimin e tyre profesional. Në fund të fundit është praktika ajo, që do të vërtetojë saktësinë dhe dobinë e këtyre akteve ligjore.
Me ekzekutim të masës së sekuestrimit kuptohet zbatimi i urdhërimeve që përmban dispozitivi i vendimit gjyqësor, që në bazë të dispozitave Kodit të Procedurës Civile, nenit 14, të ligjit nr.10192, datë 03.12.2009, i ndryshuar, si dhe VKM-së nr. 563, datë 14.07.2010 “Për Përcaktimin e Rregullave dhe të Procedurave të Hollësishme të Bashkëpunimit të Shërbimit Përmbarimor me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara”, bëhet me ekzekutim të menjëhershëm, me qëllim rivendosjen e të drejtave të subjekteve juridike të cënuara nga vepra penale, për të mundësuar parandalimin e tyre.
Vendimi për sekuestrimin e masës së sekuestrimit është i ekzekutueshëm me shpalljen e tij. Masa e sekuestrimit është e vlefshme për një periudhë gjashtëmujore duke filluar nga moment i zbatimit të saj. Në rast të vijimit të shqyrtimit të kërkesës për konfiskim të pasurisë masa e sekuestrimit mbetet në fuqi deri në përfundim të gjykimit për konfiskimin e pasurisë.
Në nenin 16, të ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar nëpërmjet masave parandaluese të pasurisë”, vënia në ekzekutim e vendimit gjyqësor për sekuestrimin e pasurisë nga shërbimi përmbarimor gjyqësor bëhet me kërkesë të Administratorit, të përcaktuar nga lista e eksperteve të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara nga gjykata në vendimin gjyqësorë për ekzekutimin e masës së sekuestrimit dhe administrimin e sendit.
Me paraqitjen e kërkesës nga ana e administratorit, përmbaruesi gjyqësor, ndërmerr në mënyrë të menjëhershme veprimet procedurale për ekzekutimin e masës së sekuestros duke bashkërenduar punën lidhur me datën, orën dhe vendin e ekzekutimit.
Zbatimi i masës së sekuestrimit konsiston në inventarizimin e sendeve të sekuestruara nga përmbaruesi gjyqësor në prani të administratorit dhe personit zotërues të pasurisë ndaj të cilit është marrë masa e sekuestros, dokumentimin e inventarizimit dhe dorëzimin e pasurive tek administratori me procesverbal.
III. Konfiskimi
Zbatimi i dispozitave ligjore është mekanizmi më efikas për të realizuar ekzekutimin e plotë dhe në kohë të vendimit gjyqësor, masës së konfiskimit të pasurive.
Në referim të dispozitave të Kodit të Procedurës Civile, të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit dhe Korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, VKM-së nr. 563, datë 14.07.2010 “Për Përcaktimin e Rregullave dhe të Procedurave të Hollësishme të Bashkëpunimit të Shërbimit Përmbarimor me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara”, vendimi i konfiskimit të pasurive ekzekutohet menjëherë pas paraqitjes së kërkesës për ekzekutim nga Administratori i pasurisë.
Vendimi gjyqësor për konfiskimin e pasurisë është i ekzekutueshëm menjëherë pas shpalljes së tij (neni 28). Gjykata që ka dhënë vendimin mund të nxjerrë urdhra për kryerjen e veprimeve të posaçme dhe marrjen e masave të tjera të nevojshme, gjatë procesit të ekzekutimit, duke përcaktuar afatet dhe mënyrat e kryerjes së veprimeve dhe masat e nevojshme që duhen marrë.
Kur vendimi i gjykatës, për konfiskimin e pasurisë merr formë të prerë, pasuria kalon në pronësi të shtetit në mënyrë të pakthyeshme.
Përmbaruesi gjyqësor, në zbatim të dispozitave ligjore raporton kryesisht ose me kërkesë të gjykatës për ekzekutimin e vendimit dhe të urdhrave të posaçëm.
Kur vendoset revokimi i masës së sekuestrimit, vendimi bëhet i ekzekutueshëm 15 ditë pas njoftimit të palëve të interesuara. Në këtë rast, zotëruesi i pasurisë ka të drejtë të kërkojë frutat e pasurisë, të realizuara gjatë administrimit, kompensimin në masën e pakësimit të vlerës së pasurisë ose dëmit që i është shkaktuar pasurisë.
Ekzekutimi i vendimeve gjyqësore është një komponent shumë i rëndësishëm në përmbushjen e misionit të shtetit të së drejtës. Ekzekutimi i vendimeve gjyqësore në Shqipëri kryhet nga shërbimi përmbarimor shtetëror dhe privat.
Në bazë të kuadrit ligjor, gjykata, prokuroria, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Konfiskuara dhe Sekuestruara dhe përmbaruesi gjyqësor shtetëror janë të detyruar të bashkëpunojnë ngushtësisht për ekzekutimin e vendimeve të sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive të paligjshme.
Por, në këtë rast, ofrimi i shërbimit cilësor nga ana e shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror në funksion të ekzekutimit të vendimeve të gjykatës për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme ka qenë dhe është në nivelin e duhur, çka ka sjellë pasojat e dëshiruara në drejtim të rritjes së forcës parandaluese dhe goditjes së krimit nga ana e shtetit, e për rrjedhojë të rritjes së efektivitetit të masave në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit.
Nga ana tjetër, mendoj se ka më shumë vend për rritjen e efektivitetit të pushtetit gjyqësor në luftën pa kompromis kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë, fenomen i shëmtuar që ka ulur ndjeshëm besimin dhe imazhin e këtij sistemi në sytë e shoqërisë shqiptare.
Objektiv prioritar për Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror është dhe mbetet rritja e cilësisë së shërbimit përmes ofrimit të një shërbimi efikas, më të motivuar dhe të plotësuar me mjete logjistike, burime financiare dhe njerëzore, në synim të rritjes së numrit të ekzekutimeve të suksesshme.
Vihet re përpjekje për ndryshime dhe rezultate pozitive në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit, por megjithatë, padyshim jemi të ndërgjegjshëm se duhet bërë shumë më tepër për të arritur rezultatet që kërkohen. Për këtë, është mëse e nevojshme ndërmarrja e reformave për përmirësimin e kuadrit ligjor, bashkëpunim dhe koordinim i përpjekjeve ndërmjet pushtetit ekzekutiv dhe legjislativi dhe ndërmjet të gjithë operatorëve të sistemit të drejtësisë për të siguruar mbrojtje të të drejtave dhe lirive kushtetuese dhe zhvillimin e vendit tonë.
Për një luftë të suksesshme kundër krimit të organizuar, është e domosdoshme një bashkëpunimi efektshëm ndërmjet pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe sistemit drejtësisë, për të mos dhënë mundësi të ushtrojë ndikimin e tij negative në jetën shoqërore, institucionale dhe ekonomike të vendit.