FALMA FSHAZI


Shumë i kujdesshëm e i ndjerë ishte mesazhi që më vinte në “Facebook” në mëngjesin e 26 gushtit në vitin e 74-t të vdekjes së tij. Ja si thoshte mesazhi i një femre shumë të sinqertë fjalët e së cilës flasin shumë për individin shqiptar, prandaj pasi i kam marrë leje po i shënoj siç ishin: «…mbeta pa frymë prej emocionit tejet prekës që më shkaktoi cover image jotja. Jam adhuruese çmëndake e Milloshit dhe çdo gjëje që ka të bëjë me të. Edhe pse fb i ka krijuar natyrshëm mundësitë teknologjike për të huazuar (share), m’u duk e hijshme dhe e denjë të të pyesja nëse ma lejon ta “share” k’të foto në murin tim, pikërisht pse nuk njihemi. Do ishte nder dhe çfarë kënaq’sie për mua!
 E nëse nuk e sheh lejen sadopak të arsyeshme, më ndje për guximin…».


“Të ndaj, jap hua (share) atë që kam nga ai?!” mendova dhe fillova të kujtoj që kur unë s’jam ndarë prej tij. Kanë qenë fillimet e viteve ’90 kur mbaja gjithnjë pas vetes çantën në të cilën mendoja se mes librave që mund të lexoja, fshihja ato që i kisha të ndaluar për moshën. Ishin libra si “Shpjegimi i Ëndrrave të Frojdit” apo një “Tragjedi Amerikane” e Drajzerit që prindërit mendonin se duhej t’i lexoja pak më vonë e jo në atë moshë pak a shumë 10-vjeçare. Kjo çanta kishte një libër të përhershëm që nuk zëvendësohej dhe kur mbaronte. Ky libri i kuq ishte Migjeni Poezi, e nuk lëvizte që aty ndërsa pranë tij shtoheshin Migjeni Vepra, Migjeni Vargjet e Lira e çdo gjë që publikohej mbi Migjenin si libri i vogël i Kadaresë. Ndërkohë në faqet e librave vija copat e letrave ku kisha shkruar poezitë e tij që interpretoja në konkurset e shkollës a në shtëpinë e pionierëve.


Djalin sa elegant aq të thjeshtë, sa të ëmbël e aq të hidhëruar, sa të fortë aq të dhembshur, sa serioz aq pasional të qytetit tim e mbajta përherë me vete. As rrugëve të gjata, as viteve që shkonin nuk e hoqa nga dora deri kur një ditë m’u duk se ia preka dorën. Në një nga zhytjet e mia në dokumentet e arkivave shqiptare të viteve ‘30, at’herë kur Migjeni botohej pak, por qarkullonte shumë e nxënësit e gjimnazeve sidomos të atij të Shkodrës e kishin dishepullin e tyre, gjeta një kërkesë të shkruar me dorë nga ai.


“Ministris s’Arsimit Seksionit t’Arsimit Filluer Tiranë.


Unë i nënshkruemi Millosh Nikolla, Mësues në katundin Vrakë, të Shkodrës, gjindem i smuet në mushkëni. Për atë arsye, edhe si mbas raportit mjeksuer, Ju lutemi të m’epet leja dymujore.


Millosh Nikolla, mësues i shkollës së Vrakës. Shkodër, më 10-IV/935»


Në pak rreshtat e kësaj kërkese që më duket shkresa më e bukur e historisë institucionale shqiptare unë i kisha prekur dorën e atij. Ia kisha prekur, po, se nuk ishte kopja, por letra që ai preku, shkroi, mbajti në dorë, lexoi, i ngjiti dy pulla, palosi, mbajti në xhep, futi në zarf, nisi.


Kjo shkresë do shkonte te ministri i asaj kohe, Mirash Ivanaj,i cili pas pak muajsh do jepte dorëheqjen duke mbetur ministri i vetëm i kohës së Zogut dhe ndoshta i historisë shqiptare që dorëhiqet se ishte i pakompromis në drejtimin e institucionit. Ivanajt, të disiplinuar që nuk falte as paseriozitetin e shkeljen më të vogël të rregullores, mësuesi thellësisht i përgjegjshëm e tejet sakrifikues i çon këtë letër. Dy ikona të botës intelektuale shqiptare janë takuar me këto pak rreshta në mënyrën më institucionale e njerëzore të mundshme. Të dy do t’i shërbenin dhe për pak kohë vendit. Njëri për të na lënë lamtumirën në moshën kur ikin kometat artistike botërore, vetëm 27 vjeç. Tjetri për të (ri)filluar një jetë mundimesh që do ta çonin deri në burgimin, i cili në thelb ishte thjesht për arsye të mendimit të tij ndryshe e kurajës për ta shprehur atë. Shkresa e mësipërme mund të jetë burimi bazë i një punimi të gjatë mbi socio-historinë institucionale e intelektuale të shtetit shqiptar. Por, unë s’do të zgjatem me këtë tani se mendjen e kam përsëri, si shpesh, tek ai, Migjeni.


Shkresën e mësipërme, dorëshkrimin e Migjenit, që kam vënë në murin e “Facebook”-’ut tim si cover image apo pamje prezantuese kërkonte të ndante apo huazonte në faqen e saj vajza që aq bukur tregonte pasionin për Milloshin. Dhe unë ngela, s’dija ç’t’i thoja, kur në fakt qe e thjeshtë se sido të ishte përgjigjja ime, ajo mund ta merrte atë. Dhe unë s’dija ç’t’i thosha, nga marramendja që më sillte ideja se e kisha ndarë tashmë. Dhe unë, s’dija ç’t’i thosha se në momentin kur më pak e prisja dikush më tha se ai ishte disi i imi. Dhe unë s’dija ç’t’i thosha se e di sa shumë duhet ai. Dhe unë, s’dija ç’t’i thosha se nuk ishin poezitë ato që ndaja, por më kishte kapur frika se po ndaja apo kisha ndarë dorën e tij.


Dhe unë s’dija ç’t’i thosha se e kisha prekur atë që ajo i thoshte Milloshit në ditën kur me mushkëritë e gjakosura ai shkruante se i duhej të largohej. Mushkëritë që dhe më shumë rëndoheshin tek shkruanin atë letër se ai kurrë s’do të linte as Lulin që e donte aq shumë e as nxënësit të cilëve do të donte shumë t’u jepte një vend më të mirë. Por e detyronte sëmundja, qe vonuar shumë të largohej për kurim e ikte nga vendi që i rëndonte fort mushkërinë një shpirti si ai.


Dhe unë s’dija ç’t’i thosha asaj se aq shumë e desha atë djalin e vargjeve të lira, shpirtit të lirë, pendës së revoltuar. S’dija ç’t’i thosha asaj se unë, atë Milloshin, e desha dhe më shumë ditën që e gjeta vetëm me katër rreshtat e shkruar me dorë që në heshtje më thoshin mijëra fjalë. Mijëra fjalë për vendin tim dhe të tij, mijëra fjalë që sot ai do t’i thoshte përsëri. Mijëra fjalë që vinë të rënda si plumba kur sheh vendin që ne s’ia bëmë atij, vendin që vazhdon të ketë qindra Lulë të vegjël që shumë do bënin nëse mundësitë s’do ia mbyllnin disa me emër të ngjashëm e me shefa dhe me të frikshëm se veten që njeriut i vjen ndot dhe t’i përmendë në një shkrim ku flitet për atë, Migjenin.


Dhe unë s’dija çfarë t’i thosha asaj deri tani, në fund të këtij shkrimi që eci kështu me rreshta të lirë. Por, tashmë e di. Do t’i them merre, ndaje. Ndaje, se vendin tonë, vendin e tij ka kohë që e mban në këmbë dashuria, ndërsa po ia marrin frymën egoizmi, xhelozia, zemërvogëlsia. Ndaje se në vendin e tij, vendin tonë akoma sundojnë të eturit për ca palo poste që s’vlejnë sa katër rreshtat e tij, përplasjet e neveritshme për ca palo përfitime që s’vlejnë sa dora e tij, gënjeshtrat e paturpshme të atyre që s’vlejnë sa një molekulë oksigjen e frymës së tij. Ndaje vajzë, se patëm fatin, e rrallë nga këto anë, të kemi një si ai. Ndaje shoqe, se shpresa jonë është të kujtohet e kuptohet fjala e tij. Ndaje mike se tragjedia jonë janë ata që me trutë e shpirtrat e shkarravitur nga babëzia duan ta heshtin atë. Ndaje e pasionuar pas tij si unë, ta duam të gjithë bashkë dhe më shumë, se asgjë veç dashurisë s’ka për ta shëruar vendin që si me 1935 krejt ashtu dhe sot gjakos mushkëri.