PËLLUMB KARAMETA
Na e bëjnë të prekshme këtë vetëdije veprat e mendjeve të ndritura dhe të shpirtrave humanë që kombi i nxjerr në etapat e zhvillimit. Veqilharxhi, Kristoforidhi, Frashëri, Qirjazi, Fishta, Gurakuqi etj., që vunë themelet e gjuhës dhe shkollës sonë; Ivanaj, Çabej, Xhuvani dhe shkollat e seminaret e viteve ‘30, që skicuan sistemin tonë arsimor; Beqja, Buda, Ylli, Dedja e plot të tjerë, të cilët liceun dhe seminarin i ngritën në nivelin e Universitetit dhe të Akademisë. Është kjo vetëdije që nxit në kohën tonë kërkues, pedagogë e mësues të vendosin më të mirën e tyre në themelet e shkollës sonë të shekullit XXI.
Është kjo vetëdije, e fuqizuar tani me kuptimin modern për shkollën, që na detyron të shpërfillim dhe përbuzim mediokrit. Kryeministrin, më së pari, për rolin dhe përgjegjësinë e madhe në rrënimin e sistemit arsimor. Për ngrehinat, që me pompozitetin prej provinciali “i thirr shkolla moderne”, por që, krahasuar me kriteret e edukimit bashkëkohor, nuk janë veçse depozita, shpesh, të tejmbushura, me fëmijë e të rinj. Për altertekstin, që prodhoi tekste të mbingopura me informacion rraskapitës, por që s’i duhen gjë as dreqit. Për maturën shtetërore me teste, formularë e gjithfarë broçkullash, që “vlerësuakan”, me demek, nivelet adekuate të arritjeve të nxënësve dhe “klasifikuakan me saktësi” sipas parimit “meritë – parapëlqim” (eruditët e MASH termin e fundit e quajnë “preferencë”) etj.
Provat për vërtetësinë e këtyre pohimeve? Ja disa syresh. Diplomat e shkollave të mesme, që nuk vlejnë në asnjë segment të tregut të punës. Diplomat – kartonë, që lëshon pjesa më e madhe shkollave të larta – kioska, të akredituara pjesërisht nga një agjenci shtetërore, vetë e paakredituar (!) Braktisja e shkollës: 15% e fëmijëve marrin rrugët pa përfunduar arsimin e detyruar. Më tej, rezultatet e turpshme në vlerësimet ndërkombëtare, ku renditemi përherë të fundit. Vetë fëmijët tanë, që na çuditin kur thonë “të lutem”, “faleminderit” apo “më fal”. E nëse këto, z. Kryeministër, i keni dëgjuar shpesh, le të ndalemi pak te bjerrja e nivelit të kënaqësisë që sjell leximi.
Sa i takon këtij elementi bazal për edukimin bashkëkohor, ka nja dy studime që u bien fort kambanave të alarmit. Sipas kërkimeve tona, paçka se disa shtëpi botuese, ato të parapëlqyerat nga ju, nuk reshtin së dërguari libra (e gllabëruar fonde publike), kënaqësia nga leximi i librave po bjerrjet. Te djemtë 15-vjeçarë, ajo po bie në mënyrë dramatike: nga 54% që kënaqeshin duke lexuar në vitin 2004, në 35% në vitin 2011. Gjatë kësaj periudhe, te vajzat kënaqësia nga leximi u rrit, por, pas vitit 2009, treguesi i tyre afrohet me treguesin e djemve. Studimi PIRLS (Përparimi në Studimin Ndërkombëtar të Lexim-Shkrimit) është projekti madhor i monitorimit të niveleve të lexim-shkrimit në shkallë botërore. Evidenca më e fundit nga ky studim tregoi se leximi për kënaqësi ndikon në suksesin e ardhshëm të fëmijës në shkollë, më shumë se çdo investim tjetër shoqëror, përfshirë këtu të ardhurat e prindit. Dhe suksesi i fëmijës në jetë nuk varet nga fakti nëse ai mund të lexojë – por nga fakti që fëmija lexon dhe kënaqet, duke e bërë këtë gjë. Pra, nuk është vetëm halli se duke dëmtuar dispozitën për të lexuar, “shkolla juaj e reformuar” po u heq fëmijëve dhe të rinjve kënaqësinë e leximit të një libri të mirë. Kështu, po dëmtohet vetë qëllimi themelor i arsimit në bazat e tij. A mund të justifikohet ky dëmtim, z. Kryeministër?
Sikur të mos mjaftonin sa më sipër, po rendni shkollë më shkollë. Vendin e fjalës së urtë e plot respekt për dijen në tempullin e saj, po e zëvendësoni me patetizmin e xhihadistit të ndërkryer. Ndërkaq, “harroni” t’u shpjegoni audiencave sa e si i keni plotësuar përgjegjësitë për arsimin dhe edukimin e të rinjve. Me gjasë, ju do vijoni ta thyeni sërish ligjin, z. Kryeministër, sepse vetëm retorika boshe u ka mbetur. Ndoshta u ndihmon MASH, nëse e nxitni t’u përgjigjet pyetjeve: Sa kanë ndihmuar alterteksti, matura shtetërore apo e-shkolla për të zhvilluar mentalitete dhe identitete që i aftësojnë të rinjtë të përparojnë vit pas viti? Çfarë veprimesh, mbi bazën e njohurive, do të zhvillojnë cilësitë që i aftësojnë ata për jetën e vështirë e plot të papritura? Si mund të sigurohemi se ajo që ofron alterteksti, bibliotekat dhe e-shkolla do të dalë nga konteksti i shkollës, për t’u zbatuar në problemet që të rinjtë do të ndeshin në jetë?
Përgjigjet nuk lidhen me llaçin e tullat, që u kanë errur shikimin, por me kurrikulën, çka ju e dini, po aq mirë sa unë. Por ajo që ju nuk dini është revolucioni që po ndodh në botën e arsimit. Kurrikula, sot, nuk identifikohet me programet dhe tekstet, për çka këmbëngulën deputetët dhe nëpunësit tuaj të “iluminuar”, por formësohet si tërësi e elementeve me synime edukative, që prodhojnë cilësinë e sistemit përmes politikave efikase. Ky kuptim i ri, zhvendos themelin e altertekstit tuaj, nga përmbajtjet lëndore – që po u zënë frymën shkollës dhe nxënësve, te kompetencat funksionale të nevojshme për qytetarët e këtij shekulli.
Ndërsa, matura juaj shtetërore (ndryshe, kontrolli i korruptuar i tufave të nxënësve të mbledhur në salla të mëdha), zëvendësohet me vlerësimin në mjediset universitarë të aftësive të nxënësve për të argumentuar veprimet në situata problemore. Në kurrikulën e reformuar, dijet e dekontekstualizuara, me të cilat janë mbushur tekstet tuaja alternativë, zëvendësohen me klasat e situatave të kuptueshme. Këto të fundit i kthejnë tekstet në udhërrëfyes të procesit të nxënies. Kësisoj, procesi rrjedh përmes trajtimit të situatave, bazuar në veprimet dhe përvojat e nxënësve dhe ka si efekt formimin e të riut kompetent.
Për kurrikulën e re, programet e studimit dhe tekstet nuk janë qëllimi, sikundër i konceptojnë hartuesit tuaj të kurrikulës, por mjete për plotësimin e qëllimit të arsimit. Në funksion të tyre, vihen strategjitë që zëvendësojnë dijet e dekontekstualizuara me situatat e kuptueshme (enhanced context strategies). Këto strategji konsiderohen sot nga më efektivet. Sepse ndërtojnë pikërisht ata elementë botëkuptimorë që ushtrojnë ndikim pozitiv mbi arritjet e nxënësve, çka pohohet nga kërkimet në fushë (shihni p.sh., meta-analizën e kërkuesve amerikanë e tajvanezë, Schroeder & kolegët – 2007, që sintetizoi të dhëna nga studimet e kryera, në intervalin kohor 1980-2004). Situatat e kuptueshme sendërtohen nga tekstet shkollore dhe mjetet e nxënies (CD, softe, doracakë, mjediset e sipërmarrjeve, muzetë, galeritë, kopshtet botanike e zoologjike, vizitat, konkurset etj., etj.).
Kurrikula e reformuar përfshin dhe godinat shkollore. Që duhet të konstruktohen, së pari, si godina të vërteta shkollore, në sasinë e duhur, në vendet e duhur. Në këto godina, veç klasave të bollshme, pjesë të mozaikut për edukimin modern janë laboratorët, punishtja, salla e leximit, ajo e dramës dhe artit, mjediset e rekreacionit, këndet e meditimit, palestra etj. Janë këta përbërës kurrikularë që e bëjnë shkollën mjedisin miqësor për fëmijët dhe të rinjtë, ndërsa nxënien proces të natyrshëm për rritjen dhe zhvillimin. Në dekadën e dytë të shekullit të dijes, a janë të tilla ato që ju i ofroni për shkolla, z. Kryeministër?
Sa i takon ndikimit të “e-shkollave”, mjafton t’i kërkoni ndonjë mësuesi, në shkollat që inauguroni, të nisë një e-mail. Nëse ai nuk e bën dot këtë (sipas kërkimeve tona, rreth 84% e mësuesve nuk ia dalin të përfitojnë nga shërbimet elektronike), ia kërkoni drejtuesit. E, nëse edhe ai nuk arrin, mund të klikoni, aty ku jeni, në lidhjen [http://nzcurriculum.tki.org.nz/]. Të jini të sigurt se ia vlen. Pasi kështu do të mësoni mrekullinë e reformës arsimore që po zhvillon Zelanda e Re, Zelanda e vogël gati sa Shqipëria jonë. Ndoshta, filloni të kuptoni këndej, pse njerëzit janë skandalizuar nga mediokriteti i politikave tuaja në arsim.
Kurrikula e reformuar si duhet, e bën nxënien të këndshme, pasi optimalizon ngarkesën mësimore. Rritet buxheti i kohës për nxënien dhe veprimtari ku subjektet informohen, formohen dhe zbatojnë njohuritë dhe kompetencat. A e keni idenë, z. Kryeministër, sa është raporti i buxhetit të kohës për nxënie në shkollat tona, me kohët në vendet e tjera? Po u ndihmoj që të kërkoni në iPadin tuaj të shtrenjtë. Referojuni “Education at a Glance 2012 – OECD indicators” (fq. 433), në lidhjen [http://www.oecd.org/edu/eag2012.htm]. Nëse nuk keni kohë ta bëni këtë, po ju informoj se koha mesatare e nxënies, në vitin 2010, për grupmoshën 7-14 vjeç, në vendet e OECD, është 6710 orë mësimi të detyruara dhe 6862 orë, nëse përfshihet pjesa fakultative. Koha për nxënien e detyruar luhatet nga 5644 orë në Estoni, në 8664 në Kili. Ju “nuk keni si ta dini”, sigurisht, se çdo nxënësi shqiptar, për 8 vitet e para në arsimin bazë, i ofrohen, e shumta, 4476 orë mësimore, ose 66% e vlerës së treguesit mesatar të këtyre vendeve. Përse vlejnë, atëherë, deklaratat tuaja pompoze për arsimin cilësor dhe tekstet e huaja në shkollat tona?
Z. Kryeministër, me qeverisjen tuaj provuat se arsimi nuk bën pjesë tek ato gjërat të cilave, dje, iu përkushtuan mendjet e ndritura të kombit dhe, sot, burrat e shtetit në shoqëritë moderne. Ju e shndërruat arsimin në burim pasurimi dhe kontrolli. Kështu, ju cenuat vetëdijen e kombit! Të jeni i sigurt se për këtë do të kujtoheni, sot e në të ardhmen.