Ilir Yzeiri – Këto ditë erdhi në Bibliotekën Kombëtare dhe u ekspozua për një kohë të gjatë kopja e vetme e të parit libër shqip, “Meshari”, i priftit katolik Gjon Buzuku. Kjo vepër, por edhe librat e Budit, Bardhit e Bogdanit janë dëshmia e parë dhe më e plota e akademisë së elitës shqiptare. Në këto vepra të Mesjetës ne mësojmë me dëshpërim se identiteti ynë po shpërbëhet, se stërmundimi i këtyre martirëve të elitës sonë kombëtare do të shënjohet vetëm si gjurmë në memorien kolektive dhe se vepra e tyre do të zërë kryet e vendit në traditën kulturore e letrare që do të mësonin më pas brezat e ardhshëm. Vetëm kaq. Bashkë me veprimin politik të kryeheroit tonë, Gjergj Kastrioti, puna e martirëve të elitës që përmenda më sipër, nuk e ndali dot rrjedhën e sendeve. Shqiptarët i humbën të gjitha përreth pesë shekuj dhe ruajtën vetëm shenjën dalluese, gjuhën e bashkë me të edhe shënjueshmërinë që rrjedh prej ngjizjes së parë. Elita shqiptare zgjohet përsëri dhe bash atëherë kur shqiptarët rrezikonin të zhdukeshin, ata e shpëtuan kombin e tyre. Konica tregoi shenjën përfaqësuese, flamurin, të tjerë bashkë me të nisën të lëvrojnë gjuhën shqipe, pastaj i gjetën edhe veshjen apo alfabetin; e futën në trupin e gjuhëve europiane. Por përsëri nuk mundën ta frenonin copëtimin. Elita që përgatiti Pavarësinë e Shqipërisë besonte në atë kohë se ndërtimi i shteteve kombe duhet të përfshinte edhe Shqipërinë. Mirëpo, për fat të keq, ne ndërtuam shtetin dhe lamë jashtë një pjesë të trupit. Ndryshe nga gjysma e Gjermanisë që u nda pa iu ngjitur tjetërkujt, pjesët e trupit të Shqipërisë u shqyen, për fat të keq, nga fqinjët. Dhe Ballkani e dëshmoi krimin mbi të cilin ishte ngritur kur u shpërbë ish-Jugosllavia. Ndërkaq, elitat komuniste e bënë nacionalitetin qendër të projektimit të idealeve të tyre patriotike. Elitat komuniste e bënë Tiranën qendër të studimeve albanologjike. Komunistët, ashtu si sivëllezërit e tyre të Lindjes, e shtrinë luftën e klasave deri edhe në traditë dhe e ridimensionuan vetëdijen kolektive duke ngritur disa kulte dhe duke i varrosur disa të tjera. Por gjithmonë e mbajtën ndezur nacionalromantizmin.
** *
Ajo që ndodhi pas viteve ’90 të kujtonte një fragment nga historia e shekullit të kaluar. Shpërbërja e Republikave të Bashkimit Sovjetik çoi përsëri në krijimin e shteteve kombe, ndërsa shpërbërja e ish-Jugosllavisë ishte dëshmia se konfliktet më të përgjakshme janë ato që nxiten nga etnocentrizmi. Elitat shqiptare ndërkaq e kishin mbajtur gjallë ndjenjën e shqiptarësisë. Në këtë pikë të historisë, një intelektual i madh në Kosovë e mori përsipër kauzën e popullit të tij dhe u shfaq si vijues i traditës më të mirë të shqiptarësisë. Ky ishte Ibrahim Rugova. Rugova kishte studiuar Pjetër Bogdanin dhe e njihte mirë rolin e misionarit. Atij nuk iu përmend kurrë përkatësia fetare apo se ishte në krye të një populli mysliman. Ai vetë u përpoq në mënyrë titanike që të vendoste lidhjen e këputur mes identitetit shqiptar të kohës së Bogdanit dhe atij të kohës ku shqiptarët shtypeshin nga Millosheviçi. Projekti i Ibrahim Rugovës ishte projekti më modern i ndërmarrë ndonjëherë nga ndonjë intelektual shqiptar. Ai kërkonte vetëm që Kosova të ishte më vete dhe përsëriste vazhdimisht që këto të drejta duhet t’i fitojmë pse jemi një popull europian dhe nuk duam dhunë. Kjo ikonë e elitës shqiptare dhe filozofia e tij e çuan Kosovën nëpër të gjitha kancelaritë Perëndimore dhe kur erdhi rasti, Perëndimi nuk pati asnjë hezitim që ta sulmonte Serbinë, ta çlironte Kosovën dhe t’i jepte asaj Pavarësinë. Rugova kishte tre idhuj, Papa Gjon Pali II, Nënë Terezën dhe Pjetër Bogdanin e veprën e tij “Çeta e Profetënve”. Ai kishte një armik të betuar dhe kjo ishte retorika nacionaliste. Mirëpo, pas vdekjes së tij, heronj të tjerë e populluan Kosovën, ndërsa në Shqipëri pas rënies së komunizmit, heronj të tjerë kanë mbushur foltoret dhe në këta njëzet vjet, kur Shqipëria është çliruar nga të gjitha burgjitë ideologjike, ne nuk po e realizojmë dot misionin e elitave shqiptare, që do të thotë se nuk po e bëjmë vendin tonë një shtet demokratik, të lirë e të mbarë ekonomikisht. Ne jemi futur në të gjitha listat e zeza dhe ndodhemi në vendet e fundit në cilëndo renditje që bëhet sot në botë.
***
Retorika nacionaliste që shpërtheu sidomos në ditët e festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë është ana komike e qenies sonë si shqiptarë. Raporti i njeriut me atdheun është një marrëdhënie reale, konkrete. Atdheu është toka, vendi që më jep mua mundësi të jetoj më mirë se në një vend tjetër, më detyron mua që të mos ta shkatërroj atë, që të mos e rrëmbej për vete dhe të lë të vuajnë bashkëqytetarët e mi. Mirëpo atdheu i shqiptarëve është vendi që u ka dhënë atyre më së shumti fatkeqësi. Kur komunistët po merrnin pushtetin, me qindra u larguan jashtë, me mijëra të tjerë u masakruan pse ishin në vendin e tyre, por pse u shpallën kundërshtarë të komunistëve. Pas vitit ’90, është e vërtetë se demokracia prodhon sukses në fillim, por më pas shqiptarët po shohin se një grusht i vogël shqiptarësh vjedh, abuzon me atdheun dhe të tjerët vuajnë edhe për bukën e gojës. Kjo është arsyeja pse një pjesë e madhe shqiptarësh ka njëzetë vjet që ikin nga sytë këmbët prej atdheut të tyre pse këtu nuk jetojnë dot. Pse duhet ta duan atdheun këta shqiptarë? Ne jemi bërë simbol i zhgënjimit me atdheun sidomos me anijet fatale që u mbushën me emigrantë në vitet ’90. Sot ne po shkojmë drejt krijimit të një shteti të vetëm që është Europa e Bashkuar. Mirëpo në këtë shtet të madh ne nuk na pranojnë, të rinjtë tanë nuk mund të punojnë në këtë treg të madh, sepse ata janë shqiptarë. Ky emërtim u sjell më shumë pengesa se përparësi bashkëqytetarëve tanë nëpër botë. Ndaj pyetja është e thjeshtë: A mjafton vetëm të betohem për kokë të atdheut apo duhet të mësojmë ta duam Shqipërinë. Mirëpo armiqtë më të mëdhenj të Shqipërisë kanë qenë gjithmonë elitat sunduese. Ka edhe një anë tjetër ky problem. Pse duhet t’i detyrojmë me zor kosovarët që të bashkohen me ne? Që të bëhen kaq të poshtër sa politikanët tanë, që të mësohen ta shkatërrojnë peizazhin dhe natyrën, pyjet dhe tokën kështu siç kemi bërë ne? Jo. Katalanja në Spanjë po kërkon të shkëputet nga Spanja dhe t’i ngjitet Francës. Një shtet tjetër diku në Gjibraltar, në mos gaboj, po kërkon t’i ngjitet Amerikës. Padania në veri të Italisë kërkon më shumë autonomi nga pjesa tjetër. Edgar Morin, një filozof francez, thotë se sot konflikti botëror është ai midis njerëzve dhe planetit. Bota ka prirjen të bëhet një fshat i madh. Mirëpo të gjithë pa përjashtim deri tani i kemi çuar mesazhe negative planetit duke ndërtuar centrale atomike, shkatërruar pyje, shkurt e kemi masakruar planetin dhe tani ai po na përgjigjet me përmbytje, tajfune, tërmete, cunami. Dëmet nga kjo hakmarrje e planetit janë sa të ndonjë luftë botërore thonë specialistët. Ndaj atdheu sot është planeti më shumë se atdheu i horrave të politikës.
