FADIL LEPAJA
Këto ditë po lexoja nëpër portalet serbe lajmet më të reja nga fqiu ynë verior. Definitivisht, ky është vend i çudive. Shtet i dhunshëm. Kur nuk i rreh dot të tjerët, e rreh vetveten. Pra, policët e paskan rrahur vëllain e Kryeministrit. Shteti e paska rrahur pushtetin.
Te ne pat ndodhur e kundërta. Policët janë rrahur nga pushteti, nga politika. Pushteti e ka rrahur shtetin. Djemtë e ministrit e patën rrahur shtetin. Edhe shteti e ka pas përbi pështymën dhe … pat heshtur. Kështu shteti ynë shpëtoi mirë. Shteti ynë i ri, i njomë! Shpëtuam edhe ne qytetarët se kanë thënë: “Kur dy të marrë rrihen …”
Kështu, sot do të përflasim, kalimthi, se çfarë po ndodh në raportet mes shtetit dhe pushtetit në Ballkan. Padashur tingëllon aq serioze! Janë këto vende në tranzicion!
Asgjë e re, do të thoshe ti, lexues i dashur. Asgjë! Shteti dhe pushteti janë një, do të thoshe.
E po, janë edhe nuk janë. Nëse janë një, pse po rrihen në mes vete, pra?
Si e dini edhe vetë, për të (mbi)jetuar te ne dhe për të jetuar një jetë pak a shumë normale, duhet të jesh, magjistar. Pak a shumë, Burdush. Burdushin po e njihni të gjithë? Është ai i cili ka popullaritet po aq sa edhe Kryeministri dhe të gjithë ministrat e tij së bashku. Fundja, pak a shumë e bëjnë të njëjtën punë: qesin fall.
Ndërkohë, shteti dhe pushteti jetojnë në një simbiozë gati biologjike, bashkëveprojnë dhe e diktojnë jetën tonë. Qytetari hesht! Por, nganjëherë vjen edhe deri te fërkimet. Rrihen shteti dhe pushteti.
Lidhur me këtë çështje, duke i marrë në konsideratë dy raste nga vende të ndryshme dhe nga drejtime të ndryshme, do të përpiqemi që bashkërisht të nxjerrim një përfundim iluminues për raportin shtet-pushtet. Këto dy vende si e dini, dikur ishin një dhe (bashkë)jetonin në një martesë kundër dëshirës.
Dakord, në përpjekje për të ikur nga emocionet dhe ndjenja e hakmarrjes, gjuha thahet dhe … bëhet analitike. Thahet kështu edhe damari i bisedës sonë me lexuesin. Bëhet formal. Kjo për autorin është sikur vetëvrasje.
Kështu, porsa përmendet politika apo çështja kombëtare, thahet pështyma në fyt, dhe kutia jonë e vogël e blerë në dyqanin me emrin “Pandora” hapet ndër ne dhe mbi stivën e druve bëhet gati “kazani boshnjak”. Kush e hapi kutinë e “Pandorës”? Askush nuk e di, përpos në mit. Se në Ballkan, kutia hapet vetë, sa herë dikush don me e vu në vend drejtësinë e vet.
Pra, të kalojmë në politikë, se krejt çka ka të bëjë me shtetin dhe pushtetin, politikë është. Ku është dallimi në mes të Kosovës dhe Serbisë? Ka shumë dallime, do të thoni. Dikush do të flasë për njohjet, dikush për fuqinë ushtarake, e dikush tjetër për investimet e huaja … Dikush nuk do të flasë fare, sepse do e konsiderojë këtë krahasim ofendues. Nga të dyja anët. Por, qëllimi im nuk është të ofendoj askënd e sidomos jo qytetarët. Ata, nuk i pyet askush, për asgjë. As andej e as këndej. Janë të pafajshëm!
Por raportet mes shtetit dhe pushtetit janë interesante dhe nga dallimet në mes dy vendeve tona (ar)mike, mund të nxirren përfundime të dobishme.
Duke i lënë, pra, anash krejt këto fusha ku ne jemi përpara Serbisë, sidomos në atë të integrimeve europiane, liberalizimit të vizave, bashkëpunimit me NATO-n, në siguri etj., ka edhe fusha ku ne jemi … ndryshe. Ndoshta çikërrimtarët do të kontestojnë faktin se ne jemi përpara Serbisë, duke nxjerrë si argument izolimin tonë ndërkombëtar, mungesën e liberalizimit të vizave, të investimeve etj., por dijeni se këto “llafe” janë qëllimkëqija dhe antiqeveritare. Rrjedhimisht edhe antikombëtare.
Pra, ne jemi përpara. Jemi më afër Azisë. Pastaj, vështirë mund të thuhet se politikanët e tyre janë më të pasur. Por këtu po hyjmë në terren spekulativ, se do të ishte punë e rëndë me i numrue paratë e fshehura … nëpër thasë. Pastaj, ato janë paratë tona, veç përkohësisht po na i ruajnë ata. Por, le krejt, të kthehemi tek ajo që na bën krenarë!
Natyrisht, ne e kemi mundur shumë keq, Serbinë. Në fushëbetejë. Moralisht, materialisht edhe ushtarakisht. Këtë e di krejt bota. Cikërrimtarët do të thonë se këtë e ka bërë tjetërkush. Për ne, ushtria serbe do të vazhdonte ende të ishte këtu. Do të ishin këtu edhe policët kapadai, e të dehur duke shpërndarë gjoba trafiku, duke kërkuar armë nëpër shtëpitë tona. Polic … pastaj edhe të dehur.
Për dallim nga tani në liri, Trepça jonë do të prodhonte ar, argjend dhe metalet e tjera të çmuara e Beogradi do të ndërtohej. Kështu ishte dikur. Tash sa kam mundur të kuptoj, industria e ndërtimeve në Beograd ka “vdekur”. Se Trepça nuk po punon.
Falë Zotit, ne nuk jemi problemi kryesor i serbëve, se mllefi i tyre është kthyer drejt Kryeministrit. Larg qoftë, Rama do të pritet me nderime atje, sikur Enver Hoxha dikur. Por e kanë me Kryeministrin e vet. Më saktë, me vëllaun e tij. Në Ballkan nuk bëhesh kryeministër dot, nëse nuk ke vëllezër që do të kapardisen kafeneve. Por, diku e rrahin shtetin e diku shteti i rreh. E diku e pësojnë civilët. Por, shteti more vëlla është … shtet! Nuk e krahason me asgjë tjetër. Sidomos një (pu)shtet, kapadai.
Këndej shteti dhe pushteti flenë bashkë. E në Serbi po rrihen.
Tamam kujtuam se ndër fqinjët shteti është mbi pushtetin kur, lexuam lajmin se policët specialë, janë suspenduar. Edhe një polic tjetër, i cili në rrjetet sociale kishte komentuar se vëllai i Kryeministrit nuk është dashur të rrihet, por … të vritet, edhe atë e kishin suspenduar. Pushteti e ktheu goditjen!
Do të lutesha: “Ndihmoji Zot, të dyja palët!”, por pata frikë. Në çdo konflikt e pësojnë … qytetarët.
Në fakt dallimi Kosovë-Serbi, edhe pse duket kozmetik, është esencial. Te ne pushteti e rreh shtetin, e shteti rri gatitu. Andej shteti e rreh pushtetin. Por fqinjët tanë, thonë: “Ata që rrihen, duhen”.
Në një farë mënyre i bien se, atje, shteti po bën dashuri me pushtetin.
Në këtë pikë ne jemi më mirë. Te ne shteti dhe pushteti flenë publikisht në një shtrat. Qytetarët rrinë zgjuar, por nuk flasin. Dëgjojnë analistët tek konstatojnë se “ata” e kanë kapur shtetin dhe … presin se çka do të “pjellë” prej kësaj.
Tash, si i bëhet punës? Hiç mos u brengosni, të dashur qytetarë! Mos mendoni se ka filluar lufta mes tyre dhe shpëtuam! Ata thjesht po … duhen.