AGIM I. TARTARI
Ka disa ditë që në Shqipëri ka filluar një zhurmë e papërligjur lidhur me të ashtuquajturën shkelje të të drejtave të njeriut, megjithëse nuk përcaktohet saktë se cila ishte kjo shkelje. Si nota e shpërndarë nga Ministria e Jashtme e Greqisë ashtu edhe reagimi i z. Vangjel Dule, dëshmojnë për një mendësi mesjetare që fatkeqësisht mbijeton ende sot, pothuajse në mes të Europës. Reagimi është kundër ekzekutimit të një vendimi gjyqësor të formës së prerë, sepse neni 142.3 i Kushtetutës thotë se “organet e shtetit janë të detyruara të ekzekutojnë vendimet gjyqësore”. Rrjedhimisht, në rast se përmbaruesi, qoftë privat, qoftë shtetëror, do të refuzonte të vinte në zbatim një vendim gjyqësor që kishte fituar autoritetin e gjësë së gjykuar, do të shkonte ndesh Kushtetutës, duhej të dënohej penalisht për shkelje të saj. Atëherë, këta protestues të shtyrë përse nuk u referohen vendimeve gjyqësore, që janë shkaku, por bëjnë zhurmë vetëm për pasojën? Kjo më shtyn të mendoj se vendimet gjyqësore ishin të mirarsyetuara.
Por kjo zhurmë pa dobi më shtyn të mendoj edhe se dikush tjetër, jo shqiptar, është i interesuar të fusë një frymë dasie midis shqiptarëve, të cilët gjithmonë kanë qenë tolerantë në drejtim të besimeve fetare. Qysh në Kushtetutën e Mbretërisë Shqiptare të 1 dhjetorit 1928, thuhej se “shteti shqiptar nuk ka fe zyrtare. Të gjitha fetë e besimet janë të nderuara dhe liria e ushtrimit dhe e praktikumit të jashtëm të tyre është e siguruar. – Feja nuk mund të formojë pengesa juridike në asnjë mënyrë. – Fetë dhe besimet kurrsesi nuk mund të përdoren për qëllime politike” (Neni 5 i Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare – nënvizime të autorit).
Kushtetuta e sotme e Republikës së Shqipërisë është shumë e qartë lidhur me çështjet dhe institucionet fetare. Neni 10 i saj së pari sanksionon se në Shqipëri nuk ka fe zyrtare, se shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe, në të njëjtën kohë, garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike. Më poshtë, kjo dispozitë sanksionon se “shteti dhe bashkësitë fetare respektojnë në mënyrë të ndërsjellë pavarësinë e njëri-tjetrit dhe bashkëpunojnë në të mirë të secilit dhe të të gjithëve. Por kjo nuk do të thotë aspak se vendimet gjyqësore nuk janë të detyrueshme edhe për bashkësitë fetare, përkundrazi, ato janë të detyruara t’i respektojnë dhe t’i zbatojnë ato.
Në artikullin e tij, Dule shprehet se “shteti ynë ka precedentin më të errët gjatë dy shekujve të fundit në marrëdhënie me komunitetet fetare, pasi jemi shteti i vetëm, i cili pas Luftës së Dytë Botërore i shpalli luftë Perëndisë dhe komuniteteve fetare…”. Lidhur me këtë deklarim kategorik të z. Dule do të kisha tri vërejtje të vogla:
së pari, harrohet revolucioni francez, i cili fshiu fetë dhe institucionet fetare. Vetëm më 1801 Napoleonit i leverdisi të përfundojë me Kishën Katolike një Konkordat. Por në Francë, qysh me nenin 28 të ligjit të 9 dhjetorit 1905, u ndalua shprehimisht që në monumente dhe hapësira publike të ekspozoheshin simbole apo emblema fetare, kurse me ligjin nr. 228, 15 mars 2004 u ndalua që në shkolla të përdoren veshje që dëshmojnë përkatësinë fetare. Veç kësaj, në Francë asnjë bashkësi fetare nuk merr financime nga buxheti i shtetit francez, ndërtesat e kultit katolik janë pronë e shtetit dhe e vetmja martesë e njohur dhe e lejuar në Francë është martesa civile, kurse martesa fetare nuk ka ndonjë vlerë juridike.
Një tjetër pasqyrë kemi në Greqi. Vetë Kushtetuta greke njeh përparësinë e kishës ortodokse dhe Presidenti i Republikës duhet të bëjë betimin në emër të Trinitetit të Shenjtë. Pa miratimin paraprak të kishës ortodokse, asnjë fe apo besim tjetër nuk mund të hapë zyra apo godina kulti. Mësimi i fesë në shkollat fillore është i detyrueshëm, kleri ortodoks financohet nga shteti etj.
Këto ndryshime thelbësore kanë ardhur si rezultat i shizmës së madhe (1054) dhe, siç shihet shumë lehtë, ndryshimet midis Lindjes dhe Perëndimit janë jo të vogla dhe thelbësore. Çfarë drejtimi duhet të marrim ne?
Së dyti, përse z. Dule përdor termin “komunitet” dhe jo “bashkësi” që, jo vetëm është shqip, por dhe është termi i përdorur në Kushtetutën tonë?
Së treti, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, të cilën e ka pranuar edhe Shqipëria, në nenin 9, që flet për lirinë e mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë, sanksionon se “Çdokush ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose bindjet, si dhe lirinë për të shfaqur fenë e tij ose bindjet e tij individualisht ose kolektivisht, publikisht ose privatisht nëpërmjet kultit, arsimit, praktikave dhe kryerjes së riteve”. Kjo liri nuk mund t’u nënshtrohet kufizimeve të tjera “përveç atyre të parashikuara nga ligji dhe që përbëjnë masa të nevojshme në një shoqëri demokratike, për sigurimin publik, për mbrojtjen e rendit, të shëndetit ose moralit publik, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve”. Por, kush kishte kompetencë të përcaktonte nëse kthimi i Pallatit të Kulturës shtetit ishte apo jo një kërkesë e ligjshme e Bashkisë së Përmetit? Sipas mendimit të z. Dule kisha qëndron mbi vendimet gjyqësore, kurse, sipas meje, i vetmi organ kompetent për të vendosur në këtë drejtim është gjykata dhe ajo e ka dhënë vendimin e saj. Në rast se kisha mendon se jemi përpara një shkeljeje të Konventës, përse nuk i drejtohet Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, por i sulet përmbaruesit që kreu detyrën? Prandaj edhe përfundimin e z. Dule se përmbaruesi, duke përmbushur detyrën e tij, ka cenuar imazhin e Shqipërisë, nuk besoj se ka shqiptar ta pranojë.