ARTAN MULLAJ


Artan MullajKur në vitin 2007 Partia Demokratike u frymëzua nga publikimi i fotove nudo të kryetarit të opozitës, pa filluar ende ekstaza, blofi i trokiti në derë. Më e pakta do të ishte që pësimi ta bënte mazhorancën të kuptonte se duhej të frenohej në përkushtimin mizor të përballjes me çdo kusht dhe me çdo mënyrë të Edi Ramës, por kjo gjë nuk ndodhi. Atëherë e hodhën lajmin e lakuriqësisë në erë, si të qe një skifter në qiellin mavi të poshtërsisë së gjërave, por skifteri iu kthye pendëgjakosur në duar, për t’i ndotur ata vetë. Edhe “nudo”, Rama e rifitoi bashkinë! Por kjo asnjëherë nuk iu bë mësim demokratëve. Sulmi, përbaltja, shpifja, mjegullnaja, provokimet, të gjitha këto kanë qenë në themel të strategjisë së tyre. Akuzat qukapikëse të lejeve të ndërtimit, “pallati i Lindës”,  “rrugaçëria urbane”, me të cilën, mazhoranca ka përfolur në kor familjarët e Ramës, këtej jetës dhe andej, përsëritja e neveritshme e tyre, janë pjesë e kësaj strategjie. E gjithë artileria e rëndë e akuzave dhe shpifjeve breshëron pa pushim kundër tij. Edhe incidenti i provokuar së fundmi në Vjenë me djalin diplomat të një kryediplomati, nëse jo gjë tjetër, duket se ka pasur të njëjtin qëllim: të baltosë, të poshtërojë, të provokojë kryetarin e opozitës, për të krijuar akses, për të fituar vëmendje e sidomos për të prishur imazhin e tij. Nga një ambient diplomatik, prej ku lajmi shpërndahet me furinë e shqiponjës, e sidomos nga një vend i huaj perëndimor, çdo provokim merr flakë. E ndezi vetë Saliu: “Shqiptarë, Edi Rama është një pasojë instinktesh të egra e rebele. Ky njeri nuk ka në kontroll veten e tij. A mund t’i besohet Shqipëria këtij njeriu që fyen e godet pa mëshirë një diplomat engjëllor. Dhe cilin? Një personalitet që bashkë me djersën kullon fisnikëri dhe histori me shumicë? Barbari Rama i shkuli veshin, e fyeu, e goditi, e poshtëroi vetëm se biri diplomat i diplomatit të Saliut e pa drejt e në sy si qengji i pafajshëm ujkun e frikshëm, për t’i thënë të vërtetën”- (Kështu, në fakt, do ta kishte përshkruar nga Parlamenti Saliu ngjarjen në Vjenë sikur të kish ca më shumë talent në krijimin e metaforave).


 


***


Dhënia llogari së ardhmes për vjedhjen, lodhjen, dëshpërimin, shkatërrimin dhe varfërinë që u ka shkaktuar shqiptarëve, është e pashmangshme dhe prandaj pushteti i Berishës, që e ka kuptuar këtë gjë, është më shumë se kurrë në panik. Strategjitë e përsëritura të përbaltjes janë dëshmi e kësaj. Oborrit të Saliut si ka mbetur veçse në vend të politikës shterpë, që nuk e ngjiz më asgjë, të bëje regjizime. Të krijojë dhe nxijë skenarë. Të provokojë përshtypje. Ta shpërqendrojë, të gjejë mënyra artistike për të zbehur vëmendjen publike në periudhën e afshit elektoral. Të frenojë trendin e saj. Lejet, pallati, incidentet, origjina. Por a është e mundur të kesh në kontroll shpirtrat që janë rebeluar kundër teje? Është si të duash të fshish me një urdhër shkollor dashurinë e trokitur në shpirtrat e adoleshentëve. Më e lehtë do të ishte t’u fshije atyre kujtesën! A mund të ndalosh qenushin e shtëpisë të bashkohet me grupin e qenve në muajin e afshit, duke i afruar kocka a duke i fishkëllyer? Jo!


KUNDËRSHTIA PUBLIKE NDAJ BERISHËS SOT ËSHTË KTHYER NË NJË HISTERI!


Ajo që është e paqartë, por jo befasuese, është pra rutina e pamposhtur e pushtetit për të mos mësuar kurrë nga gabimet e së shkuarës. Dështuan në 2007 kur me fotot lakuriqe të Ramës dolën lakuriq, më shumë se ai në opinionin publik dhe nuk vunë mend. U shfaqën dalë boje me kështjellën prej rëre të lejeve të ndërtimit. Pështynë vetveten me pallatin e Linda Ramës dhe tani, me incidentin,  po shqyhen në një aktrim të shëmtuar në një sallë që ndryshe nga ç’presin, do t’iu boshatiset më keq. Të jenë kaq naivë sa të mos e kuptojnë që kështu po hapin një gropë më shumë për veten e tyre?! Ky naivitet na paska qeverisur kaq vjet?!


 


***


Gjithsesi, në një shkrim ku përmenden shpendë nuk mund të mos përmendësh Spahiun. Jo për shkak se krenaria e shqiponjës ngjason me urtësinë e Spahiut dhe anasjelltas, jo se urtësia e Spahiut ngjan me egërsinë e një sorre, apo me brishtësinë e një harabeli. Spahiu sot përmendet për mënyrën si hyri dhe bën politikë. E filloi mirë, e vazhdoi qetë, e mbylli vrazhdë. Mënyra si hyri në skenë ka vërtet diçka prej shqiponje. Shkulmin, furinë, kauzën. Shqipja përfaqëson kauzën e lirisë së kaltër, Spahiu u qas me kauzën e patriotizmit që duhej zgjuar dhe me kauzën për të shkulur Berishën. Por për fat të keq, kjo e fundit nuk duket më e tillë. Prandaj disa e quajtën sorrë shqiponjën e beftë të Spahiut. Dhe sorra në këtë rast nuk mbart simbolin e dobësisë, por të pabesisë. Jo rastësisht vendimi i fundit i AK-së për të mos qenë në frontin opozitar, ka ngritur dilema. A ishte i lirë Spahiu të zgjidhte me lirinë e plotë të një fluturimi kauzat e tij, apo s’ka qenë veçse një kanarinë kafazi që Berisha synoi ta përdorë kundër Edi Ramës, për t’i ngrirë buzëqeshjen në buzë opozitës, në zgjedhjet e 23 qershorit? Nëse po, Saliu meriton një OSCAR.


E supozuar si skenar i Berishës, logjika ka këtë rrjedhë: së pari duhej tërhequr vëmendja publike dhe duhej fituar besimi i njerëzve. Krijimi i një kauze do t’i shërbente më së miri kësaj. Spahiu i afrohet si një kalorës i Trojës opozitës, mbledh me sukses shqiptarët rreth kauzës që ka krijuar, krijon një frymë, spikat në sondazhe, në fund bëhet faktor, sa me nacionalizmin vulgar, aq edhe me mllefin metaforik kundër Berishës. Për të qenë edhe më shumë i besueshëm, e shan me rrënjë e me degë politikisht këtë të fundit. Bën paktin e nevojshëm, diversionon deputetë të sqaruar mirë në radhët e opozitës për rolin që do të kenë sapo ora të vijë. Dhe pastaj do ta ruajë momentin kur opozita të jetë bërë tapë nga pija e fitores së përbashkët për ta goditur pas shpine. Dhe pastaj, sorrat, bufat dhe qyqet e Saliut do ta pushtonin sërish qiellin shqiptar.


Por nëse nuk është i tillë, një skenar, vështrimet bien sërish mbi Spahiun. Nëse jo një shqiponjë, nëse jo e jo një sorrë, çfarë mbetet të jetë. Në njërin prej komenteve të shumtë në blogjet zhurmuese të shqiptarëve, dikush e ka quajtur Kreshnikun një harabel në dritare. A është i tillë? Votat që do marrë në 23 qershor do ta ndriçojnë më së miri, me një milion qiri drite këtë gjë.