Zamira Çavo – Napoleoni dikur thoshte se nëse dëshironi që të përhapni me shpejt një lajm, pëshpëriteni në vesh të dikujt. Berisha, si një politikan me përvojë, e di këtë më mirë se cilido tjetër. Ndaj sot, mes njerëzve gjendet patjetër dikush që të pëshpëritë se “Berisha e ka të fituar edhe këtë mandat!” Dhe ai që e thotë këtë, bën gjithnjë njeriun që “ka ca njohje të thella që i di mirë këto punëra”. Dhe kjo lloj “loje” politike nuk është se duhet nënvlerësuar. Po shtohen gjithnjë e më shumë dyshimet në fitoren e opozitës, madje këto dyshime, gati po kthehen në një frikë nga zgjedhjet. Sigurisht, një dyshimi të tillë i vjen në ndihmë dhe situata reale politike.
Natyrisht që rotacioni politik është një ndër elementët kyçë të demokracive. Megjithëse në mendimin tim demokracia nuk është thjesht rotacion, por vlerë dhe mënyrë tjetër drejtimi. Por le të mbetemi te rotacioni. Pas 8 vitesh në pushtet, dhe sikur të kishte shkëlqyer, Berisha duhet të largohet. Aq më tepër kur në 8 vite kemi mbetur jo thjesht në vend, por i kemi hapur edhe më thellë gropën vetes. Megjithatë, Berisha nuk ka dhënë asnjë shenjë se do ta pranojë këtë rotacion. Si politikan i regjur atij i takon që të tregojë forcën e tij dhe t’i mobilizojë militantët me besimin në fitore, por ndërkohë ai duhet të jetë i përgatitur për rotacionin. Dhe elementët më të dukshëm të kësaj përgatitjeje, do të ishin lëvizjet e tij brenda partisë, gjë e cila nuk dëshmon për pranim rotacioni. Pra Berisha seriozisht nuk është përgatitur për ta lënë pushtetin dhe kjo ka të bëjë me arsye personale dhe jo politike. Çfarë do të thotë kjo?
Së pari: Politikat populiste të rritjes së pagave, të uljes së taksave dhe të veprimeve të tjera, pa asnjë mendim ekonomiko-politik brenda, janë thjesht veprime që tregojnë se Berishës pak i intereson se çdo bëhet me vendin e popullin në vjeshtë. Madje, ai e di mirë se si do shkojë ekonomia si pasojë e këtyre veprimeve të papërgjegjshme, që ai vazhdon t’i quajë politika. Ai po e mbështet fushatën e tij elektorale pikërisht në këto premtime dhe veprime gati groteske, por që për njerëzit “ngjisin” më shumë sesa deklaratat e fryra me fraza të ndërlikuara për taksat progresive dhe të tjera të ngjashme.
Së dyti: Berisha është mjeshtër i manipulimeve dhe vjedhjes së votës. Asnjëherë nuk ka bërë zgjedhje të ndershme. Pra frika e njerëzve se ai do t’i vjedhë votat është ngulitur në kokën e militantëve të tij, por dhe te simpatizantët e opozitës. Pra ai ka arritur të krijojë një farë besimi te militantët demokratë se, sido që të vejë puna “ne do fitojmë” dhe sigurisht ka krijuar dyshimin tek opozitarët se, “sido që të votojmë ne, ky sërish do t’i vjedhë votat”. Deklaratat e lidershipit opozitar se “ne nuk do lejojmë që të na vjedhin votat” tingëllojnë jo fort besuese, përderisa një organ i tillë si KQZ është gjysmak dhe krejtësisht në duart e Berishës. Dhe lind menjëherë pyetja: A e ka menduar opozita veprimin reagues ndaj këtij organi të rëndësishëm? Nëse duhet riformatuar ky organ, unë garantoj se Berisha do ta ketë sërish në dorë, por nëse duhet plotësuar, opozita ka mundësi të reagojë me shpejtësi. Nesër do të jetë vonë. Sa për komisionerët, me ndryshimet që opozita e Ramës u ka bërë kandidatëve për deputetë, do ketë jo pak vështirësi për të gjetur këta kandidatë “njerëzit e duhur”, për t’i vënë komisionerë në KZAZ. Dhe po t’i shtosh kësaj situate faktin e një varfërie ekstreme, dhe të një presioni të jashtëzakonshëm që bën Partia Demokratike, duket se sa e vështirë do të jetë beteja e votës.
Së treti: Ndërkombëtarët si gjithnjë vijnë për “sehir” dhe jo për të vënë gishtin në plagët e procesit zgjedhor. Deklaratat e fundit të ODIHR-it dëshmojnë qartazi se këta vëzhgues do jenë sërish sehirxhinj për të treguar në fund se “këto zgjedhje janë me disa gabime, por më të mira se të kaluarat”. Këtë fakt Berisha e shfrytëzon për të mbajtur në ////////////////tiro njerëzit e tij. Faktit real se faktori ndërkombëtar e ka izoluar atë politikisht, ai i kundërpërgjigjet me mendimin se “ne e dimë që do fitojmë dhe ata në fund do na besojnë”. Kjo nuk është fort pa ndikim. Ushtarët e tij (intelektualë) në ndryshim nga ata që Rama i përjashtoi nga listat, jo vetëm që iu bindën vendimit të Berishës, por dhe filluan punën për “fitore”. Pra Berisha mjeshtër i demagogjisë ka krijuar idenë te të tijtë se “unë di ca më shumë gjëra me ndërkombëtarët, sesa ju”.
A e di Berisha se mund të humbasë dhe duhet të humbasë në këto zgjedhje? Sigurisht që po. Por sikundër thashë më sipër, ai kërkon domosdoshmërisht të mbetet faktor politik. Pra ai do vazhdojë të jetë në politikë, pasi vetëm kështu mund të realizojë arsyet personale pse nuk do ta lëshojë pushtetin. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë që dhe po e humbi pushtetin, ai sërish do mbetet në politikë si kryetar i Partisë Demokratike. Për rrjedhojë, ai do të bëjë gjithçka që brenda gjashtë muajve të parë, të ngrejë në këmbë popullin, që me siguri, si pasojë e politikave të papërgjegjshme të tijat, do jetë në një periudhë shumë të vështirë ekonomike. Berisha është mjeshtër i përdorimit të dhunës. Dhe kur e ka bërë gjatë pushtetit, në opozitë e ka treguar se e bën jashtë çdo lloj parashikimi normal politik. Ndaj Berisha duhet larguar nga politika. Ai nuk duhet të mbetet më faktor politik. Është detyrë e opozitës ta nxjerrë jashtë politikës. Mundësitë janë. Nëse me popullin flitet hapur, me gjuhë të thjeshtë dhe faktike, nëse pas marrjesh së pushtetit Berisha nuk gjykohet politikisht dhe penalisht për krimet që ka bërë ndaj këtij vendi, Berisha do ta realizojë qëllimin e tij jo më me pëshpërima, por me veprime konkrete.