MUSTAFA NANO
“Nuk mund të sulmohet një gjykatë e tre gjyqtarë në këtë mënyrë; kështu nuk mund të shkohet asgjëkund”, të thonë sot njerëz në mbështetje të mazhorancës, që e gjejnë veten krejt papritur të futur në llogoren e ngrohtë e të rehatshme të mbrojtësve të ligjit, të Kushtetutës e të institucioneve. Duket si një frazë e paqortueshme. Dhe e vërteta është se një vendim gjykate është një vendim gjykate, d.m.th pranohet pa një, pa dy, dhe nuk mund të shoqërohet me fushata histerike, me thirrje linçuese, me fyerje të padëgjuara. “Ku doni të arrini me këtë sjellje?”, dëgjohen të thonë ata. “Janë gjykatat ato që vendosin, dhe nuk ka rrugë tjetër për të gjetur të drejtën”.
S’ke ç’t’u thuash, apo jo? Mund t’ua japim këto fraza të tyre konstitucionalistëve më të regjur e scholar-ëve më të mirë në lëmë të politikës, të shtetit, e të demokracisë dhe, teksa informohen mbi këto fraza të zhveshura prej çdo konteksti, të gjithë do thonë të njëjtën gjë: “Janë qëndrime që s’kanë të sharë; në një shtet të së drejtës gjykatat nuk mund të sulmohen në këtë farë feje; mund të mos biesh dakord me vendimet që ato marrin, por ato vendime duhen pranuar, pasi nuk ka instanca të tjera që mund të bëjnë punën e tyre; të refuzosh gjykatat, apo t’i rrethosh ato me presion, don të thotë të mbjellësh konfuzion e anarki”.
Mirëpo, ka shumë rëndësi konteksti (edhe shumë fraza të Enver Hoxhës, të shkëputura nga konteksti, mund të duken si të nxjerra nga goja e një Jefferson-iani). E në këtë mes duhet bërë se s’bën ndonjë saktësim kontekstual. Më e para gjë që duhet thënë është shumë e thjeshtë. Në Shqipëri nuk funksionon një shtet i së drejtës, nuk ka pushtete të ndara, nuk ka institucione publike e shtetërore të besueshme e të pavarura nga qeveria, s’ka gjë se një pjese të madhe të këtyre institucioneve, gjykatave po se po, u njihet me Kushtetutë kjo pavarësi nga ekzekutivi e nga mazhoranca qeverisëse. Në Shqipëri ka kohë që ka filluar instalimi i një regjimi, që ka dy karakteristika: 1. Opozita lejohet të ekzistojë, të ngrejë zërin, të bëjë të njohura idetë e veta, të denoncojë paudhësitë e zullumet e qeverisë, të marrë pjesë në garën demokratike, etj., por nuk lejohet të marrë pushtetin; dhe 2. Të gjitha institucionet janë të kontrolluara nga ekzekutivi. Jemi në rrethanat e një regjimi iliberal, për të cilin flet Fareed Zakaria, dhe në të cilin – është tronditëse përputhja mes përkufizimit zakaria-ian dhe realitetit shqiptar, e në këtë kuptim regjimi shqiptar është “da manuale” – sundimtari (një individ apo një parti, që ka nën kontroll gjithë jetën nacionale, publike, politike, institucionale) ia del të fitojë gjithnjë e pa asnjë problem zgjedhjet e të qëndrojë qetë-qetë në pushtet. Pse? Sepse ka në dorë të gjitha institucionet, të cilat edhe përbëjnë koracën që e mbron ndaj çdo tentative për ta vënë përballë përgjegjësisë për zullumet që bën, edhe i japin vlerë legale manipulimit të rezultatit elektoral, që e mban në pushtet.
Ky regjim iliberal nuk është krijuar këto ditë; përkundrazi, është krijuar në harkun e disa viteve nën vështrimin e heshtur mirëkuptues, apo nën inkurajimin e hapur, të mbështetësve të regjimit, e këtyre që sot kanë veshur kostumin chic të mbrojtësve të institucioneve, por edhe të atyre që sot shfaqen të tronditur nga kjo që po ndodh (sidozot, ambasadori amerikan). Kush ka inkurajuar, me heshtje apo me bujë, ngritjen e këtij regjimi, nuk ka se si të flasë për mbrojtjen e institucioneve. Të cilave institucioneve? Të atyre që janë në shërbim të regjimit? Të atyre që janë krijuar me synimin për ta përjetësuar këtë regjim? Jo, faleminderit!
Kështu që, këtyre dashnorëve “të përgjëruar” të institucioneve u duhet thënë: Është tepër vonë për të marrë poza e për të shitur dëngla të tilla. Beteja në mbrojtje të institucioneve nuk mund të jetë një betejë sezonale. Ku kanë qenë këta njerëz me stil e stof medemek institucional e konstitucional deri ca kohë më parë, pa u krijuar tamam regjimi iliberal, kur institucionet i sulmonte dikush tjetër, njëfarë robi me emrin Sali Berisha (iu thotë gjë ky emër?), dhe e bënte në mënyrën më brutale të mundshme? Si mund të dalin në mbrojtje të institucioneve ca njerëz që bënin sehir, kur Kryeprokurorja etiketohej “putanë”, kur Presidenti etiketohej “horr”, kur të parit të opozitës i thuhej “provoje dhe njëherë, dhe do ta shohësh se ç’do të të gjejë; si një bandit kam për të ndëshkuar”, kur të tre u shpallën arkitektët e organizatorët e një puçi fantomatik, kur iu tha “jo” shkresës së prokurorisë që urdhëronte ndalimin e gjashtë eprorëve të Gardës së Republikës, etj., etj?
Ç’duhet bërë në këto rrethana? Personalisht, nuk e shoh si një zgjidhje agresionin mbi institucionet e drejtësisë, mbi gjykatat, mbi gjyqtarët, apo në rastin fare konkret, mbi tre gjyqtarët e çështjes (Më duhet të pohoj, se titulli “Pështyjeni” i shkruar mbi fytyrën e kryetarit të trupës gjykuese, me të cilin u hap e përditshmja “Dita” një ditë pasi u mor vendimi i Gjykatës lidhur me çështjen e 21 janarit, ndonëse ishte reagimi më adekuat që pritej nga një gazetari opozitare, ishte shumë i fortë edhe për sytë e mi). Nuk e shoh si një zgjidhje, pasi një agresion i tillë krijon një klimë të frikshme mosbesimi e delegjitimimi të sistemit të drejtësisë, e në këtë klimë gjyqtarët, ashtu si dhe përfaqësuesit e institucioneve të tjera, detyrohen të kërkojnë strehë edhe ca më shumë, për një kundërveprim instiktiv vetëmbrojtjeje, nën çatinë e këtij regjimi. Përveç kësaj, nën sulmin en bloc të bërë nga ana e opozitës dhe e medias, i gjithë sistemi institucional, sidomos ai i drejtësisë, s’e ka për gjë të fillojë ta shohë qeverinë si një aleat nga halli, për rrjedhojë vihet edhe më shumë në shërbim të qeverisë. Ka dhe më. Kështu krijohet dhe një precedent i keq, mbi bazën e të cilit nesër mund të organizohen agresione të tjera mediatike e politike mbi të njëjtat institucione.
Por nga ana tjetër, reagimi i dobët dhe i belbët në situatën, kur gjykatat e gjyqtarët e trembur, të kërcënuar apo të blerë “nuk arrijnë të gjejnë” dot autorët e një krimi që u bë sheshit, në mënyrë arrogante, nën vështrimin e kamerave televizive, nga një qeveri që drejtohet në mënyrë banditeske, kundër katër vetëve, që ishin të pafajshëm, të paarmatosur, të parrezikshëm, reagimi i dobët në këto rrethana pra do të ishte një zgjidhje më e keqe, e do të ishte mënyra më e mirë për të inkurajuar ata që e kanë vënë përfund këtë vend e këtë shoqëri. E prandaj, ndonëse mes ndërdyshjesh e skrupujsh, më duhet të them se të denoncosh fort e t’u japësh munxët ca institucioneve të korruptuara e të kalbura duke marrë në sy rrezikun e paralizimit dhe të asfiksimit për fare të tyre, është më mirë se sa t’i mbrosh ato me idenë se kështu ruhet një minimum i rendit e stabilitetit institucional.