Keti Bazhdari – Nëse u referohemi të dhënave historike mbi përndjekjen politike në Shqipëri, në 70 vitet e fundit, rastet nuk mund ta lënë jashtë periudhën e çorganizimit të organizuar, pothuajse 22-vjeçar në Shqipëri. Nëse gjithçka, duke nisur që nga ligji e deri te zbatimi i tij, kanë qenë krejtësisht dhe qëllimisht të paqarta në këto 22 vjet, zhgrylja dhe lëmshimi i historisë së afërt të përndjekjes politike është organizuar me një qartësi dhe vullnet të hekurt nga ana e atyre që pasuan pushtetin postdiktatorial. Kjo për arsyen, jo që të kishte kalim të butë të pushtetit, por që të mos kishte fare kalim dhe këtu nuk bëhet fjalë për komunistë dhe ballistë, nuk bëhet fjalë për parime të majta, të djathta e të qendrës, këtu bëhet fjalë vetëm për kapje, mbajtje dhe shfrytëzim satanik të vullnetit të njerëzve, në dëm të tyre dhe në leverdi të vetvetes. Po, po të vetvetes, se një ishte Zogu, një ishte Enveri, një është Saliu, të tjerët janë vegla, pa personalitet, që përdoren, kuptohet kanë skadencë sepse “teknologjia sa vjen e përparon” dhe ata nuk mund t’i zënë vrimat për gjatë me prezencat e tyre të spanuara, Saliut do t’i duhet t’i ndërrojë, por ajo çfarë Saliu nuk mundi të ndërrojë kurrë është provenienca e tij prej vegle të përdorur përgjatë diktaturës enveriste, dhe falë egos së tij të sëmurë, Saliu hartoi skenarin më sadist të mundshëm, atë të asimilimit dhe talljes me viktimën, si një felin i zbutur me kamxhik, ai vrapoi të grumbullojë simbolet e persekucionit politik në një dorë, dorë të cilën do ta tundte e shkundte më fort se Enveri, për 22 vjet me radhë. Por a thua do të mund të rezistonin aty brenda shpirtrat e lirë të persekucionit të vërtetë, ata të cilët s’e patën problem të shkojnë deri në zgrip të jetës për ideale?! Jo ore, grushti i kryetarit të dalë me koniunkturë, si kaposhi i Partisë Demokratike, do mund të mbante brenda veç ata pak të mjerë që rridhnin nga një historik përndjekjeje politike, por që ia kishin shitur shpirtin djallit që në atë kohë dhe kishin nevojë të hynin nën ombrellën e një simboli për të mos rënë në sy tek e tek. Të gjithë ata që e donin dhe kishin luftuar me jetën e tyre për të mirën e Shqipërisë do të distancoheshin nga ish-sekretari i partisë dhe s’do të lejonin kurrsesi që ai t’u asimilonte simbolin e marrë me zor, atë të antikomunistit. Enveri i ri, që përdëllehej në kopshtet dhe prehrin e Enverit të vjetër, nuk mundet të rrojë aq gjatë sa të mund të mashtrojë disa gjenerata, të cilave për 50 vjet iu mor shpirti nëpër burgjet dhe kampet e atij sistemi, por që përgjatë këtyre 22 vjetëve u morën peng nga vetë ai, duke i përçarë, duke i mashtruar dhe duke i mohuar në të drejtën e tyre. Shqipërisë dhe shqiptarëve u duhet një elitë e mirëfilltë drejtuese, që zotëron mbi të gjitha dinjitetin dhe zotësinë për ta udhëhequr Shqipërinë në një rrugë jashtë kësaj, pa krye, ku kemi mbërritur sot dhe ku në bazë ka dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare.


Dekomunistizimi i shoqërisë nuk është një koncept abstrakt, por lidhet pikësëpari me ndërtimin e një demokracie funksionale, ku me votën tonë të lirë të vendosim për programin më të mirë dhe politikanët më të besueshëm dhe ku nuk jemi të detyruar t’u përulemi, për bukën e gojës, “simboleve pagane” që mbart sigla e një partie apo një tjetre.


Ndaj ne si Parti Socialiste kemi në thelbin e programit tonë qeverisës, dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare, si shprehje e një modeli demokratik europian, larg sistemit parti-shtet si model i mbartur i luftës së klasës, ndërsa bashkëpunojmë së bashku për të ndërtuar shtetin shqiptar, larg korrupsionit, klientelizmit politik. Çdo gjë do të fillojë nga shërimi i plagëve të së kaluarës. Për Partinë Socialiste, e shprehur kjo fort në programin tonë për një Rilindje Shqiptare, borxhi moral, ekonomik dhe social që kjo shoqëri ka me ish të përndjekurit politikë vijon të mbetet jo vetëm i hapur, por edhe është thelluar.


Ne u premtojmë shqiptarëve dhe në veçanti ish të përndjekurve politikë që me ardhjen tonë në qeveri, ky borxh do të shkojë në ezaurim total dhe dinjiteti i këtyre burrave dhe grave qëndrestare të lirisë do të jetë në piedestal.


Ne në programin tonë për një Rilindje Shqiptare u premtojmë ish të përndjekurve politikë dëmshpërblim ekonomik transparent, prioritar në varësi të viteve të dënimit, me një këst dhe duke vlerësuar shkallët e vuajtjes së përfituesve, duke u dhënë prioritet të veçantë atyre që kanë vuajtur vetë dënimin dhe më pas trashëgimtarëve. E gjithë skema jonë ekonomike që do të aplikojmë për ish të përndjekurit do të përmblidhet në katër vite dhe do të respektojë përfitimet vetëm nga vlerat reale të shitjes së letrave me vlerë në treg, si edhe do të marrë parasysh si vlerë të privatizimit të shtëpive, vlerat që këto shtëpi kishin në vitet e privatizimeve masive të banesave shtetërore.


Rehabilitimi moral përbën një element kyç në themelin e ndërmarrjeve tona në qeverisjen e ardhshme për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare. Ne do të ngremë një institucion europian të kujtesës historike që do të dokumentojë dhe bëjë të aksesueshme për publikun historinë e persekucionit nën regjimin komunist, në fokus të veçantë do të kemi rishikimin e teksteve të historisë me një këndvështrim realist për sa i përket veprës dhe vlerave të të përndjekurve politikë, si dhe dënimin e figurës së diktatorit.


Ne do të bëjmë të mundur ngritjen e varrezave monumentale për të gjithë ata që u pushkatuan nga regjimi komunist si dhe do të krijojmë të gjitha lehtësitë ekonomike dhe administrative nga ana e qeverisë për gjetjen dhe nderimin e eshtrave të të pushkatuarve dhe të burgosurve, do të shndërrojmë në muze burgjet dhe kampet e diktaturës, për të mos harruar gjenocidin komunist.


Përveç detyrimeve që do të na dalin nga ligjet dhe konventat për dëmshpërblimin material dhe moral të kësaj shtrese, integrimi social është dhe do të jetë detyrë parësore e jona duke i dhënë përparësi kësaj shtrese në strehim, në punësim dhe në të gjithë sektorët e tjerë socialë-ekonomikë.


Në vëmendjen kryesore të një programi social ashtu siç është programi i Partisë Socialiste për një Rilindje Shqiptare, është integrimi social i ish të përndjekurve politikë, me qëllim krijimin e mundësive reale për një pjesëmarrje në stad të barabartë me pjesën tjetër të shoqërisë, duke respektuar statusin e ish të përndjekurit politik, duke ofruar të gjitha shërbimet publike për ish të përndjekurit, të subvencionuara nga shteti, si dhe duke krijuar azile të veçanta për ata ish të përndjekur, të cilët nuk kanë asnjë të afërm që mund të kujdeset për ta.