ERMELINDA MEKSI


Margaret Thatcher ishte një politikane e pazakontë, që la një emër me histori në politikë, duke lënë trashëgim bindje që ende rezonojnë në shumë vende të botës.


Ermelinda MeksiPolitikat e saj nuk ishin taktike ose me interes elektoral për të siguruar zgjedhjet e ardhshme. Votuesit e pranuan, jo sepse e pëlqenin, por sepse besonin se ajo ishte e nevojshme.


Margaret Thatcher u diplomua për Kimi në Universitetin e Oksfordit, ku edhe filloi për herë të parë aktivitetin në politikën konservatore. Ajo hyri në Parlamentin britanik më 1959, kur në ekonomi dominonte politika sociale e tregut. Ishte koha kur politikanët vepronin të frikësuar nga papunësia masive e viteve 1930, dhe konsideronin punësimin e plotë si objekt thelbësor të jetës politike. Politika e punësimit “të plotë”, detyronte qeveritë e njëpasnjëshme, Laburiste dhe Konservatore, të ndërhynin gjithnjë e më shumë në ekonomi, që nga vendosja e pagave deri te diktimi i çmimeve. Kjo u shoqërua me shkatërrimin e ndërmarrjeve private dhe lirive ekonomike të mbështetura nga konservatorët. Thatcher ishte e frymëzuar nga ekonomisti liberal Friedrich Hayek, kur u emërua sekretare për arsimin në qeverinë e Eduard Heath në vitet 1970-1974. Qeveria e Heath adaptoi një qasje liberale në menaxhimin ekonomik, por e detyruar nga papunësia që arriti 1 milion, ajo rriti shpenzimet për të ulur papunësinë, në një kohë që inflacioni arriti në 25%, kohë kur njerëzit nga pasiguria filluan të grumbullojnë ushqim. Në këtë kohë, zonja Thatcher argumentonte se vetëm tregu i lirë do të shpëtonte vendin. Politika, tejet të guximshme për kohën në 1975, u bënë axhenda e saj për 15 vitet e ardhshme, pasi ajo u zgjodh në krye të konservatorëve, si e para grua e zgjedhur në një pozitë kaq të lartë në politikë.


Thatcher mbështeste idenë se shoqëria duhet të inkurajojë dhe shpërblejë ata që marrin përsipër riskun, pra sipërmarrësit, të cilët janë ata që krijojnë pasurinë dhe pa të cilat qeveritë nuk mund të bëjnë asgjë, e aq më pak të ndihmojnë të dobëtit. Një vend mund të përparojë vetëm duke inkurajuar njerëzit për të kursyer dhe shpenzuar, por jo më shumë se fitojnë. Thelbi i thatcherizmit ishte një shtet i fortë dhe një ekonomi të lirë. Ishin rusët të parët që, ndërsa u përpoqën ta quajnë atë me tallje “Zonja e Hekurt”, dështuan, sepse ajo e përdori këtë në avantazhin e saj, duke fituar zgjedhjet e 1979, dhe duke u bërë e para Kryeministre britanike më 1979 dhe figura më e vendosur në politikën e pasluftës.


 


Private vs publike


Britania, kur Thatcher u bë Kryeministre, dukej një sfidë e pamundur. Ekonomia e saj në atë kohë u ngjante ekonomive të sotme periferike të Europës, si Spanja dhe Greqia. Më 1976, Britania e Madhe kishte qenë e detyruar të kërkonte ndihmën e Fondin Monetar Ndërkombëtar. Greva masive dhe shkurtime të energjisë përkeqësuan ekonominë në periudhën 1978-1979, që njihet si periudha “e dimrit të pakënaqësisë”. Sektori publik në vitin 1979 përbënte pothuajse 30 për qind të forcës së punës, krahasuar me 20 për qind sot. Ndërsa niveli i taksave arrinte në 83 për qind, krahasuar me 45 për qind sot. Uzinat shtetërore të prodhimit të çelikut, minierat e qymyrit dhe shumica e industrisë së makinave, funksiononin pa efektivitete dhe pjesa më e madhe subvencionohej nga taksat e mëdha, për shkak të administrimit të tyre me humbje.


Si Kryeministre Thatcher rimodeloi ekonominë dhe biznesin në Britani. Ajo i fragmentoi sindikatat e punës me një stil gati ushtarak. Hoqi subvencionet e minierave dhe uzinat e çelikut, duke shpënë në humbjen drastike të vendeve të punës për qytete të tëra. Papunësia arriti deri në 3 milionë, ose rreth 12 për qind të fuqisë punëtore. Kjo politikë e ashpër e bëri Thatcher, Kryeministren më antipopullore. Kërkesës së disa kolegëve konservatorë për t’u tërhequr nga këto politika të ashpra, ajo iu përgjigj me largimin e ministrave të trembur, duke vazhduar shkurtimet e shpenzimeve në buxhetin e vitit 1981, në një kohë që ekonomia ishte prekur nga recesioni global. Më pas vijoi me rregullime thelbësore strukturore në ekonomi që u shoqëruan në vitin 1984 me fillimin e privatizimeve të mëdha, kur kompani shtetërore si “Telecomi” britanik, linja ajrore “British Airways” dhe “British Gas” u privatizuan. Individët u inkurajuan për të blerë aksione, duke krijuar kështu imazhin e “kapitalizmit popullor”. Suksesi i këtyre politikave e bëri atë, së bashku me Ronald Reagan, përkrahësit më të dalluar të ringjalljes së kapitalizmit në botë.


Megjithëse Thatcher ishte produkt i kohës në të cilën jetoi, vetëm një politikane me karakterin e saj mund të bënte ato që ajo bëri.


Si drejtuese ajo u karakterizua nga një vendosmëri e pamëshirshme, veçanërisht në rastin kur sfidoi Sindikatën Kombëtare të Minatorëve, një sindikatë shumë e fortë me 1 milion anëtarë të drejtuar nga Arthur Scargill, me argumentin se qeveria mbronte të drejtën për të menaxhuar pronat e saj, përkundrejt përdorimit arbitrar të pushtetit sindikal, që, sipas saj, e kishin bërë vendin të paqeverisshëm. Nga perspektiva britanike, kjo ishte një fitore shumë e rëndësishme që nuk ishte arritur ndonjëherë. (Mendoni për një çast si mund të ishte perspektiva e minierës së Valiasit në vitin 1991, sikur të ishte adaptuar politika thatcheriane). Megjithëse një kundërshtare e qeverisë së madhe, politika e saj shtrënguese ndaj qeverisjes lokale që injoroi pushtetin e të zgjedhurve lokalë, (ku laburistët dominonin në shumë qytete britanike), realisht solli zgjerimin e pushtetit të saj. Zonja Thatcher transformoi jo vetëm partinë e saj konservatore, por gjithë politikën britanike. Këmbëngulja dhe entuziazmi i saj për privatizimin nisi një revolucion global, kurse vendosmëria e saj kundër totalitarizmit ndihmoi për të sjellë fundin e Bashkimit Sovjetik. Politikani britanik, Winston Churchill, hyri në histori si një nga fitimtarët e Luftës së Dytë Botërore, kurse Margaret Thatcher, për faktin së krijoi një “teori” të vetën, thatcherizmin.


Thelbi i thatcherizmit ishte kundërshtimi i status quo dhe promovimi i lirisë. Sipas saj, kombet mund të bëhen të mëdhenj, vetëm nëse individët janë të lirë për të drejtuar jetën e tyre, veçanërisht nga keqmenaxhimi i shtetit.


Impakti “Thatcher”


Laburisti Tony Blair përfitoi më shumë prej filozofisë Thatcher se sa vetë pasardhësi i saj, John Major. Me sindikatat e dobësuara dhe një të majte të diskredituar, ai arriti të rimodelojë Partinë e tij Laburiste, duke arritur një shumicë dërrmuese në zgjedhjet e vitit 1997, dhe duke qëndruar në pushtet për 13 vjet. Me përjashtim të disa masave emergjente të marra në prag të krizës së fundit financiare, në Britani nuk ka pasur lëvizje për rishtetëzim të industrive ose për të rifilluar një politikë tjetër nga laburistët. Për shkak të politikës së Thatcher, politika britanike ka lëvizur në mënyrë të dukshme në të djathtë. Laburistët e rinj të viteve ‘90 arritën në përfundimin se mund të shpëtonin Partinë Laburiste nga rrënojat vetëm me pranimin e parimeve qendrore të thatcherizmit. Prandaj Blair deklaroi se “aktiviteti ekonomik është më mirë t’i lihet sektorit privat“. As ai dhe as pasuesit e tij nuk kërkuan kthimin e nacionalizimit të pasurive të privatizuara nga Thatcher apo dhe fuqisë së dikurshme sindikale.


Zonja Thatcher ka pasur një rol të rëndësishëm në skenën botërore. Në këtë periudhë, marrëdhënia anglo-amerikane qe e veçantë dhe ndihmoi për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë. Shumë vende postkomuniste përqafuan teorinë e saj, duke hapur rrugën e privatizimeve të gjera në ekonomi. Nga Rusia në Indi dhe vendet e Amerikës Latine, qeveritë përqafuan liberalizimin e tregut, sipas shembullit britanik.


 


Thatcherizmi sot


Shumë nga çështjet që adresoi zonja Thatcher vazhdojnë edhe sot të krijojnë debat. Roli i shtetit në Britani, pas një periudhe vetëpërmbajtje, është rritur. Deficitet janë rritur gjithashtu. Marrëdhënia midis disa kompanive (veçanërisht bankat) dhe qeverisë janë bërë shumë të ngushta. Sot, shumë nga politikat e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi janë larg nga parimet e Margaret Thatcher. Megjithëse shumë të tjerë thonë se ato parime hapën rrugën e merkatokracisë apo rolit absolut të tregut që përshpejtoi krizën aktuale globale. Kjo është edhe një nga arsyet që në pjesën më të madhe të vendeve të pasura, është rritur ndjeshëm vitet e fundit pjesëmarrja e shtetit në ekonomi. Rregullore të shumta, megjithëse të nevojshme, kanë shtrënguar aktivitetin në sektorin privat. Me rritjen e fuqisë ekonomike të Kinës në nivel global, roli kontrollues shtetëror dhe jo liberalizimi ekonomik po përshëndetet si një model për vendet në zhvillim. Në ditët e sotme kur botës i nevojitet si asnjëherë rritja ekonomike për të kapërcyer krizën globale, ndërhyrja e tepruar e shtetit në ekonomi është bërë objekt i debatit në mendimin ekonomik bashkëkohor mbi drejtimin e duhur ekonomik. Eksperienca europiane ka treguar se lulëzimi ekonomik europian ka ecur me rritjen e lirisë së tregjeve të saj.


Në mbyllje të këtij shkrimi dua të nënvizoj se megjithëse personalisht nuk pajtohem me një pjesë së filozofisë së saj, nuk mund t’i rezistoj vlerësimit për lidershipin e saj, që më shumë se në interesin për zgjedhjet e radhës, u përqendrua në fuqizimin e së ardhmes së vendit të saj.


Nuk është e rastit që kryeministri britanik David Cameron, në nderim të kujtimit të saj, dy ditë më parë, tha se “Ajo jo vetëm e ndryshoi vendin, por e shpëtoi atë”.


Këtij testi sot nuk e kanë të lehtë t’i përgjigjen homologët e saj për të njëjtat sfida të ekonomisë globale.