EDA SEJKO


Tirana… Tek eci rrugëve të këtij qyteti, më qëllon të kaloj te kjo lagje e më kujtohet sesi kalova fëmijërinë këtu. Asokohe kjo lagje, ishte shumë e rregullt, e shumë e pastër, pothuajse njiheshim të gjithë. M’u kujtuan orët që kalova mes fletësh e mes librash, m’u kujtua shkolla ime e parë “Mihal Grameno” dhe sa herë në mënyrë vullnetare dilnim e pastronim së bashku me prindërit këtu. Më ra ndërmend se me sa mundim kaloja bashkë me tim vëlla çdo mëngjes përroin e Palëpoçes për të shkuar në shkollë pasi ai përrua ishte kthyer në moçalishte, m’u kujtua kur rreth viteve ’87-’88 e mbyllën atë përrua dhe më pas në demokraci u ndërtua në po atë vend ku dikur kalonte përroi, tregu elektrik, më erdhën ndërmend mësueset e mia të letërsisë dhe ndjeva mall dhe nostalgji. Do të më pëlqente të vazhdoja të flisja me ju për Tiranën time, atë të dikurshmen atë të sotmen, atë Tiranë e cila ka filluar të banohet nga qytetarë nga të tërë rrethet e Shqipërisë, do të më pëlqente të flisja për ata qytetarë të Tiranës, të cilët një i njohuri im, i cili jeton në qendër të Europës disa ditë më parë nëpërmjet një mesazhi që më dërgoi u përpoq të më shpjegonte se sa i mëshironte, pasi i shihte ata si shumë të përdorur e si shumë të përbuzur. Do të doja të flisja për vendin tim, të cilin kur isha larg e mbaja në çantë në formën e një portofoli ngjyrë bezhë ku të vizatuar ishin shumë shtete e midis tyre në formën e një pike të vogël ishte Shqipëria, e sa herë hapja portofolin për të paguar e shihja Shqipërinë imagjinata ime shkonte te Tirana, te xhirot e gjata që bënim gjatë adoleshencës nga universiteti tek ura e madhe, tek era e blirit që mbushte rrugët kur vinte pranvera. Tek ai portofol shihja çdo gjë të bukur e çdo gjë të rregullt, pasi largësia e malli e kishte veshur gjithçka me një petk të hijshëm, largësia e malli ndërlikon dhe ngjarjen më të thjeshtë, largësia dhe malli kthen në ëndërr çdo gjë. Kur unë u ktheva në 2005 e gjeta qytetin tim të ndryshëm, nuk ishte më ai qyteti i qetë ku njiheshim të gjithë, por e gjeta më të pastër, pasi kur unë u largova në vitin 1999, ai rënkonte nga pluhuri i qindra kioskave të ndërtuara përgjatë Lanës, parkut “Rinia”, sheshit “Skënderbej”, të cilat asokohe po prisheshin ndërsa sot kanë kaluar rreth 6 vjet nga kthimi im e unë e shoh të zhurmshme e përsëri të pisët Tiranën time, shumë të zhurmshme e shumë të pisët. Dhe ndihem Tiranas bosh, i pavlerë, i papyetur, i pavërtetë ndërkohë që e dua qytetin tim ja njoh historinë, vlerat, të metat. Dhe habitem përse të jetë i gjithë ky kaos? Në heshtjen time fajtor kryesor (në ndryshim nga shumica të cilët për çdo gjë që s’shkon i kthejnë sytë nga politikanët) kam cilësuar edukimin e qytetarëve… Pasi eci rrugëve dhe shoh njerëz që pështyjnë përtokë si pa të keq, njerëz të cilët e kanë të vështirë të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe veç fyhen e bërtasin, shoh makina që ende nuk arrijnë të respektojnë krahun e tyre duke krijuar një trafik e një stres të paimagjinueshëm për Tiranën e vogël. Shoh autoshkolla që vërtiten në çdo rrugë të Tiranës dhe të periferisë së saj në çdo orar, dëgjoj buri makinash, të lehura qensh, zhurma të cilat nëse maten i kalojnë decibelët që mund të përballojë aparati ynë i dëgjimit. Dëgjoj britma fëmijësh të hareshëm, të cilët në pamundësi të këndeve të lojërave luajnë kudo, ndiej erën e plehrave të cilat kundërmojnë, pasi sidomos në periferitë e Tiranës, i gjen të hedhura ngado dhe nuk kuptoj përse e lidhin gjithmonë politikën me argumentet e mësipërme? Pasi në bërthamë të secilit prej tyre qëndron edukata qytetare. Çdo njeri mund të monologojë ose të komunikojë, mund të bërtasë ose të flasë, por në dorë e ka vetë ai, e kemi vetë ne… Polici rrugor mund të ndalë një njeri t’i bjerë burisë, por kur në rrugë ka 100 të tillë?! Mund të ndalë një makinë e cila ndalon keq, por kur në çdo 10 metra t’i ndeshesh me makina që pushojnë në vende të papërshtatshme, është përgjegjësia e policit apo e shoferit?! Dhe do të më pëlqente të flisja edhe për qytetarët e Shqipërisë, të cilët kanë vendosur të jetojnë jashtë saj, (kam qenë dhe unë në pozitat e tyre), ata kanë eksperiencë e kulturë të huazuar nga vendet ku kanë jetuar, janë shkolluar në këto vende, ndihen politikanë, artistë, shkrimtarë, mjekë, juristë, marangozë, ndërtues të aftë dhe ndoshta me të drejtë kanë ankesa më shumë nga të tjerët, por për të mirën e Shqipërisë, tonë kur kthehen së bashku me ankesat e shumta le të sjellin edhe eksperiencën e tyre të vyer të mësuar gjatë emigrimit te ky vend i vogël. Le të sjellin shembullin e qytetarit të Europës te vëllezërit e tyre. Dhe së fundi (për të mos e lënë fare jashtë politikën dhe meqenëse jemi përpara periudhës së zgjedhjeve) do ndaj me ju kohën kur çdo gjë në Tiranë ka një shije të hidhur që nga rrugët me pankartat e mëdha të kandidatëve që do të zgjidhen, katet e para, të cilat afërsisht të gjitha janë marrë me qira nga partitë politike të cilat kanë vendosur postera të ngjitura kudo, flamurët që valëviten jo shumë krenarë në tarracat e pallateve, minutazhet e shumta nëpër mediat kryesore shqiptare që flasin veçmas për politikë dhe atëherë mendoj “Ah sikur politikanët tanë të silleshin njësoj në çdo kohë jo vetëm para zgjedhjeve dhe sikur gjithë këtë “fushatë rrëmuje” ta minimizonin sadopak e ta zëvendësonin me punë të përhershme sistematike!? Mendja ime rri akoma më shumë te fjalët e mikut tim… Te qyteti im i cili ndihet i vrarë, pasi qytetarët e vetë, emigrantët, politika askush nuk e do këtë vend, por e përdor. E jo rrallë ndihem i pafuqishëm ndaj kisha një arsye më shumë për t’i ndarë me ju mendimet e mia. Të më përkasë vetëm mua apo dhe ti që po lexon këto rreshta do dhe me mënyra të ndryshme ndihmon që si fillim Tirana (si kryeqytet) por pse jo edhe Shqipëria jonë të jetë një vend model?