Fadil LepajaE pabesueshme! Lajmi ishte vërtetë tronditës. Nëpër portale thuhej se valltarja e famshme e njohur për të pasmet e saj, me vibrim, e paska lënduar një pjesë të ndjeshme të trupit të saj. Theksi, qy theksi, krejt pesha e titullit binte mbi fjalët “të ndieshme”. Cilën, është pyetja njëmilionëshe, e cila menjëherë të kafshon në tru dhe kërkon përgjigje të aty për atyshme. As një minutë mos na e vononi përgjigjen, se nuk e përballojmë dot, o portal. Ec e mos kliko mbi linkun tundues dhe premtues. Krejt kjo premton një argëtim gati sa një seancë parlamenti. Qysh edhe dihet publikisht, në këto rrethana financiare, dhe të izoluar politikisht dhe kulturalisht nga kontinenti mëmë ( e sipas disave edhe njerkë) , kosovarët, në kuptimin jo-provokues të fjalës, argëtimin kryesorë e kanë parlamentin. Ne në Prishtinë nuk kemi as “portokalli” as “Stop”, e as Çanin e madh…jo,nuk e kemi. Në fakt, i kemi, por shpesh po i shohim me përkthim. Edhe ata kanë ikur përpara njeri, më shumë flasin anglisht, italisht e greqisht sesa serbisht dhe turqisht, gjuhë të cilat i kuptojmë ne. Tash dallimi mes nesh është pikërisht këtu: ata nuk kuptojnë serbisht, dhe për këtë ndihen të kompleksuar. Sidomos i kompleksuar ndihet Edi Rama, i cili përpos se ka ambicie të jetë lider rajonal, ka një adhurim për autorët serb dhe sllav në përgjithësi. E tha vet, nuk është se po i veshim fjalë. Pastaj përse Edi të mos ketë ambicie rajonale? A nuk ishte njësh në Nish? Pra, nganjëherë, sidomos me humorin, mezi kuptohemi, e një disa raste për shkak të prezencës së fëmijëve po na duhet të vejmë edhe censurë. Ata italisht, e ne për inat ja “fusim” serbisht. Ne me ironi e ata me … duhet censurë or vëlla. E në parlamentin e Kosovës nuk ka fjalë të ndyta, dhe mundesh lirisht me e lënë televizionin publik të pakoduar, dhe programi mund të përcillet edhe nga fëmijët , pra pa kufizimin 18+. Nuk ka puthje, nuk ka sex, as gjëra tjera të këqija. Pastaj seancat janë aq edukative. Ka aq urrejtje, aq grindje, mosdurim, hipokrizi , gënjeshtra të gjitha këto janë veti që u duhen fëmijëve tonë, rinisë tonë me të cilën krenohemi se marrin pjesë me 70% në strukturën e popullsisë e ndoshta edhe në pushtet, me 10%. Kryesorja, nuk ka asi gjërash në parlament se këto kurrqysh nuk bënë me i mësua fëmijët tonë së paku jo pa i bë 20 vjet.


Shyqyr o Zot, fjalët më të ndyta që mund të i dëgjosh aty janë o tradhtar, o kriminel, o vrasës. Por me to jemi mësuar, tashmë. Jemi rritur me këngën e Danit “Moj tradhtare…”, me këngën e Selman Kadrisë, e të Hasan Fazlisë …mos të e harrojmë as këngën e Zagrebit. Populli ynë i dashur, tashmë nuk shkon më as në teatër, as në … askund vëlla! E ku të shkojë. Aktorët më të mirë i tash i kemi të mbledhur në politikë. Aty fitohet pakrahasueshëm më shumë. Miliona! Ku teatri kombëtarë e ku parlamenti edhe pse i ndajnë vetëm dy sheshe. Ky i dyti, me një derë anësore në gardhin e parlamentit edhe mund të anashkalohej dhe ashtu do të vije drejtpërdrejtë në teatër, dhe anasjelltas. Sidoqoftë, Qeveria është përballë, apo i bie të jetë pas shpine, pasi që dihet publikisht se ajo ndërtesë ishte projektuar mbrapsht qysh në kohën e ish autonomisë, kur shumë nga këta që sot janë në pushtet, ishin edhe atëherë. Por, na iku vegëza. Kështu edhe kureshtja mund të jetë shuar, por ju kurrsesi mos e injoroni artin dhe tronditjen fillestare, të shkaktuar nga lajmi i papritur, nga kreu i kësaj kolumne.


Pastaj, kureshtja është energji , dhe qysh e dini edhe vet dhe qysh dihet publikisht, kureshtja është vrasëse masive. Ajo akuzohet se e ka mbytur macen, siç thoshin dikur, menjëherë pas lufte në Kosovë. Me e vra një mace, apo na ruaj o zot , me e vra një qen endacak, gjithë populli ngrihet në këmbë i thirru nga shoqëria civile që përcjell shqetësimet e kontinentit dhe mbahet nga financa e pastër, që vjen nga kuletat e pastra të donatorëve të cilët nuk dinë çfarë të bëjnë me paratë. Shqetësohet edhe shteti i cili paguhet të ruaj qenët endacak nga qytetarët e papërgjegjshëm. Qytetarët edhe vriten, mes vete, madje vriten edhe në burg, por kjo nuk është punë e shtetit. Shteti merret me vetveten. Auto erotikë! Sido që të jetë, të kthehemi te lajmi, se hamendësimi është aq eksitues, dhe ngjanë me një telefon të harruar në xhepin e xhinseve, i cili befasisht fillon të dridhet, me shpresën se po thërret ajo. Kë pjesë e ka lënduar, ajo do të thoshin andej Bjeshkëve të Nëmura, ku ajo, po ashtu la nam me të pasmet me vibrim? Na kurse o Zot nga fatkeqësia e madhe! Nëse i ka ndodhur gjë me… po e dini de, mos na tregoni se nuk e përballojmë dot. Pastaj vjen fotografia. Çfarë lehtësimi kur e sheh , shëndosh si molla në rrem nën hijen e një Jeep-i të madh, dhe pastaj e sheh se krejt kjo tragjedi kombëtare ka të bëjë me gishtin e saj të mesëm, i cili siç e dimë ka kuptim ofendues kur ua tregon të tjerëve. Por, ajo, me emrin e saj prej arme ofensive të këmbësorisë, nuk ua tregon publikut gishtin e mesëm. Apo nuk ka çka tregon? Ajo e ka lëshuar pjesën e ndjeshme, të lënduar, lehtas, gati dhimbshëm mbi gjurin e saj. Ajo e ka lënduar atë, ose thënë më saktë e ka thyer . Jo gishtin! Thoin. Çfarë lehtësimi pas krejt asaj tendosjeje dhe hamendësimeve të pashpirta të artikullshkruesit rreth mënyrës se si ajo mund ta ketë lënduar thoin e sajë. Vërtet dukej keq ai thua , i këputur përgjysmë në mes thonjve të tjerë të paprerë me shekuj , apo të mbjellur! Mbillen thonjët, posi! Nuk e paske ditur? Qyqja , ngjanë me një heroinë nga poezitë e të madhit Dritëro! Nga koperativa e…! Kishte edhe lajme të tjera, këtë javë, por mos të ju lodhim të dashur lexues. Këtë javë ndodhi edhe një (vet)vrasje në burgun e Prizrenit, ku u gjend i vdekur, një djalë i ri, një i burgosur i cili mbahej në burg nën dyshimin se kishte qenë njëri nga pjesëmarrësit në sulmin me “Zollë” mbi institucionin kryesorë argëtues të vendit.


Pra, ndaj godinës së Kuvendit të republikës, më saktë pjesës ku gjendet Presidenca e Kosovës. Por shteti po punon, për të sqaruar situatën. Aty janë, në krye të detyrës të njëjtët gardian, drejtues burgu, madje edhe prokurorët e rastit. Askush më mirë se ata nuk mund të e dijë rastin, dhe do të zbardhin diçka. Për viktimat e politikës tashmë askush nuk ka kureshtje. Kanë mbetur lëndë aq të vjetra pa u sqaruar dhe kush ka kohë të merret me të rejat. Kryesorja, po flemë rehat. U dridh vendi, e doli të ishte vetëm një thua. Flej shteti, flej ne. Evropa nuk ka kah shkon, këtej pari do të jetë. Shihemi në facebook, njeri….!


16 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)