Artan MullajArtan Mullaj


Nuk ka gjë më të kobshme për një popull se sa ndjesia kolektive e inferioritetit!… Torta e Lulit ishte një nismë që Bashkia e Tiranës e hodhi në “tregun e përshtypjeve” si një ide gjeniale e kryetarit të saj. Mirëpo, për fat të keq, torta tregoi të kundërtën. Ashtu si dekori i vrazhdë, pa art dhe pa shije i Tiranës, me lecka dhe arkivole kuq e zi, me flamujt false dhe shqiponjat me kokë kuçedre, “Torta e Lulit” tregoi gjithashtu se sa mediokër, sa pa vizion dhe se sa i pamerituar është ky kryetar Bashkie. Bërja, ekspozimi dhe reklamimi i një torte gjigande në përmasa të çmendura, para një turme të uritur, (për babëzinë apo varfërinë e së cilës ka rolin e tij spektakolar edhe pushtetari Basha), ishte ide apo fantazi e një njeriu pa fantazi. Menaxhimi apo shpërndarja njerëzve e kësaj torte, siç rezultoi, ishte më e keqja që mund t’i dhurohej një populli në festë pavarësie. Me ndihmën e kryetarit të Bashkisë, fytyra e shqiptarëve sot është njollosur si kurrë ndonjëherë, pikërisht në festën më të madhe të shekullit. Është një njollë turpi, që nuk do mund të lahet kollaj deri në përvjetorin e radhës. Për shumë vjet, fqinjët tanë të afërt dhe të largët, miqtë dhe armiqtë tanë, do të kenë në përfytyrim imazhin e padurueshëm të babëzisë së një turme të uritur, të provokuar nga ideja “gjeniale” e një kryebashkiaku. Turma sulmoi jo tortën, por pikërisht këtë ide të materializuar në një tortë gjigante të pabërë kurrë më parë në planet. Për shumë kohë, ata do të na mendojnë si njerëz, që ndryshe nga të tjerët, nuk udhëhiqemi prej dy mësuesve sovranë, që janë DHIMBJA dhe KËNAQËSIA. Do të mendojnë se ne jemi një komunitet që udhëhiqemi nga URIA DHE BABËZIA. Kjo tortë nuk mundi të hyjë në librin “Guinness”, për madhësinë e saj, siç pritej, por për sasinë e babëzisë që një turmë ka shfaqur ndonjëherë, ndërsa me jargë, me duar, me tasa dhe legenë, iu sul pandispanjës për të shqyer e rrëmbyer. Mbase disa prej këtyre të huajve do të shkojnë edhe më larg. Do të fantazojnë se si në Shqipëri, realisht, rrëmbimi është kthyer në stil jete, në moto, në zakon, në institucion. Ashtu si rrëmbyen pa drojë e shtazërisht tortën e Lulit disa njerëz, (që shyqyr Zotit nuk përfaqësojnë realisht kulturën dhe urtësinë tonë), njëlloj, në heshtje, në errësirë, në pabesi, të babëzitur dhe të pamëshirshëm, pushtetarët e ditës, me thonj të gjakosur prej makthit për të pasur, rrëmbejnë votat, pushtetin dhe pasurinë e mbetur të këtij vendi.


Festa, dashuria për veten


Një masë e pabesueshme njerëzish shqiptarë, vërshoi drejt qendrës së Vlorës dhe qendrës së Tiranës, si për të provuar paqësisht fuqinë qiellore dhe vlerën e pamatshme të “frymës” që krijoi festa. Të ardhur nga gjithandej trojeve shqiptare për të festuar, ata lanë pas problemet e ditës, hallet e ditës, për t’i dhënë gjithashtu një mësim të çmuar politikës shqiptare. Nuk mund të prodhosh frymëzim dhe popujve nuk mund t’ju delegosh vullnetin tënd, nëse qasja drejt tyre nuk është e shëndetshme. Kur është i shëndetshëm, vullneti shndërrohet në frymë. Askurrë së fundmi, në tokën tonë nuk ka pasur një dëshirë kolektive të tillë, kaq të fuqishme mes shqiptarëve, për të ndjerë dhe ndenjur së bashku. Ç’gjë e krijoi frymën në atmosferën shqiptare të pavarësisë? Ç’fuqi, ç’dinamikë, ç’mister i shtyu të të mëdhenj e të vegjël të dalin në shesh? Përgjigjja është vetëm një: DASHURIA! Dashuria e instaluar thellë gjenit shqiptar për atdheun. Ndjesia e patriotizmit, aty ku ndihej, u zgjua befas mes vlimit të gjakut. Do duhej ky përvjetor për të kuptuar se njeriu shqiptar realisht ka mjaft arsye për t’u krenuar me etërit e mëdhenj të së shkuarës dhe me veten e tij. Shqiptarët duhet të jenë krenarë pikërisht për këtë përbashkim dhe për këtë dashuri, që e pat frymëzuar i madhi Skënderbe, që e patën ëndërruar të përndritshmit rilindës dhe e kishte firmosur 100 vite më parë i fismi, i heshturi, themeluesi i shtetit shqiptar, ISMAIL bej QEMALI.


Asgjë nuk mund të prodhojë aq mallëngjim sa emocioni i dukshëm i një turme. Njerëzit shikonin emocionin që kishin brenda shpirtrave të tyre, në fytyrat e bashkëkombësve të tjerë në sheshin kuqezi të kryeqytetit të pavarësisë, në Vlorë dhe në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë. Vështirë të provokohej me mënyrë tjetër kaq fort ndjesia e shqiptarisë, sa spontaniteti i këtij përbashkimi vëllazëror në sheshet e Shqipërisë. Sot jemi krenarë, sepse kemi kuptuar dëshirën për të ndenjur bashkë dhe festuar bashkë, pavarësisht ndasive, bindjeve, ideologjive, përkatësive dhe ashpërsive përkatëse në betejën e përditshme të luftës për ekzistencë. Ky vullnet popullor, për të ndenjur dhe ndjerë bashkë në sheshet e Shqipërisë, i shprehur kaq qartë, më shumë se gjithçka tjetër në histori, e bën të spikasë si një cilësi sublime, sigurinë për ekzistencën e kombit tonë. (se Zoti vetë e tha me gojë…) Në përvjetorin shekullor të shtetit shqiptar, ne sapo kemi hedhur një gur në themelin të historisë sonë: Jemi një shtet 100-vjeçar dhe sidomos, jemi krenarë për të dhe për dashurinë kolektive ndaj njëri-tjetrit. Si i tillë, ky përvjetor nuk ishte thjesht një përvjetor pavarësie, por një përvjetor shekullor dashurie për veten.


-Vlora dhe Tirana


Si për të interfeuar me misterin e dyzimit që përfaqëson shqiponja dykokëshe e flamurit tonë, polarizimi i festës ju bashkëngjit këtij misteri. Mos është dyzimi, karakteristikë gjenetike e nacionalitetit tonë? Apo më keq akoma, mos vallë përçarja është projektuar në vetëdijen tonë si një plagë e përjetshme që nuk ka për t’u mbyllur kurrën e kurrës? Dëmi gjenetik ka ndodhur dhjetëvjeçarët e fundit, apo është një reaksion instinktesh rebele të fshehur si hije mallkimi në gjakun tonë, qysh në ligjet e krijimit? … Kush mund ta thotë?


Ajo që spikati në festë, ishte mënyra se si mazhoranca e gëlltiti turpshëm pafuqinë e saj për të festuar dhe gëzuar së bashku… Në mënyrë qesharake, ajo u përpoq të zhvendosë rëndesën absolute të pavarësisë, nga Vlora në Tiranë. I preu fondet Vlorës. Hodhi paratë lumë në Tiranë, për të krijuar atje “shtetin” e festës, kur e kuptoi se në Vlorë, përkundrazi, ishte krijuar “fryma” e festës. Grumbulloi një pol militantësh për të krijuar përshtypjen hipokrite se vlonjatët, të mallëngjyer, po e prisnin Berishën në Vlorë siç u prit Skënderbeu në Krujë. U përpoq të sfidojë këngët e Labërisë në çdo shesh të Vlorës me skenën drithëruese ku në vend të Shakirës nuk këndoi Çiljeta, por Rita Ora. Tortën e thjeshtë simbolike të festës në Vlorë u përpoq ta sfidojë me Tortën e Lulit në Tiranë, madhështia e së cilës nuk prodhoi krenarinë e premtuar, por turp edhe babëzi pa kufi. Megjithëkëtë, siç e tha kryetari i Vlorës, Shpëtim Gjika, Vlora ishte, është dhe do të mbetet përjetë “kërthiza e pavarësisë”. Përse e bëri këtë Kryeministri i vendit? A mund të jetë urrejtje për Vlorën rebele të 97-s, siç thuhet – ky persekutim shpirtëror i një komuniteti që adhuron ashpër lirinë? Kush e di? Por, pavarësisht arsyes, a mundet një mllef provincial Kryeministri të shuajë frymën që buron nga vetë historia? Natyrisht që jo. Me gjithë përndarjen dhe përçarjen që mazhoranca synoi të instalojë për të kënaqur delirin e liderit të saj, megjithëse festa u nda në mes në mënyrë të turpshme protokollare, fryma e shqiptarëve nuk mund të ndahej, ishte një. Si shqiponja e flamurit, kjo frymë kish një trup, një shpirt, dhe dy kokë, njërën në Vlorë, tjetrën në Tiranë.