ALEKSANDËR ÇIPA 


Aleksander CipaNjë dëshirë reaguese më ka plotësuar së fundi padia e koordinuar shqiptare, nga Tirana dhe Prishtina në adresë të ish-kryeprokurores së Hagës, Carla Del Ponte. Rasti në fjalë vjen pas shprehjes së Gjykatës Ndërkombëtare për pafajësi të ish-(dhe kandidat aktual) për  Kryeministër, zotit Ramush  Haradinaj. Qeveria Thaçi dhe ajo Berisha  u shprehën gati në sinkron për këtë padi, e cila në llojin e vet është e para në marrëdhëniet mes Prokurorisë së Tribunalit të Hagës dhe qeverive me të njëjtën kombësi, të të dy vendeve.


Në pikëpamje të parë, kjo padi zyrtare është një akt reagimi institucional jo në kërkim të së drejtës morale të një lufte çlirimtare që zhvilloi populli shqiptar i Kosovës, por më së shumti është një veprim juridik dhe politik, me përmbajtje avokatie publike, në opinionin ndërkombëtar. Carla del Ponte, ishte një zonjë agresive e veshur me koracën e prokurores, ndaj protagonistëve të Luftës Çlirimtare në Kosovë dhe sidomos ndaj krerëve të lartë dhe personazheve më të shquara të UÇK-së. Formulimi zyrtar i padisë së qeverisë së Shqipërisë, mbështetur njëherazi edhe prej Presidentit të Republikës zotit Nishani, e shpreh më së miri konsistencën për komprometimin e qëllimit të saj në këtë çështje dhe ekspozon qartazi akuzën për lidhje të kësaj ish-kryeprokuroreje të Tribunalit me interesin e palës tjetër etnike, pra Serbisë. Madje, Kryeministri Berisha nuk ngurroi që në mbledhjen me Grupin Parlamentar të PD-së të shtonte: Ka rol tendencioz dhe se i kishte konfirmuar ish-kryeministrit serb, Koshtunica se shumë shpejt do të arrestonte ish- krerë të lartë të UÇK-së. Në këtë qëndrim pauses bashkohet edhe Presidenti Nishani, përmes njoftimit të zëdhënësit të vet në të cilin shton: “Zoti Haradinaj u përball dy herë me akuzat e ngritura nga ish-prokurorja e përgjithshme e gjykatës, znj. Carla del Ponte. Por ajo që po përbën lajmin më shokues këto ditë janë deklaratat e fundit të prokurorëve të njohur të kësaj gjykate, se akuza e ngritur ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorëve të tij nga prokurorja Carla del Ponte është hartuar pa bazë të mjaftueshme provash. Madje, ajo nuk ka marrë parasysh këshillat e prokurorëve të çështjes kundër ngritjes së aktakuzës për mungesë provash, madje duke kërkuar edhe fshirjen e këtij rekomandimi nga regjistrat kompjuterikë dhe shkarkimin e tyre nga çështja”.


Në të njëjtën linjë i mbetet padisë së vet edhe qeveria e Kosovës, e cila po shfaqet pasionante në këtë angazhim juridik ndaj ish-kryeprokurores së Hagës.


Në vetvete kjo sipërmarrje juridike përbën edhe një lëvizje të përbashkët të qeverive respektive të Kosovës dhe Shqipërisë. Në fundjavë, sipas analistëve europianë, kjo lëvizje pritet të diskutohet dhe komentohet posaçërisht, duke e konsideruar jo vetëm një lëvizje me efekte publiciteti ndërkombëtar, por e pashkëputur edhe nga konteksti i deklarimeve dhe platformave të tonuara zyrtarisht për bashkim kombëtar nga dy qeveritë shqiptare të dy republikave, njëra 100 vjeçe dhe tjetra rishtare, 10 vjeçe. Kritika për këtë padi të ndarë, por me të njëjtin qëllim, deri tani nuk ka në arenën ndërkombëtare. Ndonëse disa vëzhgues ballkanas e cilësojnë këtë si pjesë të një performance me përmbajtje elektorale dhe si hise të diplomacisë për konfirmim të një integriteti dhe dinjiteti të munguar shtetëror.


Natyrisht, që ky arsyetim nuk mund të përjashtohet. Qartazi, padia e ndërmarrë në sinkron nga qeveria Thaçi dhe ajo Berisha ndaj Carla del Pontes, nuk është e tillë ndaj raportit më të bujshëm antishqiptar, të publikuar nga Dick Marty dhe që për ditë të tëra shokoi opinionin dhe median ndërkombëtare. Madje ato akuza, edhe pse kanë shkaktuar buzëqeshje injoruese në Kosovë e Shqipëri, janë pjesë e një axhende hetimesh që vijojnë dhe që janë bërë gjithashtu pjesë e bisedimeve bilaterale mes Shqipërisë dhe Serbisë. Ndaj këtyre akuzave dhe sidomos ndaj argumenteve qesharake të ofruar gjatë vitit të shkuar dhe këtij që po mbyllet, nga përfaqësues të Prokurorisë serbe, nga vetë raportuesi Dick Marty apo përfaqësues të tjerë, do të duhej me kohë që qeveria e Shqipërisë të reagonte fuqishëm dhe prerë, sikundër bëri me lejimin e hetimeve të kërkuara. Madje në një aspekt moral, qeveria jonë me kohë duhej të ngrinte padi së pari ndaj akuzatorit ndërkombëtar, Dick Marty dhe më pas edhe ndaj Carla del Pontes. Kjo kurajë e vonuar mungon edhe në këto çaste, ndërkohë që për shkak të jehonës që ka pasur dhe sidomos ndaj efektit ndërkombëtar që ka shkaktuar ai raport, qeveria duhej të kishte nisur betejën e vet morale dhe juridike me kohë.


Emra të shquar të mbrojtjes së vlerave morale dhe integritetit shqiptar në botë, prej kohësh në intervista, prononcime dhe analiza për rastin e Dick Marty-t, kanë kërkuar një reagim institucional shqiptar më energjik dhe më dëshmues. Pasi ka ndodhur një përbaltje më e madhe se ajo e zhvlerësuara në rastin e ish-kryeministrit Haradinaj. Në librin e vet “Mbi gjakmarrjen në Ballkan”, shkrimtari i madh, Kadare, i mëshon qartazi kësaj të drejte shqiptare për të flakur me guxim dhe kryeneçësi akuza të tilla mashtruese dhe të sajuara. Nuk ka asnjë dyshim që një raport i tillë si ai i Dick  Martyt, I mbulon shqiptarët dhe sidomos ish-luftëtarët e UÇK-së me një imazh kriminal, vështirë të heqshëm me fjalë dhe me shfajësime propagandistike. Akuza ndaj zonjës del Ponte, duhet të jetë pjesë e akuzës dhe padisë ndaj raportit të Dick Marty-t. Në këtë mënyrë, kurajua dhe e drejta e jonë kombëtare dhe shtetërore bëhet edhe më e fuqishme dhe me mbështetje në rritje për shkak të besueshmërisë që shkakton dhe imponon e vërteta. Trajtimi I këtij raporti si një dokument që buron nga motive politike etnike apo  edhe për shkaqe të infiltrimit të interesave etnike e politike pranë organit të akuzës ndërkombëtare, na bën diletantë dhe të pafuqishëm në mbrotjen dhe shprehjen e së drejtës sonë. Raporti i paprovuar dhe i injoruar i Dick Marty-t, është tashmë një dokument që qarkullon më shumë se deklaratat mohuese, injoruese apo përgënjeshtruese të institucioneve dhe protagonistëve shqiptarë. Në shumicën e shprehjes së institucioneve tona për këtë raport, nuk ka pasur pothuajse fare mbështetje në mediat ndërkombëtare, ndërkohë që në takime të veçanta diplomatike dhe sidomos në komunikimet zyrtare mes krerëve të OKB-së dhe Tribunalit të Hagës, ende figuron e axhenduar kjo çështje. Dhe e ashtuquajtura “Shtëpi e Verdhë” në Burrel po merr dimensionin metaforik të filmit “Shtëpia e hijeve”, duke u shndërruar në një lloj kuptimi, një simbol i së keqes trafikuese të organeve njerëzore, që paska ndodhur gjatë kohës së Luftës në Kosovë.


Kuraja për të ngritur padi ndaj ish-kryeprokurores së Hagës është e vonuar, por nuk ka pse të mbesë e tillë ajo ndaj rastit të Dick Marty-t. Penaliteti moral që po na bën ky raport, në opinionin publik dhe atë institucional ndërkombëtar, është ndoshta shumë herë më i rëndë se ai ndaj procesit të ripërsëritur ndaj zotit Haradinaj. Për këtë shkak diplomacia shqiptare në Tiranë dhe në Kosovë, kanë mundësinë të sipërmarrin një proces mosprovues e mirëfilli sqarues për përmbajtjen mashtruese të tij. Është e dinjitetshme për shtetësinë tonë që organet e specializuara që nga Prokuroria dhe segmentet e tjera të ekspertizës, të përgatisin dhe publikojnë një raport të përkundërt, duke e bërë të mundshme në kohë fitoren e pashmangshme me akuzatorin e suportuar Dick Marty. Vonesa e kësaj trimërie, nuk është injorim i akuzës së paqëndrueshme, por është vetëndëshkim shqiptar në sytë e faktorit dhe opinionit botëror. Kjo duhet bërë, pasi vlen më shumë se një fushatë ndaj një ish-prokuroreje të Hagës, dhe nuk e ka jetëgjatësinë e suksesit, sa për një fushatë elektorale në këtë, apo atë anë të “gardhit” shqiptar.