ARMANDO MOSHO
Presidenti Obama fitoi rizgjedhjen. Rizgjedhje e cila lidhet ngushtësisht me rimëkëmbjen e ekonomisë së ngadalësuar amerikane.
SHBA-ja është akoma duke bërë përpjekjet për të dalë nga recesioni më i thellë në 80 vite, ndërkohë që rritja e punëzënies nuk arrin të barazojë ritmin e rritjes së popullsisë së aftë për punë. Triliona dollarë u zhdukën në flluskën e strehimit dhe hendeku midis të pasurve dhe të varfërve vazhdon të zgjerohet. Por, historikisht votuesit amerikanë kanë mundësuar një mandat të dytë për ata kandidatë presidencialë në detyrë, të cilët arrijnë të ruajnë një rritje ekonomike (edhe pse modeste), gjatë vitit zgjedhor. Ky model u ruajt edhe në rizgjedhjen e Presidentit Obama. Nëse ekonomia nuk po ecën dukshëm përpara, së paku ka shfaqur tregues të qëndrueshmërisë gjatë vitit 2012. Presidenti demokrat gjatë mandatit të tij të parë, ndërmori hapa të mëdhenj për të nxitur ekonominë, por duket se këto hapa nuk e ndihmuan shumë në sytë e votuesve. Sondazhet treguan ndarje të thella mbi meritat e stimujve ekonomikë të vitit 2009, kryesisht në shpëtimin e industrisë së automobilave. Por, edhe pse jo aq tingëlluese, këto masa dhanë rezultate të qarta në shtetin e Ohajos, ku 1 nga 8 të punësuarit është i lidhur me industrinë e automobilave.
Një faktor që mendohet si kontribuues kryesor në rizgjedhje është fakti se votuesit fajësojnë kryesisht për ngadalësimin ekonomik, Presidentin paraardhës republikan. Obama e shfrytëzoi maksimalisht këtë detaj, duke e përdorur si argument kryesor gjatë fushatës së tij. Duke theksuar fort argumentin se një President republikan do të vinte në zbatim sërish politika të ngjashme me ato të Presidentit Bush.
Ndërkohë që Romney tentoi të fokusonte zgjedhësit te zgjidhjet ekonomike, Obama i orientoi votuesit në një zgjedhje midis dy kandidatëve.
Fushata e Obamas sulmoi fillimisht me breshëri reklamash negative rivalin Romney për ta paraqitur multimilionerin, si një ekzekutues të korporatave, i cili nuk shqetësohej për fatin e njerëzve të zakonshëm. Një pjesë e konsiderueshme e shtresës së mesme arritën në përfundimin se Romney nuk do të mund t’i përfaqësonte ata.
Përpos fitores së Obamës, republikanët ruajtën kontrollin në dhomën e përfaqësuesve. Ndërkohë që demokratët ruajtën senatin. Kjo ndarje është një paralajmërim për një bllokadë dhe mosmiratim të politikës së Obamës mbi taksat dhe shpenzimet. Arritja e konsensusit do jetë shumë e vështirë. Ky polaritet i lartë mund ta bëjë qeverisjen edhe më të vështirë, në vijimësi.
Është pikërisht ky, leximi që tregjet financiare po i bëjnë post zgjedhjeve presidenciale në Amerikë. E në këtë pikë, tregjet financiare mbeten në pritje për të parë e reaguar se si do të jetë përplasja e parë e fortë në mandatin e dytë të presidencës “Obama”, midis demokratëve dhe republikanëve për të kaluar të quajturin fiscal cliff të administratës “Obama”. Që thënë me thjesht, konsiston në një rritje në shkallë të gjerë të tatimit të fitimit për tatimpaguesit amerikanë.
Negociatat do të fillojnë së shpejti midis dy partive, për të arritur një kompromis përpara fundit të këtij viti. Partia Republikane përpiqet të parandalojë rritjen e parashikuar të tatimit dhe shkurtimin e shpenzimeve. Argumentet e republikaneve janë se ekonomia amerikane do të hynte në një spirale të rrezikshme të ngadalësimit të mëtejshëm të rritjes ekonomike, prej rritjes së tatim-fitimit, dhe shkurtimi i shpenzimeve qeveritare do të shkaktonte shumë dhimbje. Papunësia do të rritej, dhe mund të rikthehet sërish në nivelin e 9.10 përqindëshit.
Ndërsa Presidenti Obama mendon të rrisë tatimin mbi të ardhurat sipas variantit triumfues të administratës së viteve 1990, për familjet të cilat realizojnë të ardhura mbi 250.000 USD, lind një pyetje: pse të mos sakrifikojnë vetëm ata me të ardhura pakundërshtueshmërisht të larta, që munden ta përballojnë lehtë situatën? Për ta lehtësuar sa më shumë analizën, konsiderojmë se çdo të ndodhë nëse taksojmë të ardhurat mbi 1 milion dollarë.
Duke përdorur si prag të ardhurat mbi 1 milion dollarë, do të mbeteshin jashtë përllogaritjes së ekuacionit një pjesë e madhe e amerikanëve të shëndetshëm financiarisht.
Duke u rritur tatimin e amerikanëve që realizojnë të ardhura personale mbi 200.000 USD, sipas projektit të demokratëve, do të prekeshin 2.4 milionë taksapagues amerikanë, sipas të dhënave të publikuara për vitin 2010. Duke rritur shkallën e tatimit tek ata që fitojnë mbi 1 milion USD në vit do të mbeteshin jashtë skemës 2.1 milionë familje amerikane, të përjashtuara nga tatimet e larta, duke lënë të përballen me këto tatime vetëm rreth 250.000 familje.
Duke rritur tatimin vetëm për milioneret, sipas kalkulimeve do të mblidheshin 250 miliardë dollarë në 10 vite. Kjo shumë korrespondon me rreth 33 për qind më pak dollarë të mbledhura, se tatimi i komplet grupit prej 2.4 milionë njerëzish që do të goditeshin nga tatimet e larta.
Për republikanët, dështimi për të arritur me demokratët një marrëveshje që shmang një goditje të rëndë ekonomike për mirëqenien e milionerëve (që përbëjnë 0.2% të popullsisë) do t’i etiketonte prej financuesve më të mëdhenj të fushatës së tyre, si bashkërealizuesit e një marrëveshjeje me “djallin”.
Rezultatet e zgjedhjeve tregojnë dukshëm që Obama ka fituar një mandat për të krijuar një mundësi për shtresën e mesme. Ky është mandati i tij, për të taksuar fort shtresën e shëndetshme financiarisht. Ky është një mandat për të shtyrë përpara kujdesin shëndetësor, të njohur gjerësisht si Obamacare.
Natyrisht që Obama nuk ka ndërmend të shndërrohet në një bolshevik, ai po përpiqet të bashkëpunojë me komunitetin e biznesit, siç gjithmonë ka bërë. Ai nuk po mendon t’i sulmojë ata, ai thjesht po tenton t’i ftojë ata për një bashkëpunim, në të mirë të Amerikës, si një e tërë. Cilido të jetë rezultati që do të dalë nga negociatat midis republikanëve dhe demokratëve, fakt është që, tatimi i të ardhurave të milionerëve është fituesi politik i zgjedhjeve presidenciale në Amerikë.