KOSTA BARJABA
Profile të emigrantëve në fokusin e Roland Tashos
Kur të shkruhet historia e emigracionit shqiptar, shumë pak gjëra nga ato që janë thënë, bërë ose jobërë për emigrantët do të kujtohen. Koha do t’i mbulojë me tisin e harresës premtimet. Dhe shumicën prej nesh do ta mundojnë brengat se duhet të kishim bërë, por nuk bëmë ndonjë gjë të madhe për ta. Por Roland Tasho, artisti dhe fotografi i shquar, do të ketë arsye të mos vuajë nga kjo brengë. Me objektivin e vet, me profesionin me të cilin na nderon të gjithëve prej tri dekadash, ka shlyer një borxh kombëtar, politik, shoqëror dhe njerëzor të Shqipërisë për bijtë e vet emigrantë. Shtetarët kanë premtuar, politikanët janë përdëlluar, diplomatët dhe konsujt shpesh u kërkojnë ryshfet për t’u kryer shërbimet që u takojnë si qytetarë. Ndërsa miku ynë Landi ndryshon nga të gjithë. Ai i ka gjurmuar kudo ku ata janë dhe deri tani, na ka sjellë pamjet dinjitoze të rreth shtatëqind prej tyre, që janë shpërndarë si zogjtë në pesë shtete, të afërt, por edhe të largët: ShBA, Francë, Zvicër, Itali dhe tashmë së fundi, edhe në Greqi. Landi ka ndjekur pak a shumë dinamikën e fluksit dhe hartën e emigrimit shqiptar, duke na sjellë me fokusin e vet panoramën e emigrimit të shqiptarëve në këto vende. Si një kërkues i hollë dhe qëmtues i rafinuar i jetës së emigrantëve, Roland Tasho na ka sjellë, nëpërmjet serisë së albumit, një profil të studiuar të këtyre komuniteteve. Më kuptimploti karakterizim për të cilët do të ishte ndërtues të urave të miqësisë midis popujve.
- Pranë ëndrrës amerikane
Ku nuk i gjen shqiptarët në Amerikë! Nga Bostoni në San Francisko, nga Çikago në Atlanta, nga Nju Jork në Seattle. Një komunitet i vogël, në vendin më të madh në botë për nga hapësirat e lirisë, të mikpritjes dhe të integrimit. Por Landi, nëpërmjet albumit të tij, na ka sjellë një komunitet që duket aq i madh për nga ritmet e integrimit në tokën klasike të emigrantëve. Në Shtetet e Bashkuara ndodhet komuniteti më pluralist i emigrantëve shqiptarë. Pluralist në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale. Diaspora e vjetër dhe emigrantët e rinj, nobelistët si Ferid Murad dhe studentët dinjitozë në universitetet prestigjioze, por edhe mjeshtrit që riparojnë shtëpitë e rrënuara nga uraganet, pronarët e restoranteve luksozë, por edhe punëtorë në punë krahu, fëmijë që shkojnë në shkollë, por edhe të moshuar që, pas një jete plot punë dhe sakrifica, shijojnë diellin e ngrohtë në Florida dhe Teksas, republikanë, por edhe demokratë të flaktë, të lodhur nga punët e ditës, por gjithnjë me sytë dhe zemrën në Shqipëri. Por midis këtij komuniteti kaq të ndryshëm, në çdo pikëpamje, spikat brezi i studentëve të shkëlqyer në universitetet më të famshme, shpesh të paarritshme edhe nga amerikanët që jetojnë aty prej brezash. Keti, Eno, Adela, Kristiani, Dritani, Ani, Romina, Arbri dhe shumë të tjerë kanë bërë të tyren ëndrrën e çdo të riu amerikan për të studiuar në elitën e universiteteve të globit. Ky brez, sot studentë dhe nesër laureatë dhe profesionistë premtues, si një nga profilet më të spikatura të komunitetit shqiptar në Amerikë që Landi na ka sjellë nëpërmjet albumit “I speak Albanian”, na bëjnë apel me arritjet e tyre për më shumë vëmendje ndaj diturisë dhe shkencës.
- Misionarët e Italisë
Italia ishte një ndër stacionet më të afërta të emigrantëve të rinj shqiptarë. Deti në mes, që për shekuj i kishte ndarë shqiptarët nga Italia europiane, papritmas u shndërrua në një urë bashkuese. Historitë e dhimbshme, shpeshherë tragjike, nuk mundën, megjithatë, të pengonin vërshimin e talenteve dhe pasioneve të europianëve të rinj, shqiptarëve që vinin nga bregu tjetër. Roland Tasho i ka ndeshur kudo shqiptarët në Itali. Por në albumin e vet ka parapëlqyer të fokusohet më shumë ndër ta që i janë kushtuar shërbimit ndaj të tjerëve, shoqërisë civile, organizatorëve të komunitetit dhe aktivistëve shoqërorë. Andi Gjonej ka qenë një diplomat i shquar i vendit të vet. Por në Itali, duke qenë një funksionar i lartë i misionit të Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit, u shndërrua në një ambasador jo të shtetit, por të qytetarëve dhe humanistëve të Shqipërisë. Bashkë me Andin, albumi kushtuar shqiptarëve të Italisë na sjell me dhjetëra, që përfaqësojnë qindra-mijëra shqiptarë që janë shndërruar në misionarë për një botë dhe jetë më të mirë për të gjithë në vendin fqinj.
- Sipërmarrësit dhe bankierët në Zvicër
Ndoshta nuk ishte qëllimi fillestar i Landit, për të nënvizuar këtë profil të emigrantëve shqiptarë të Zvicrës. Por profili u vetëskicua, ditë pas dite dhe foto pas fotoje. Ai i gjeti shqiptarët e Zvicrës kudo, të shpërndarë dhe të mirintegruar midis komuniteteve diversë të këtij vendi, ku disiplina gjermaniko-europiano-alpine shpesh vjen ndesh me temperamentin e rrëmbyer mesdhetar dhe ballkanas të shqiptarëve. Por këta të fundit nuk donin t’ia dinin. Vit pas viti e gjejnë veten gjithnjë e më të integruar, madje në sektorët më konkurrues të këtij vendi të veçantë: bankat, universitetet dhe sipërmarrjen.
- Profesorët e Francës
Në Francë jeton prej 22 vjetësh shqiptari më i madh i gjallë: Ismail Kadare. Është normale që prezenca në atdheun e kulturës, të civilizimit dhe iluminizmit e një figure kaq të stërmadhe, do të errësonte lehtësisht praninë e shqiptarëve të përmasave të zakonshme. Por nuk ka ndodhur kështu. Portreti i mendueshëm i gjeniut të letrave shqipe duket sikur na përgatit për të eksploruar në faqet e albumit shqiptarët e përmasave të zakonshme, që megjithatë i bëjnë nder Shqipërisë në Francë. Krahas dy kalorësve, Invës dhe Angjelinit, objektivi i Landit na sjell dhjetëra shkencëtarë, mjekë e profesorë që shkëlqejnë në laboratorët, klinikat dhe katedrat e universiteteve pariziane.
- Artistët e Greqisë
Është folur e stërfolur për emigrantët shqiptarë në Greqi. Mbi dy dekada të prezencës dhe kontributit të tyre në këtë vend kanë prodhuar shumë komente, vlerësime, imazhe dhe perceptime publike. Por kumtet që sjell Roland Tasho, ky fotograf artist origjinal, janë më domethënëset. Shtetarë dhe politikanë të të dy vendeve, sidomos të vendit fqinj, mes ngurrimesh dhe dyzimesh, kanë pranuar rolin e jashtëzakonshëm të emigrantëve shqiptarë në ekonominë, sistemin e mirëqenies dhe shoqërinë greke. Por Roland Tasho ka qëmtuar me kujdes kontributin e spikatur të emigrantëve shqiptarë në një nga krenaritë e historisë, shoqërisë dhe qytetërimit helen: kulturën greke. Pamja e emigrantit që në fillim të aventurës migratore shqiptare drejt Greqisë, në vitin e largët 1991, shkarkon në Kakavijë një frigorifer të përdorur, plotësohet nga imazhet kuptimplote të Devis Xherahut, Bujar Alimanit, Renato Ripos, Laert Vasilit, Ilirjan Shimës, Fjoralba Qazimit, Danilo Zekës, Aleksandër Rrapit e dhjetëra artistëve të tjerë që performojnë me klas të lartë në skenat e fqinjit tonë të Jugut.