MONIKA SHOSHORI STAFA


Në Shqipërinë e sotme është krejt e zakonshme, krijimi i komuniteteve mbi bazën e dallimit. Janë me dhjetëra shoqatat kulturore të krijuara, duke iu referuar krahinës. Me dhjetëra janë dhe ato që i referohen dallimit etnokulturor. Mjafton të përmendim se vetëm shoqata të arumunëve janë tre.


Duke pasur si kriter themelor dallimin janë krijuar dhe shumë shoqata dhe grupime të grave të Shqipërisë. Këto shoqata, të krijuara për t’u dhënë mbështetje grave, për të kundërpeshuar pabarazinë që ekziston në vend në këtë rrafsh, a kanë ndonjë anëtar të ndryshëm në gjini? A ka ndonjë shoqatë grash ku bëjnë pjesë dhe burra? Ose, më saktë, a ka ndonjë të tillë që ua ka hequr dyshimin burrave se të jesh veprimtar në një shoqatë grash për të drejtat e tyre nuk është diçka dytësore, por parësore?


Është e vështirë për t’i dhënë përgjigje pozitive kësaj pyetjeje, përderisa sot edhe rolet e grave në skenat dhe spektaklet shqiptare po mashkullorizohen, sikur të mos kishte aktore gra, jo më të flitet për të kundërtën. Burrat shqiptarë mund të mburren duke luajtur role grash, njësoj si në vitet 1930, kur nuk kishte rrethana që rolet e grave të luheshin nga ato vetë. Por a janë të gatshëm të marrin përgjegjësi serioze në jetë po aq sa dhe përgjegjësia që marrin në përqeshje të tyre?


Çështja është më e thellë se sa mund të duket. Kur grupimet sociale krijojnë rrjete të brendshme për vetëmbrojtje, pra, kur jeta e shoqërisë sundohet prej organizatash të ngritura mbi bazën e dallimit, çfarë ndodh? Asgjë më pak se një vetëveçim, që është një formë moderne e getoizimit. Sot mendohet që edhe fëmijët me kufizime shqisore: në shikim, në dëgjim, të mos shkollohen më vete, por të marrin mësime në shkollën më të afërt. Sot mendohet që edhe ata individë që nuk kanë aftësi fizike të barabarta me të tjerët të mos veçohen dhe as vetëveçohen, por të udhëtojnë me të njëjtat mjete, të paraqiten në të njëjtat sportele dhe zyra, të punojnë në barazi me të tjerët. Kushdo që ka parë filmin humoristik italian “Vizitë në jug” e kupton se ç’përparësi ka njeriu me dallim në një shoqëri europerëndimore për t’u respektuar në barazi dhe për të mos u paragjykuar për dallimin.


Po pse ky theksim mbi dallimin? Sepse pikërisht ndarja prej shkakut të dallimit përbën tiparin themelor të autodiskriminimit. E tillë është dhe ndarja mbi bazën e dallimit gjinor.


A ka shenja të autodiskriminimit në shoqërinë shqiptare, saktësisht në botën e zonjave shqiptare?


Ne morëm shkas për këtë shkrim nga ekzistenca e shoqatave të grave, si shoqata homogjenikisht grarishte. Dhe vetëm ky fakt do të mjaftonte për të pohuar se ka autodiskriminim. Të mos përmendim fakte të tjerë më se të njohur, si festat grarishte më 8 mars, mbledhjet grarishte në ditë ndërkombëtare të barazisë. Por dukuria e autodiskriminimit është shumë më e shpërfaqur se kaq. Kujtdo që i ka rënë rasti të asistojë një orë leksioni të shkallës së dytë a të tretë universitare do të ketë vërejtur se shumica e kandidatëve janë vajza dhe nëna të reja.


Ky nuk është një opinion për të sugjestionuar dikënd. Sipas të dhënave më të fundme, të “Census Albania 2011”, numri i të diplomuarve prej vitit 2001 deri më 2011 është rritur në shifra absolute dhe relative në favor të vajzave dhe grave, duke mbërritur përafërsisht në përpjesëtimin 49 për qind për burrat dhe 51 për qind për gratë. Por a është i njëjti raport edhe në rekrutimin e tyre në administratën shtetërore? Sigurisht që jo. Sepse me ligj shoqëria shqiptare ka marrë përsipër t’i rregullojë raportet në mënyrë diskriminuese: më pak se një për dy, 30 për qind (në teori) gra kundrejt 70 për qind burra.


Ky është ligji shqiptar i rregullimit të “barazisë gjinore”, që në fakt do të duhet të titullohej “ligji i pabarazisë diskriminuese të grave prej burrave”; ligji i pabarazisë gjinore në një shoqëri patriarkale. Në fakt, ky është vetëm ligji formal, sepse në realitet nuk arrihet as në këta kufij minimalë të detyrueshëm me ligj. Asnjë përligjje nuk mund të ketë për këtë. Edhe nëse nuk ka qenë e mundur që ky përpjesëtim tejet kritik të ruhej në përfaqësimin parlamentar, ishin mundësitë që raportet të përmirësoheshin në përgjegjësitë administrative. Por çfarë po ndodh me këto përgjegjësi? Pushteti i vetëm serioz që ishte në duart e një gruaje, prokurori i përgjithshëm, shkoi në drejtimin tjetër. Nuk po flasim për role të spikerëve dhe të spikereve të administratës shtetërore, sepse mund të biem në subjektivizëm …


E keqja më e madhe është se ky diskriminim me ligj, ky diskriminim i thelluar prej zhvillimeve të realitetit, duartrokitet e madhështohet prej grave e zonjave vetë, me një ekstazë që të bën të qeshësh e të nervozohesh njëherësh. Me një fjalë, faleminderit që na jepni kaq, se mund të na jepnit edhe më pak. Dhe kjo është forma më e drejtpërdrejtë e autodiskriminimit, që mund të konsiderohet si forma më primitive diskriminuese njëherësh.


Vetëdiskriminimi është forma më flagrante e përligjjes së dallimit, diferencimit, pabarazisë. Kjo do të thotë të pranosh dhe të përshëndesësh pabarazinë, si një dënim gjinor, ndërkohë që flet e diskuton për barazinë natyrore ndërgjinore.


Një i mençur ka shkruar se shkalla e emancipimit të një shoqërie matet me shkallën e emancipimit të gruas. Kjo varet sigurisht prej nivelit qytetar të shoqërisë, por varet dhe prej rolit që vetë gruaja i njeh vetes në një shoqëri. Sot për sot ne jemi mësuar të dëgjojmë: “Është shumë e vështirë për ne, moj motër, se duhet të punojmë për formimin tonë, për detyrat që kemi, por ne jemi nëna, kemi fëmijë, kemi burra, kush do të gatuajë, kush do të mbajë shtëpinë, kush do të kujdeset për të gjitha. Ndryshe janë burrat…”.


“Ndryshe janë burrat”. Qysh kur arrihet në këtë konkluzion, merret vesh se nuk është gjysma e shoqërisë që diskriminon pjesën tjetër, por është dhe pjesa e dalluar që e pëlqen vetëdallimin. Dhe atëherë e keqja bëhet e dyfishtë: sepse dallimi bashkohet me vetëdallimin, gruaja e lë vetë pjesën e përgjegjësisë së saj qytetare, kënaqet me çfarë i ofrohet dhe kaq. Atëherë, cili është kuptimi që, ndërsa gruaja diplomohet më intensivisht se burri, përkundrazi, burri ka vend më të stabilizuar në shoqëri? Ndoshta sepse shoqëria shqiptare e ka barazinë gjinore pyetjen e fundme në shqetësimet e saj? Ndoshta se barazia gjinore nuk është një prej dymbëdhjetë kritereve që duhet të plotësojë vendi për të hedhur ndonjë hap të ri përpara drejt Europës? Apo thjesht ndoshta sepse nuk ka dekadë të gruas, siç ka dekadë të romëve, të shpallur nga OKB-ja? Shumëçka prej tyre mund të jetë …