ARTAN MULLAJ
Kur një i njohuri im, anëtar i Akademisë së Shkencave, më telefonoi për të më thënë se kishte një lajm befasues dhe trazues për të më thënë, mendova se e kishte fjalën për shkërmoqjen dëshpëruese të opozitës. Sapo kisha marrë vesh edhe vetë lajmin se deputeti republikan i Elbasanit i ishte bashkuar mazhorancës. Cunami që goditi PD-në më 23 qershor me sa duket është ende në aktivitet sizmik, duke i rrezikuar sa imunitetin e brendshëm, aq unitetin. Lideri i ri i PD-së duket shumë fëminor për të krijuar një identitet të ri, nëpërmjet bashkimit të demokratëve. Z.Basha nuk duket të bashkojë PD-në, çka vërteton inflacionin e autoritetit të tij në kampin opozitar. Kështu që tkurrja e tejme e opozitës më kishte lënë shije të keqe. Unë jam në listën e atyre që besojnë se një opozitë e fortë është kusht për një demokraci të shëndetshme; në çdo rast, opozita përbën një aset kombëtar, sepse duhet të jetë palë në vullnetin dhe konsensusin për ngritjen e shtetit. Veç kësaj, si çdo gjë me tepri, edhe pushteti, sidomos pushteti i skajmë, bën dëm.
Por miku im akademik ishte trazuar nga tjetër gjë: “Shkërmoqja e Berishës s’është gjë fare në krahasim me “çupëlinat” adoleshente që ka emëruar Edi Rama në krye të financave të shtetit, në poste superministrore”, më tha.
E kishte fjalën për emërimin e Elisa Spiropalit dhe Briseida Shehajt në krye të Tatimeve dhe Doganave të shtetit.
***
Kultura jonë është e prirur të luftojë ndryshimin. Zakonisht njeriu bie vetë pre e një rrjete që e thur ai vetë. Kjo rrjetë është rutina. Përsëritja e gjërave të njëjta, rutina e krijuar prej tyre, është shkaku që ne nuk i pëlqejmë ndryshimet; në këtë mënyrë është edhe kurthi më vulgar i qëllimeve tona. Rutina sundon në veprimet tona, edhe tek ato më të thjeshtat. Ne kemi bezdi të hyjmë në dush, pastaj s’duam të dalim nga dushi. Ne s’duam të shkojmë nga parku i liqenit për të vrapuar, por mbasi shkojmë, nuk duam të kthehemi. Me zor vendosim të vëmë kurorë, e bëjmë gjithçka më pas të mos divorcohemi…
Kjo prirje e kulturës sonë shpjegon se përse mënyra si bëheshin emërimet politike në mandatet e mëparshme, kanë qenë shndërruar në traditë. Administrata e Nanos ndërtohej sipas së njëjtës rutinë. Drejtorët duhet të ishin në formatin e Kryeministrit. Pak fodullë, egoistë, me bark, mundësisht të shkurtër, me fjalor të pistë, të sigurt në vetvete, zë trashë, parallinj edhe qejflinj grash.
Drejtorët e Saliut ishin edhe këta të dalë nga i njëjti kallëp allçie, me cilësi thuajse të njëjta. Administrata e Saliut ndërtohej sipas shijes së Saliut. Edhe drejtorët e radhës që zëvendësonin për arsye aktualët, ishin veriorë, llafazanë, të ngutur për të shfaqur inteligjencën e mohuar nga opinioni publik, por njëherësh edhe injorancën e tyre, sepse në shumicën e rasteve ata nuk ishin profesionistë, por besnikë të kryetarit dhe militantë të thekur. Rutina e emërimeve të tyre ishte e tillë që drejtorët i bënte kaq të ngjashëm njëri pas tjetrit, sa në fund harroheshin emrat e tyre.
Kur në kafen me akademikun i dhashë këtë argument, që duhet ndryshuar kjo frekuencë të menduari lidhur me modelin e emërimeve të drejtuesve të administratës, ai më sulmoi me një frazë timen, që e kam përdorur në njërin nga romanet e mi:
“Mes dy të këqijave, zgjidh atë që nuk ke provuar!”
Sipas tij, Kryeministri Rama po bën pikërisht këtë gjë. Mes dy të këqijave, atij modeli dhe këtij modeli të administratës, po zgjedh çfarë nuk njeh. Po rrezikon tek ka zgjedhur të prishë rutinën kryeministrore të paraardhësve të tij, duke emëruar në krye të institucioneve jo personazhe me reputacion e përvojë nga radhët e elitës socialiste, por “çupëlina” siç i quan profesori. Është një gabim skandaloz, ngulte këmbë ai, ndërkohë që unë e kundërshtoja duke i thënë që ne kemi elitë, por ajo është e infektuar.
Meqë elita profesionale është e infektuar apo në kalbëzim, kjo s’do të thotë se Kryeministri ka të drejtë të eksperimentojë, pra edhe të rrezikojë qeverisjen me të rinj anonimë, që janë jashtë elite.
Dilema e profesorit kishte të bënte me perceptimin e Kryeministrit.
***
Që t’i kthehem temës, zhurma mediatike dhe pëshpërimat në opinionin publik për emërimet “skandaloze” të Ramës, përbëjnë vetë ato një skandal. Së pari, Kryeministri është përgjegjësi i vetëm i emërimeve që bën. Shkëmbi i parë në breg. Çdo gabim në përzgjedhje do të ketë një kosto të drejtpërdrejtë për qeverisjen e tij. Më shumë se çdo dëshirë kundërshtare për të bërë gjinkallën, ai ka shqetësimin të zgjedhë njerëz të bëjnë milingonën, pra punën, arritjen.
Emërimi i “çupëlinave” në detyra me rëndësi kapitale është një veprim që provokon natyrshëm debate. A dinë, a kanë eksperiencë, a janë të vetëdijshme për përgjegjësinë sublime të postit që marrin, a kanë pjekuri dhe ndershmërinë e nevojshme? Apo së paku, a kanë fleksibilitetin e mjaftueshëm intelektual, për t’u aftësuar, edhe duke u rritur, edhe duke drejtuar. Këtë do ta vërtetojë koha. Por mos harrojmë që Rama krijoi, rriti e ngriti administratën e Bashkisë së Tiranës me njerëz fare të rinj, që krijuan një model europian qeverisjeje, më të mirin që ka pasur ndonjëherë një institucion shqiptar. Kjo është strategjia e tij e përzgjedhjes. Natyrisht, më e mira është të gjendeshin profesionistë me eksperiencë dhe të besueshëm njëkohësisht. Çështja është a ka tregu ynë publik njerëz kaq të kompletuar, edhe të aftë, edhe të rritur, edhe të painfektuar?
***
Duket se Kryeministri ka zgjedhur të rrezikojë. Thënë kalimthi, rreziku është e vetmja rrugë drejt përmbushjes së strategjisë së tij të krijimit të shtetit. Cila është kjo strategji? Qasja që në Shqipëri për herë të parë të krijohet një sistem, ku autoritetin e pozicionit ta kenë jo njerëzit që emërohen në këto pozicione, por vetë pozicionet. “Çupëlinat” nuk do të jenë si kanë qenë deri tani paraardhësit e tyre, pronarë të kolltukëve të dhuruar dhe adhuruar nga shefi i madh. “Çupëlinat” do të jenë aty për të përdorur autoritetin si një mjet që pozicioni ia jep titullarit, jo për të abuzuar, por për të bërë punën e duhur. Kjo do të sjellë për herë të parë një qasje publike të administratës, drejt krijimit të një shteti publik, që do t’iu shërbejë jo më zyrtarëve, por qytetarëve. Pra Rama synon të krijojë e më pas të forcojë sistemin, e më pas pozicionet, jo titullarët e përkohshëm në to. Këtë gjë e shpreh më së miri parulla e Rilindjes, “në shërbim të popullit”, apo, “zyrat janë të administratës, pushteti është i popullit”
Të rrezikosh është opsioni më i mirë, kur nuk ke shumë opsione të zgjedhësh.
Vetëm në mes të rrezikut lind mundësia.