KSENIYA LVOVSKY


Jemi në prag të festës së Vitit të Ri. Përsëri, jemi të rrethuar nga momente magjike, ku njerëzit i lënë pas zhgënjimet e së shkuarës për të përqafuar plot dëshirë një premtim më të mirë për vitin që vjen. Këtë herë, elementi magjik është veçanërisht i nevojshëm.


Në këtë fundviti, lajmet ekonomike janë të zymta. Sipas raportit periodik të Bankës Botërore, ku mbulohet Shqipëria dhe pesë vende të tjera të Europës Juglindore, rënia ekonomike në Eurozonë do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2013, ndërsa disa vende të Ballkanit Perëndimor kanë rritje negative ose rritje zero gjatë këtij viti. Përkundrejt kësaj pamjeje, rritja e parashikuar për Shqipërinë prej 0,8 për qind në vitin 2012 (si rezultat i lidhjeve të ngushta ekonomike me Italinë dhe Greqinë, problemeve në sektorin energjetik dhe shkurtimit të buxhetit) është dëshmi e fuqisë rezistuese të admirueshme të ekonomisë së këtij vendi. Mirëpo, nuk është një shkallë e mjaftueshme për të ruajtur përmirësimet e prekshme të standardeve të jetesës dhe punësimit. Parashikimi për Shqipërinë në vitin 2013 është e njëjtë me atë të gjashtë vendeve të Europës Juglindore: rritje e ngadaltë ekonomike prej rreth 1,5 për qind.


Sipas raportit, në një moment të tillë receta më e mirë për t’iu rikthyer ritmeve të larta të rritjes ekonomike është përshpejtimi i reformave fiskale dhe strukturore. Për Shqipërinë, kjo do të thotë trajtim me vendosmëri i situatës së rëndë në sektorin energjetik, jo vetëm përmes sigurimit të furnizimit me energji elektrike për dimrin në vijim, por edhe përmes hartimit të një plani për ta rikthyer në rrugë të qëndrueshme këtë sektor, me respektim të plotë të rregullave të tregut nga të gjithë pjesëmarrësit, duke përfshirë këtu edhe konsumatorët. Kjo do të thotë dyfishim i përpjekjeve për ta përmirësuar mjedisin e biznesit: një fushë ku është arritur progres solid, i cili është ngadalësuar në krahasim me vendet e tjera të Europës Juglindore. Përmirësimi i shtrirjes dhe cilësisë së infrastrukturës publike mbetet me rëndësi të madhe për rritjen dhe investimet private, por është mirë që ky përmirësim të arrihet në mënyrë të qëndrueshme nga ana fiskale ku rritja e shpenzimeve publike vihet në baraspeshim me rritjen e të ardhurave në buxhet.


Për Shqipërinë, sfidë kryesore është ruajtja e qëndrueshmërisë fiskale në kohë, duke mbështetur, në të njëjtën kohë, rritjen ekonomike. Këtë muaj kjo sfidë është vështirësuar edhe më tej pas heqjes të tavanit ligjor prej 60 për qind të borxhit, për të lejuar rritjen e mëtejshme të borxhit publik. Dikush mund të pyesë: përse është kaq i rëndësishëm kufizimi dhe zvogëlimi gradual i borxhit publik, tani kur ekonomia dhe familjet kanë kaq shumë nevojë për mbështetjen e shtetit? Përgjigjen për këtë e gjeta gjatë një vizite tani së fundmi në Peshkopi dhe Burrel. Nevojat e bashkive, për të përmirësuar jetën e banorëve dhe për të nxitur zhvillimin e bizneseve, janë të mëdha. Pushteti vendor ka nevojë për rrugë, shkolla, klinika, ujësjellës, hapësira publike, qendra rinore, e të tjera, e të tjera. Kryetarët e bashkive dhe komunave nuk reshtin së pyeturi nëse mund të marrin apo jo ndihmë nga institucionet financiare ndërkombëtare. Në fakt, institucionet financiare ndërkombëtare kanë financime për projekte të tilla (për të përmendur vetëm një shembull, kompakti prej 30 miliardë euro gjatë dy viteve të ardhshme për vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore, i shpallur në muajin nëntor nga BEI, BERZH dhe Banka Botërore). E megjithatë, ngaqë një borxh i lartë publik sjell kosto të larta të shërbimit të borxhit dhe rreziqet që mbart kalimi i borxhit nga njëri vit në tjetrin, vendi nuk mund ta shfrytëzojë plotësisht këtë financim afatgjatë, edhe kur ky ofrohet me kushte të buta. Për të përshpejtuar investimet kapitale (pra edhe huamarrjen) për rrugët, ujësjellës-kanalizimet, ujitjet dhe nevojat e tjera për zhvillim në nivel vendor, lipset të krijohet në fillim, ose edhe paralelisht, hapësira fiskale. Kjo mund të arrihet vetëm përmes një angazhimi të qëndrueshëm për t’i kufizuar shpenzimet periodike, për t’i rritur të ardhurat e buxhetit dhe për t’i përshpejtuar reformat strukturore. Të ardhurat në buxhet nga një privatizim i vetëm mund t’i ndihmojnë, por nuk mund t’i zëvendësojnë efektet e përhershme pozitive që kanë këto reforma për rritjen ekonomike dhe për financat publike.


Sa i takon gjashtëmujorit të parë të vitit 2013, Shqipëria ndodhet në pozita të pafavorshme: momenti kur ekonomisë i duhen vendime të vështira dhe masa jopopullore, siç janë kufizimi i pagave në sektorin publik dhe rritja e arkëtimeve fiskale, përkon me fushatën zgjedhore që i bën të vështira këto veprime. Udhëheqësit politikë konkurrojnë me premtime që nuk do të ndihmonin në rivendosjen e shëndetit të financave publike, siç është premtimi për uljen e tatimeve. Në realitet asnjë qeveri që do të vijë në pushtet në vitin 2013 nuk do të mund t’ia lejojë vetes uljen e tatim-taksave. Cilësdo qeveri që do të dalë nga zgjedhjet do t’i duhet të punojë për t’i thjeshtuar procedurat tatimore, për ta përmirësuar efikasitetin e mbledhjes së tatimeve dhe për të identifikuar burime të reja të të ardhurave të buxhetit, duke i mbrojtur, në të njëjtën kohë, të varfrit përmes programeve të asistencës sociale me përcaktim të saktë të përfituesve.


E megjithatë, unë shoh dritë nga e ardhmja. Në mes të vitit do të ketë një qeveri me një mandat të ri. Kjo do të jetë një mundësi për ta rigjallëruar programin e qëndrueshëm të reformave ekonomike për të cilat njihet dhe është vlerësuar Shqipëria. Për të kompensuar kohën e muajve gjatë të cilëve fokusi ka qenë te  përfitimet politike afatshkurtra, është thelbësore që qysh tani të fillohet të mendohet për prioritetet dhe masat specifike që do të zbatohen pas qershorit të vitit 2013, për të bërë kështu gati terrenin për rifillimin pa vonesë të reformave. Në këtë proces është jetik roli i institucioneve jopartiake me një horizont kohor afatgjatë, siç janë Banka Qendrore, grupimet e ekspertëve të shoqërisë civile dhe kuadrot teknike brendapërbrenda qeverisë. Ia vlen të shikohet ideja e ngritjes së një këshilli fiskal të pavarur. Banka Botërore dhe partnerët e tjerë për zhvillim janë të gatshëm të ndihmojnë me ekspertizë dhe këshilla, sipas kërkesës.


Kjo mundësi më ushqen shpresën, ëndrrën dhe dëshirën se, nëse nuk ka tronditje të reja madhore, viti 2013 do të jetë më i mirë për shqiptarët. Kështu duhet të jetë. Gëzuar Vitin e Ri!


 


Drejtuese e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri