DAUT GUMENI
Hyri dhe Nëntori me qiellin e terruar nga retë e me shirat e ftohtë. Nëntorin e sivjetshëm do ta presë dhe me retë e përçarjes ky vend i bekuar nga Zoti dhe i mallkuar nga pjella e vet më e shëmtuar, apo për ta thënë ca më shkoqur, i mallkuar nga xhuxhmaxhuxhët e sëmurë për pushtet të pakufizuar, si e vetmja mënyrë që dinë për t’u dalluar dhe ata disi në këtë botë. Po e pret nën retë e përçarjes Shqipëria jonë edhe 100-vjetorin e Pavarësisë, sepse retë e zeza të përçarjes janë mjedisi më i përshtatshëm për mbijetesën e gjatë të liliputëve tanë të sëmurë për pushtet. Të pushtetit të mercenarëve të rrënimit, që prej 100 vjetësh pavarësi nuk lejon përparimin e natyrshëm të këtij vendi.
Kjo është arsyeja pse këta xhuxhmaxhuxhë të trembur keq nga vogëlsia e tyre, nuk po lejojnë as festimin dinjitoz të njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Dhe shikojini se ç’po bëjnë liliputët e pushtetit të përçarjes, aq keq të plevitosur nga hija që lëshon mbi shtatin e tyre çitak mali i lartë Ismail Qemali!…
Në vend që pushtetarët aktualë të Tiranës të krijonin një komision mbarëkombëtar qysh një vit më parë, dhe ta prisnim dhe ne si njerëz të qytetëruar këtë përvjetor, që përjetohet një herë në shekull, të sëmurët tanë për pushtet me çdo kusht e me çdo çmim po përpiqen të festojnë vjetorët e shëmtuar të pushtetit të tyre. Dhe për këtë kanë zgjedhur të na bëjnë edhe historianin, edhe sociologun, edhe llogaritarin e kooperativës, edhe sekretarin kapadai të organizatës bazë të Partisë së Punës, edhe këshilltarin e Amerikës e të Bashkimit Europian, edhe ekspertin e Bankës Botërore e të Fondit Monetar Ndërkombëtar, edhe kapterin e kambaleve të repartit 326 të komandantit të djeshëm, edhe Lukashenkon e “zgjedhjeve më të mira në botë”, po edhe Putinin e vockël ballkanik. Sikurse po na bëjnë edhe Enverin fshatar, edhe presidentin që pa ëndërr se duhet të vetëshpallej mbret, po nuk harrojnë me këtë rast historik të na bëjnë dhe historianin, sikurse nuk harrojnë asnjëherë të na bëjnë pushtetarin e prerë për sundim e që merret vesh vetëm me Zotin në qiell, edhe atë pa e besuar kurrë. Madje duken aq të dehur nga pushteti i trashëguar prej diktaturës së djeshme këta karkanxhollë politikë, sa nuk përtojnë t’i tregojnë dhe xha Brahos së Medi Malkos se si bëhet rakia…
Pushtetarët tanë çyrykë i ka zënë aq keq dridhma e hijes madhështore të malit Ismail Qemali, sa përpiqen të na çuditin edhe me ndonjë të ashtuquajtur “deklaratë pavarësie” të shkruar në osmanishte me kaligrafinë e shkronjësve me kallamar të fermaneve sulltanore. Dhe janë aq mendjehumbur përpara malit Ismail Qemali me shokët e tij të rrallë, sa harrojnë që dikur e kanë pranuar dhe vetë që Deklaratën e Pavarësisë e ka shkruar Luigj Gurakuqi i pavdekshëm! Dhe e ka shkruar në shqipen e bukur që dinte ai e jo në osmanishten e shkronjësve me kallamar dhe as në shqipen e përrallave me knjazë e me vojvodë, që na tregojnë duke qeshur me vete pushtetarët tanë mercenarë të prapambetjes.
Atëherë njeriu i shkretë ka të drejtën e Zotit e të robit të pyesë i habitur: Pse i kanë kaq inat Ismail Qemalin, Dom Nikollë Kaçorrrin e Luigj Gurakuqin me shokët e tyre këta pushtetarët aktualë të Tiranës? Pse duan të fabrikojnë një mori “deklaratash pavarësie” edhe në gjuhën osmanishte? Pse përpiqen të mbulojnë diellin me shoshë, duke arritur sa t’u duken “provincialë e primitivë” të gjithë shqiptarët që duan të kremtohet 100-vjetori i Pavarësisë, pikërisht në Vlorën e bukur, ku u mblodh Kuvendi historik i atyre burrave shqiptarë që, në mes të luftës ballkanike e më pas botërore, morën vendimin për të shpallur Shqipërinë “më vete e të mosvarme”? Pse tremben aq keq nga drita e atij akti historik pushtetarët tanë trashëgimtarë të diktaturës?
Pastaj, ç’punë ka Ahmet Zogolli me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, kur nuk ka qenë fare në atë ngjarje epokale? Kush kërkon të fshihet pas hynereve të Ahmet Zogollit, që e pa të arsyeshme të ikte nga sytë këmbët, kur u sulmua Atdheu nga hordhitë fashiste? Kush e ka humbur mendjen kaq rëndë pas bëmave të errëta të mbretit të vetëshpallur, i cili e humbi mendjen kur e la vendin e shqipeve në mëshirën e karagjozit këmishëzi të Apenineve, por nuk harroi të merrte me vete si pronë të tij ato arkat me flori të shtetit shqiptar?
Pushtetarët tanë liliputë na thonë se dhe këtë hyner mbreti i vetëshpallur e paska bërë me “trimëri mbretërore”, vetëm sa për t’i dhënë botës një “dëshmi juridike” se vendi iu pushtua nga miqtë e tij të ngushtë fashistë(!) As juristët e Plepave e as ata të dëllinjave përpara tyre, nuk besoj se do të arrinin në justifikime të tilla, të denja për në Gines…
Megjithatë, edhe Ahmet Zogollit i takon e drejta për një vendvarri në Atdheun e tij, sido që janë të shumtë ata që do t’u lëvizin eshtrat nga varri, kur të dëgjojnë bujën me të cilën po gatitet të ndërtojë mauzoleun “mbretëror” pushteti ynë demokratikas. Atyre na takon të gjithëve t’u kërkojmë falje për derexhenë ku jemi katandisur nga sëmundja jonë e njohur për të adhuruar komandantët tanë të gjatë, të lajthitur nga mendja e kokës dhe të regjistruar si myslimanë, edhe kur u nxjerrin themelet xhamive e kishave, edhe kur vendosin gurin e themelit në ndërtimin e tyre…
Duket sheshit që pushtetarët aktualë të Tiranës nuk i ka zënë aq shumë malli as për Zogollin e as për Esad Pashën po deshët, por kanë nevojë që pas këtyre personazheve të luftës për pushtet në historinë 100-vjeçare të Pavarësisë së Shqipërisë të gjejnë një farë përligjjeje për gjëmat që i kanë sjellë këtij vendi bëmat e tyre si trashëgimtarë besnikë të diktaturës komuniste.
Me këtë përçapje të tyre për të shpikur madje dhe “deklarata pavarësie” nga pushteti osman në osmanishte e për ta copëzuar nëpër disa qytete shqiptare edhe vendimin historik të Kuvendit të Vlorës, të mbajtur në shtëpinë e familjes së madhe të Vlorajve më 28 Nëntor 1912, liliputët tanë të sëmurë për pushtet, rreken të na mbushin mendjen se historia fillon e mbaron me pushtetin e tyre të trashëguar nga diktatura e proletariatit. Rropaten kot pushtetarët aktualë të Tiranës t’u mbushin mendjen shqiptarëve, se edhe vetë shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë nuk mund të festohet, pa qenë më parë e privatizuar nga kjo skotë trashëgimtarësh të diktaturës së proletariatit, që vendosën për gjysmë shekulli të tërë bejlurçinat e rënë nga vati në një vend pa proletariat, duke e kthyer thuajse një popull të tërë në “proletarët më të lumtur në botë”…
Përçartjet që kanë mbërthyer keq pushtetarët aktualë të Tiranës në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, janë një dëshmi e gjallë e ngulmimit të këtij pushteti të sëmurë për të përçarë shqiptarët edhe në ditët e mëdha festive, që vijnë një herë në shekull. Përçartjet e pushtetarëve tanë aktualë për të marrë përsipër edhe vetë shkrimin e historisë, që shpuri në Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, jo vetëm që u kujtojnë shqiptarëve atë “telegramin” që “dërgohej në Gjirokastër” nga Kuvendi i Vlorës për të pyetur “si e kemi Enverin”, kur Enveri me kadastër duhet të ishte vetëm katër vjeç, por dëshmojnë edhe shkallën e marrëzisë, ku i ka shpurë sëmundja për pushtet të pakufizuar trashëgimtarët e diktaturës së Enverit. Një shkallë marrëzie, që u shtohet edhe më keq xhuxhmaxhuxhëve tanë të pushtetit, sa herë që ngrenë kokën për të parë lartësinë e malit Ismail Qemali e sa herë që shohin lartësinë e veprës së atyre burrave të ndritur, si Luigj Gurakuqi e Dom Nikollë Kaçorri me shokë. Sëmuren keq nga marrëzia liliputët e pushtetit të Tiranës, sa herë që e shohin që shqiptarët në mbarë trojet e tyre përulen me nderim ndaj veprës dhe emrit të atyre burrave ballëlartë e zemërdhembshur, që shkrinë jetën për Atdheun, por tallen me këtë skotë çyrykësh të punësuar në politikë nga diktatura, që arrijnë të shkrijnë dhe vetë malin e Skënderbeut për ta hedhur si çimento në themelet e pushtetit të tyre personal, të hapura me ethet e fitimit vetjak në batakun kutërbues të korrupsionit.