EVA NOVAKU
Në shoqëritë moderne, njeriu si qytetar dëshiron të jetë me të drejta të barabarta, i lirë dhe i garantuar në “hapësirën publike”, që është esenca e qytetërimit në shoqërinë tonë. Koha kërkon që të mësohemi si qytetarë për të përdorur dhe shfrytëzuar “hapësirën publike”, në të cilën duhet të lëvizim si qytetarë aktivë, të angazhuar, guximtarë dhe jokonformistë, të vetëdijshëm për rolin tonë të pazëvendësueshëm në jetën publike. Kjo është garancia e parë e madhe e një shoqërie me standard të vërtetë demokratik, që duhet siguruar teorikisht dhe praktikisht nga shoqëria civile, nga mundësitë dhe shanset e shumta të saj, për organizimin e njëkohshëm dhe komplementar në “hapësirën publike” dhe “veprimit qytetar”, kështu është shprehur edhe sociologu Gëzim Tushi, në një ndër punimet e tij në lidhje me hapësirën publike.
Nëse do të shpreheshim në termat e autorit gjerman Jurgen Habermas, dallimi midis sferës private dhe sferës publike të jetës i korrespondon sferës së shtëpisë dhe sferës politike, të cilat kanë ekzistuar si entitete të dallueshme, të ndara, që nga lindja e qytet-shtetit; ndërkohë që shfaqja e sferës shoqërore, e cila nuk është as private dhe as publike në kuptimin e ngushtë të fjalës, është një dukuri relativisht e re, origjina e së cilës përkoi me shfaqjen e epokës moderne dhe gjeti formën e saj politike te shteti-komb. Ndërsa në periudhën moderne ne i quajmë ngjarjet dhe rastet “publike” kur ato janë të hapura për të tërën, në kontrast me çështjet e mbyllura dhe ekskluzive. Vetë sfera publike duket si një zotërim specifik, zotërimi publik ndaj atij privat. Në varësi të rrethanave, organet e shtetit ose media, si shtypi, që sigurojnë komunikim midis anëtarëve të publikut, mund të quhen si “organe publike”.
Lidhja e shoqërisë shqiptare me sferën publike është ende e dobët, spontane dhe e pakonsoliduar. Megjithëse kanë kaluar dy dekada të jetës demokratike, ende shoqëria jonë nuk është duke u formatuar sipas parametrave të “shoqërisë së hapur”, e cila ka në qendër ndërtimin e “hapësirës së veprimit publik të qytetarit”. Megjithëse gjatë kësaj kohe kanë lindur mijëra organizata qytetare të shoqërisë civile (OJF), si organizime me natyrë profesionale, politike, kulturore, minoritare, që bashkojnë njerëz dhe grupe qytetarësh të veçantë mbi bazën e parimit të vullnetarizmit, ende hapësira publike e veprimit qytetar është kaotike dhe e brishtë. Hapësira publike, si koncept social, është e lidhur me cilësinë e jetës sociale që kultivon shoqëria civile në komunitetet e saj të vogla. Ajo nuk është thjesht hapësira publike në të cilën qytetari kryen veprimtarinë e tij materiale.
Ne ende nuk i kemi ato kualitete që nevojiten që “hapësira publike” të bëhet arenë e vërtetë e mendimit qytetar. Shoqëria civile në vendin tonë jo vetëm duhet mbështetur maksimalisht, por duhet konsideruar si i vetmi terren social dinamik, që mundëson zgjerimin e vazhdueshëm të “hapësirës qytetare” dhe mbrojtjen e të drejtave legjitime të qytetarit brenda kësaj hapësire. Natyrisht ne jemi në fillimet e konceptimit të shoqërisë integrale, të zhvillimit të ndjenjës së qytetarisë, të njeriut të lirë me integritet civil. Ne kemi problemet tona të sasisë, cilësisë, standardit dhe të identitetit qytetar në nivel nacional. Për shkak të kushteve të vështira ekonomike, të mungesës te shumë njerëz dhe shtresa të një minimumi qytetar të kohës së lirë, jo vetëm që nuk angazhohen në problemet sociale të shoqërisë, por atyre nuk u mjafton koha fizike, për të zgjidhur problemet e mbijetesës ekzistenciale. Pra zhvillimi i hapësirës publike në vendin tonë po na “pret” pranë portës. Gjithçka që duhet të bëjmë është t’i urojmë mirëseardhjen.