Më shumë se 4 javë përpara zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi ka nisur një çarje në aleancën e vjetër të Milo Gjukanoviçit me shqiptarët.


Partia e Gjukanoviçit ka sulmuar fuqishëm kreun e komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, që është një partner i mazhorancës në pushtet.


Kjo ndodhi pasi Gjeloshaj bëri thirrje që shqiptarët të braktisnin ditën e shtetësisë në Mal të Zi që u zhvillua më 13 korrik.


“Shqiptarët nuk duhet të festojnë ditën e Kongresit të Berlinit”, ka thënë Gjeloshaj.


Në korrikun e vitit 1878, Fuqitë e Mëdha krijuan Mbretërinë e Malit të Zi, duke i dhënë toka shqiptare si Hotin e Grudën, por edhe Plavën e Gucinë. Dy vjet më vonë, Knjaz Nikolla pushtoi edhe qytetin e Ulqinit dhe zonën e Anës së Malit deri në Muriqan, ku ndodhet edhe kufiri i sotëm mes Shqipërisë e Malit të Zi.


Partia Demokratike e Socialistëve, duke komentuar qëndrimin e Gjeloshajt, deklaroi se është “një veprim i çmendur”. Madje PDS ka kërcënuar hapur politikanin shqiptar.


“As ju ​​dhe as të tjerët si ju nuk mund të dëmtojnë shtetin e Malit të Zi me një sjellje të tillë. Bashkëpunëtorët tuaj më të afërt, Lindon Deljaj, zyrtar i lartë i Alternativës Shqiptare dhe Sekretar i Shtetit në Ministrinë e Administratës Publike, Maras Dukaj, drejtor politik i Alternativës Shqiptare dhe drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit, Ivan Ivanaj, nënkryetar i komunës (Tuzi), gjithashtu mirëpresin njoftimin tuaj. dhe në të njëjtën kohë një zyrtar i nivelit të lartë të Aleancës Demokratike të Shqiptarëve, etj. “, thanë ata nga DPS.


Nga ana tjetër, një pjesë e publikut deklaron se Gjeljoshaj nuk bëri asgjë të papritur, por që politika e tij, si zakonisht, ka për qëllim ruajtjen e interesave të popullit shqiptar në Mal të Zi dhe në rajon.


Kjo përplasje është vënë në dukje edhe nga media shtetërore ruse Sputnik, e cila mbështet hapur opozitën filo serbe në këto zgjedhje. Sipas Sputnik, kjo përplasje nuk është gjë tjetër veçse një lojë politike, pasi sipas saj Podgorica zyrtare nuk mund të shkojë më tej, sepse qeveria në nivelin shtetëror varet drejtpërdrejt nga faktori shqiptar.



Vojin Grubaç, një analist politik, kundërshtar i Gjukanoviçit dhe përkrahës i aleancës me Moskën, thekson për Sputnik se shqiptarët nuk e konsiderojnë Malin e Zi sit ë tyren.


“Kreu i regjimit në Mal të Zi Milo Gjukanoviç dhe partia e tij kanë humbur logjikën ideologjike. Gjukanoviç ta ketë parasysh se boshnjakët dhe shqiptarët në Mal të Zi nuk kanë asnjë arsye të festojnë Kryengritjen e 13 Korrikut, as Kongresin e Berlinit, ku një pjesë e zonës etnike shqiptare ju dha Malit të Zi”, thotë ai.


Ndërkaq, Sputniku rus shkruan se ndërsa në Podgoricë, Niksiç, Cetinje, Kotor, Budva, në Ditën e Shtetësisë së Malit të Zi, u organizuan manifestime të ndryshme, një gjë e tillë nuk u pa në Tuz, Rozhajë, Plavë, Guci, Petnjica dhe Ulqin, qytete që banohen  nga shqiptarët.



Qarqet politike të Moskës po tentojnë të përçajnë partitë politike shqiptare nga aleanca 20 vjeçare me partinë në pushtet të Gjukanoviçit, aleancë kjo jetike për partinë e njeriut që nuk ka lëvizur nga drejtimi që prej vitit 1997.


Në një deklaratë të shpërndarë sot, diaspora shqiptare në SHBA i ka kërkuar partive politike shqiptare që të bashkohen në një listë zgjedhore përpara zgjedhjeve të 30 gushtit.


“Këto zgjedhje kanë një peshë historike ndaj secila parti politike dhe udhëheqësia e tyre duhet të shfaqë gatishmërinë për bashkëpunim, vetëdije kombëtare dhe përgjegjësinë e nevojshme para shqiptareve. Çdo alternativë tjetër do të tregojë qartazi se kushdo që nuk i bashkohet listës së përbashkët, nuk ka asnjë lidhje as me shqetësimet e përditshme të shqiptarëve në Mal të Zi, as me mbrojtjen e interesave kombëtare”, shkruhet në deklaratë.


©️Copyright Gazeta Shqip


Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.