Sot shënohen 27 vjet nga Masakra e Reçakut, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë, që mbetet plagë e hapur në kujtesën kolektive të vendit.
Më 15 janar 1999, forcat policore serbe, njësitë ushtarake dhe formacionet paramilitare serbe hynë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, ku vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë.
Viktimat, u ekzekutuan në rrethana që tronditën opinionin vendor dhe ndërkombëtar.
Masakra u bë e njohur për botën pas reagimit të menjëhershëm të atëhershëm të shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili, pasi pa nga afër trupat e pajetë të civilëve, ngriti alarmin për krime të rënda kundër njerëzimit që po kryheshin ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Reçaku u shndërrua në simbol të vuajtjes dhe sakrificës së popullit të Kosovës, por edhe në një moment kyç që ndikoi në ndërgjegjësimin ndërkombëtar për realitetin e luftës, duke hapur rrugën për zhvillime vendimtare në fundin e saj
Ndryshe, sot në kuadër të kësaj masakre, homazhe do të bëjnë krerët e shtetit si presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Pos tyre, homazhe do të bëjë edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
