Sot shënohen 26 vjet nga masakra e ndodhur në veri të Mitrovicës, ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, ku grupi paramilitar serb “Rojat e urës” ekzekutoi 10 shqiptarë, përfshirë fëmijë, gra dhe pleq. Gjatë këtij sulmi, shumë të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa rreth 12,000 shqiptarë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe të kalonin në jug, duke lënë prapa pasuri dhe prona të djegura.
Këshilli i Mbrojtjes i Lirive dhe i Drejtave të Njeriut (KMLDNj) ka denoncuar se vrasjet janë kryer në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it dhe të policisë ndërkombëtare, duke ngritur dyshime mbi mungesën e reagimit ndaj këtij akti brutal.
Në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit, humbën jetën Nezir dhe Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur.
Sipas dëshmitarëve, operacioni i vrasjeve ishte udhëhequr nga Ministria e Brendshme e Serbisë, me komandantët Dragan Delibashiq, Oliver Ivanoviç dhe figura të tjera të larta të strukturave serbe. Në vitin 2014, Gjykata Themelore në Mitrovicë shpalli fajtor Oliver Ivanoviç për krime lufte kundër shqiptarëve gjatë dhe pas luftës në Kosovë, duke e dënuar me 9 vjet burg.
