Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e kësaj të diele në aksin rrugor Gjakovë-Prizren, konkretisht në fshatin Rogovë, duke lënë pas 7 persona të lënduar. Mësohet se ngjarja është regjistruar rreth orës 10:40, kur tre automjete janë përplasur me njëri-tjetrin në rrethana ende të paqarta.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, konfirmoi se të shtatë personat e lënduar, janë dërguar menjëherë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Për momentin, nuk ka detaje të tjera mbi gjendjen shëndetësore të të plagosurve.
Njoftimi i Policisë:
Sot rreth orës 10:40 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku që ka ndodhur në rrugën magjistrale Gjakovë-Prizren, në fshatin Rogovë. Në këtë aksident janë përfshirë tri automjete dhe si pasojë e përplasjes, shtatë persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit kanë marrë menjëherë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor ka dalë në vendngjarje dhe është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe operative për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
