Një vajzë 24-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor që ka ndodhur në aksin Drenas–Skenderaj, konkretisht në fshatin Polluzhë të Komunës së Skenderajt.

Sipas policisë, shoferi i automjetit ka mbetur i lënduar dhe është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, së bashku me vajzën e aksidentuar.

Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të njësive të policisë dhe ekipeve emergjente, vajza nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të rënda të marra nga përplasja.

Lajmin për vdekjen e saj e konfirmoi drejtori i repartit të Emergjencës në QKUK, Naser Syla, i cili deklaroi:

“Përkundër të gjitha procedurave dhe përpjekjeve të stafit mjekësor për ta rikthyer në jetë, vajza e lindur në vitin 2001 nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.”

Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit.