Një aksident i rëndë trafiku është regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Prizren–Suharekë, në kilometrin e 26-të të autostradës “Ibrahim Rugova”. Sipas Policisë së Kosovës, përplasja mes një kamioni dhe një automjeti ka rezultuar fatale për drejtuesen e makinës, e cila ka humbur jetën në vendngjarje.

Zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyçi, bëri të ditur se nga aksidenti kanë mbetur të plagosur rëndë edhe shoferi i kamionit si dhe pasagjeri që ndodhej në makinën e viktimës. Të plagosurit janë dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor.

Në vendin e ngjarjes ndodhen njësitë policore dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur hetimet për sqarimin e rrethanave që çuan në këtë përplasje të rëndë.

Aktualisht, akset rrugore në rajonin e Prizrenit janë të mbuluara nga mjegulla e dendur dhe lagështia, faktorë që ndikojnë në uljen e shikueshmërisë dhe vështirësojnë kontrollin e automjeteve.