Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi në Prishtinë se vendimi i Dhomave të Specializuara për ish-krerët e UÇK-së duhet të respektohet, duke theksuar se përgjegjësia është individuale dhe nuk lidhet me luftën e Kosovës.

“Askush dhe asgjë nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës”, tha von der Leyen, duke vlerësuar gjithashtu reagimin e përmbajtur të qytetarëve dhe liderëve politikë pas vendimit.

Ajo theksoi se aktgjykimi është dhënë nga institucione të pavarura gjyqësore dhe se mandati i tyre duhet respektuar, ndërsa nënvizoi se duhet të nderohet kujtimi i të gjitha viktimave, pavarësisht përkatësisë.