Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka njoftuar për një dukuri shqetësuese që po rrezikon drejtpërdrejt sigurinë financiare të qytetarëve.
Sipas Policisë, qytetarë të ndryshëm kanë pranuar mesazhe telefonike të rreme, përmes të cilave njoftohen se llogaritë e tyre bankare do të bllokohen nëse nuk ndërmarrin veprime të menjëhershme.
Në këto mesazhe përfshihet një lidhje e dyshimtë, ku kërkohet futja e të dhënave personale dhe bankare.
Sipas njoftimit, pas vendosjes së këtyre të dhënave, persona të paautorizuar arrijnë të kenë qasje në llogaritë bankare dhe përfitojnë mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme, duke zbrazur xhirollogaritë e viktimave.
Policia u bën thirrje qytetarëve që të mos hapin lidhje të dyshimta të pranuara përmes SMS-ve apo aplikacioneve, të mos ndajnë fjalëkalime apo kode sigurie dhe të tregojnë kujdes të shtuar ndaj çdo komunikimi të panjohur.
Po ashtu, sipas Policisë, çdo rast i dyshuar duhet të raportohet menjëherë në institucionet e sigurisë.
Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e qytetarëve dhe luftimin e veprimeve të kundërligjshme.
