Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar të premten për vizitë zyrtare në Francë, ku pritet të takohet me presidentin Emmanuel Macron.
Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë më shumë hollësi rreth këtij takimi, mirëpo reagimi nga Serbia ka qenë i shpejtë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka pretenduar se kryeministri Kurti mund t’i kërkojë liderit francez plotësimin e ca kushteve “kundër popullit serb”.
Sipas presidentit serb, Kurti ka shkuar në Paris me dy kërkesa: që Serbisë t’i vendoset kusht për të mos përdorur kurrë armë kundër shqiptarëve, përkatësisht kundër Kosovës, dhe që NATO-ja të largohet nga zona tokësore e sigurisë, në mënyrë që Forca e Sigurisë së Kosovës të mund të shkojë në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.
Vuçiç pretendon se “agjendën e Kurtit në Paris” e ka mësuar përmes “njerëzve tanë në rrethin e Kurtit”. Mes tjerash, Vuçiç ka thënë se shpreson që NATO-ja “nuk do t’i mbështesë këto kërkesa dhe jam i sigurt që as Macron nuk do t’i mbështesë”.
“Ky do të ishte sulm i drejtpërdrejtë ndaj paqes, sulm i drejtpërdrejtë ndaj popullsisë sonë, ndaj gjithë Serbisë, dhe jam pothuajse i sigurt se kjo nuk do të ndodhë”, tha Vuçiç.



