Lavdrim Lita i ftuar në Breaking me gazetarin Xhoi Malësia në Top News diskutoi në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë.

“Kemi një ndryshim kursi në raport me Serbinë. A është një lojë taktike e Ramës në prag të samitit të tetorit të Bashkimit Europian nuk di ta them se ka elementë të tjerë, por që ka ndryshime ky është fakt,” u shpreh ai.

“Kurti ka bërë disa vendimmarrje shumë të çuditshme. Sidomos kur ka dashur të shtrijë ligjshmërinë e autoriteteve të Kosovës në veri të vendit, pa pasur bashkëpunimin dhe koordinimin e KFOR-it dhe BE-së më saktësisht dhe ka hasur në acarimin e komunitetit serb atje.

Kjo nuk i volit shumë qeverisë Kurti, se mos bashkërendimi me KFOR e BE i shkaktoi dhe ato masat e ashpra që kanë marrë ata, fondet IPA, apo stërvitjet ushtarake. Pra nuk ka dalë me sukses nga kjo marrëdhënie.

Kurtit i është kërkuar që të bëhen zgjedhje edhe njëherë në ato 4 komunat, se atje duhen zgjedhur njerëz të komunave, dhe jo njerëz që nuk kanë asnjë ndikim.

Kjo është një qëndresë si Oso Kuka i mbyllur në kullë. Fakti që serbët kanë braktisur institucionet lokale nuk është gjë e mirë, kur ti në Kushtetutë je një vend që i respekton komunitetet,” tha Lita.